BE dhe Shoqëria Civile

Një pamje e përgjithshme

Shqipëria tashmë ka hyrë në dekadën e tretë të përpjekjeve për një transformim politik, ekonomik dhe shoqëror me synimin për t’iu përafruar modeleve demokratike perëndimore të qeverisjes. Aktualisht, konsolidimi i institucioneve demokratike, përgjegjshmëria e sistemit qeverisës dhe proceset e politikëbërjes me pjesëmarrje që kanë në qendër qytetarët, qëndrojnë në themel të objektivave të vendit që do të ndihmojë shoqërinë shqiptare të pozicionohet më mirë në proceset globale dhe të përfitojë prej tyre. Në këtë kontekst, anëtarësimi në Bashkimin Evropian (BE) konsiderohet si një sfidë por gjithashtu edhe një mundësi për t’iu përgjigjur pritshmërive të qytetarëve për një demokraci funksionale, zhvillim të qëndrueshëm dhe prosperitet.

 

Shoqëria Civile (SHC) është në përpjekje të vazhdueshme për të gjeneruar vlerë të shtuar në përpjekjet transformuese të vendit, shpesh herë e ftuar nga partnerët ndërkombëtarë, të cilët mbështesin reformat në vend në fusha të tilla si demokratizimi, të drejtat e njeriut, mirë-qeverisja, përfshirja qytetare si edhe reformat ë tjera specifike. Përtej rëndësisë që i është dhënë sektorit të tretë në Shqipëri dhe rolit të tij në proceset transformuese të vendit, sfidat e zhvillimit të shoqërisë civile në vetvete, vetëm së fundmi janë bërë pjesë e axhendës së aktorëve shtetërorë dhe të komunitetit të donatorëve. Ndërkohë që mbështetja e Shoqërisë Civile në vitet 1990 dhe në fillim të viteve 2000 udhëhiqej kryesisht nga nevojat “emergjente”, ku ka mbizotëruar mbështetja e organizatave të shoqërisë civile me fokus ofrimin e shërbimeve; në vitet në vijim, axhenda e zhvillimit të shoqërisë civile, është përqendruar kryesisht në adresimin e shqetësimeve thelbësore mbi përfshirjen qytetare në proceset politkëbërëse dhe influencimin e tyre. Gjithsesi, vetëm gjatë viteve të fundit, zhvillimi i qëndrueshëm i shoqërisë civile ka marrë një vëmendje të madhe, kjo edhe në kuadër të intensifikimit të proceseve të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Kushtet që duhet të plotësohen për të siguruar një mjedis lehtësues për shoqërinë civile, përfshijnë:

  • kuadrin ligjor;
  • atë të politikave; si dhe
  • instrumenta rregullatore

që ndikojnë në rritjen e kapaciteteve të qytetarëve dhe të organizatave të shoqërisë civile për tu angazhuar në mënyrë të qëndrueshme dhe efikase në proceset zhvillimore, qoftë në nivel të politikave, programeve apo projekteve.

Organizatat që varen kryesisht nga fondet publike ndërkombëtare dhe kombëtare, rrallë mund të konsiderohen si shoqëri civile e mirëfilltë, duke rrezikuar delegjitimitetin e aktivitetit të tyre në sytë e publikut. Duhet të kuptohet gjithashtu se fondet e BE-së që lidhen me anëtarësimin e vendeve janë të limituara në sasi dhe kohë. Edhe pse një nga donatorët kryesorë të Shoqërisë Civile, Bashkimi Evropian nuk mund dhe nuk duhet të synojë të plotësojë hendekun e financimit lënë nga donatorët që largohen nga rajoni.

Që nga viti 2007, BE-ja ka dhënë rreth €600,000 çdo vit për veprimin qytetar për të drejtat e njeriut nëpërmjet Instrumentit Evropian për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut. Gjatë 5 viteve të fundit, edhe përmes instrumenteve të ndryshme financiare, BE-ja ka mbështetur aktivitetet e Organizatave Jo-Qeveritare me rreth €11 milion për të nxitur, ndër të tjera, respektimin e të drejtave të njeriut dhe përfshirjen sociale, luftën kundër korrupsionit, ruajtjen e trashëgimisë kulturore, si dhe mbrojtjen e mjedisit.

Gjatë pesë viteve të fundit Bashkimi Evropian ka siguruar më shumë se 13 milionë Euro financime për më shumë se 100 projekte në një gamë të gjerë sektorësh që nga të drejtat e njeriut, mjedisi, drejtësia, media, përfshirja sociale dhe mbështetja për grupet e cënueshme.

Bashkimi Evropian (BE) vijon të mbështesë shoqërinë civile shqiptare. Veprimtaritë e mbështetura nga Bashkimi Evropian përmes nënshkrimit së fundmi të disa kontratave përfshijnë fuqizimin e viktimave të dhunës në familje, promovimin e punësimit për persona me aftësi të kufizuar, mbrojtjen e fëmijëve të rrezikuar  dhe atyre me aftësi të kufizuar, si dhe luftën kundër diskriminimit që bazuar në orientimin seksual. Këto projekte, me vlerë totale prej afërsisht €1.2 milionë euro, janë dhënë nëpërmjet njërit prej instrumenteve financiare të Bashkimit Evropian - Instrumenti Evropian për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut (EIDHR).

Bashkëpunimi në të ardhmen

Siç edhe përcaktohet në Udhëzuesin për mbështetjen  e shoqërisë civile nga Bashkimi Evropian në vendet e zgjerimit, 2014-2020, Komisioni Evropian do të ofrojë një mbështetje të kombinuar politike dhe financiare për të përmbushur këto prioritete, duke vënë në zbatim një qasje më strategjike, më efektive dhe më të fokusuar drejt rezultateve për të arritur impaktin maksimal  me burimet e mundshme të limituara njerëzore dhe financiare.

mbështetjen e tij politike Komisioni do të inkurajojë Shqipërinë për një legjislacion më të favorshëm për shoqërinë civile. Gjithashtu do të promovojë përfshirjen e shoqërisë civile në procesin e Para-Aderimit, duke u përfshirë në formulimin, zbatimin dhe monitorimin e strategjive sektoriale për asistencën financiare të BE-së, e cila do të fuqizohet sipas IPA II.

Asistenca financiare e Komisionit Evropian do të përdorë një kombinim të përshtatshëm të instrumenteve të financimit për t’ju përgjigjur tipeve të ndryshme të OSHC-ve, nevojave dhe konteksteve të vendeve të ndryshme në mënyrë fleksibël, transparente, me kosto efektive dhe të fokusuar në rezultate e cila konsideron dhe barrën administrative të Komisionit. Kjo do të përfshijë: synimin për kontrata afatgjata, duke pasur parasysh se ngritja e kapaciteteve dhe puna avokuese kërkon kohë dhe burime; duke iu larguar kështu mbështetjes përmes financimit me projekte drejt një qasjeje më fleksibël që nxit partneritetet dhe krijimin e koalicioneve, dhe duke bërë më shumë për të mbështetur organizatat e reja, përmes skemës së granteve të vogla dhe mekanizmave mbështetës fleksibël për t'ju përgjigjur nevojave të tyre imediate. Partnerët socialë luajnë një rol të rëndësishëm në promovimin e të drejtës së bashkimit dhe gjithashtu duhet të mbështeten për të përmirësuar veprimtarinë e tyre. Perspektiva e partnerëve socialë dhe shoqatave profesionale dhe të biznesit, duhet të reflektohet në punën e Komisionit, dhe partneritetet ndërmjet këtyre organizatave, veçanërisht nga rajonet e pafavorizuara, dhe homologët e tyre në BE duhet të fuqizohen. Shoqëria civile do të mbështetet nga programet sektoriale me masa që forcojnë rolin dhe kapacitetet e tyre për të qenë aktivë në formulimin dhe zbatimin e strategjive sektoriale për mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.

Me ecjen përpara të vendeve të zgjerimit drejt pranimit në BE, Komisioni do të mbështesë OSHC-të për të qenë më pak të varura nga fondet e donatorëve ndërkombëtarë, përfshirë këtu fondet nga Bashkimi Evropian.

Komisioni do të zhvillojë një seri objektivash, rezultatesh dhe indikatorësh për mbështetjen e shoqërisë civile e cila do të lejojë matjen e progresit në shkallë vendi si dhe në të gjithë rajonin e zgjerimit, duke u nisur edhe nga prespektiva gjinore. Sistemi i monitorimit dhe i vlerësimit do të përfshijë një takim rajonal vjetor me pjesëmarrjen e OSHC-ve për të analizuar situatën dhe avancimin drejt objektivave. Duke u nisur nga fakti që kjo analizë mund të shërbejë si material për progres raportet vjetore, ky sistem do të shoqërohet edhe me tryeza politike.