BE dhe Shëndetësia

Shëndetësia

Integrimi në Bashkimin Evropian është një nga objektivat strategjike të Qeverisë Shqiptare. Një ndër pikësynimet kryesore, mbetet zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe përmbushja e kritereve te Kopenhagenit, si kusht për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst, në të gjitha fushat janë shënuar arritje të rëndësishme të cilat e kanë afruar gjithnjë e më shumë Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ministria e Integrimit është fokusuar në përmirësimin e kuadrit ligjor dhe institucional, në përputhje me kriteret e anëtarësimit dhe rekomandimet e Bashkimit Evropian, duke luajtur rolin kryesor në drejtimin, koordinimin dhe monitorimin e procesit të integrimit evropian, si dhe ka siguruar udhëheqjen metodologjike të tij, duke drejtuar dhe udhëzuar ministritë e linjës dhe institucionet qendrore në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit.

Sikurse në të gjitha fushat, ashtu edhe në atë të shëndetësisë, janë shënuar arritje të qenësishme. Reformat në sektorin e shëndetësisë gjatë viteve te fundit janë fokusuar në drejtim të:

(i)përmirësimit të kuadrit rregullator në sistemin shëndetësor;

(ii)rritjes së efikasitetit financiar;

(iii)përmirësimit të cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe

(iv)rritjes së aksesit të popullatës në shërbimet shëndetësore.

Gjithashtu janë marrë disa masa në drejtim të përmirësimit të legjislacionit dhe vendosjes së standardeve. Është miratuar ligji për shërbimet shëndetësore dhe ligji për kujdesin Shëndetësor Publik, janë hartuar dhe zhvilluar standardet për institucionet spitalore, standardet e Kujdesit Parësor dhe standardet përkatëse për Shërbimin Stomatologjik, Laboratorik dhe Farmaceutik, si dhe janë marrë disa masa që lidhen me hartimin e standardeve të menaxhimit të QSH, Udhëzuesve dhe Praktikave Klinike e Protokolleve Klinike. Në këtë kontekst është ndërtuar kuadri rregullator për akreditimin e detyrueshëm të të gjithë institucioneve shëndetësore publike apo private, vendore apo të huaja që operojnë në Shqipëri, bazuar në standarde të miratuara të akreditimit të shërbimeve shëndetësore.

Vëmendje i është kushtuar rritjes së qëndrueshmërisë së financimit dhe përmirësimit të menaxhimit të sistemit shëndetësor. Ligji 82 “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor” vendosi zbatimin e skemës së sigurimeve të detyrueshme të kujdesit shëndetësor, duke e shtrirë skemën e sigurimeve të kujdesit shëndetësor edhe në shërbimin shëndetësor privat. Në fokus ka qenë forcimi i sistemit të financimit të shërbimeve shëndetësore spitalore, nëpërmjet kalimit nga një sistem i centralizuar në një menaxhim dhe administrim më efikas dhe praktik, bazuar në skemën e organizimit rajonal. Vendosja dhe respektimi i sistemit të referencës ka ndikuar pozitivisht në përmirësimin e performancës së sistemit shëndetësor, duke rritur numrin e pacientëve të siguruar.

Vërehet përmirësim i infrastrukturës fizike dhe teknologjisë mjekësore të institucioneve spitalore, së bashku me forcimin e kapaciteteve të burimeve njerëzore. Financimi i sektorit të shëndetësisë ka ardhur gjithmonë në rritje. Gjatë viteve të fundit janë kryer investime të rëndësishme për përmirësimin e infrastrukturës spitalore, në disa rrethe si ndërtimi i spitalit të ri në Kavajë, bllok spitalor në Tiranë, Qendra e Neurokirurgjisë në QSUT, Elbasan, spitali psikiatrik në Shkodër. Mjaft pajisje të teknologjisë mjekësore të fjalës së fundit janë në shërbim të qytetarëve në të gjithë qarqet. Është realizuar pajisja dhe modernizimi i shumë shërbimeve të urgjencës në të gjithë vendin.

Zhvillimi i kujdesshëm i iniciativës private ka nxitur cilësinë, efikasitetin dhe përgjigjen dinamike ndaj një sërë sfidash aktuale, që strukturat publike, të vetme, nuk mund t’i kapërcejnë. Hyrja e një koncepti të ri në riorganizimin e strukturave publike dhe private, si komplementare të njëra tjetrës, sipas disa kushteve të qarta rregullatore, të përcaktuara mirë për funksionimin e tyre, kanë rritur konkurrencën dhe si rrjedhojë, kanë përmirësuar cilësinë e shërbimeve në sektorin publik. Një sërë shërbimesh, si ai i ushqimit dhe hotelerisë, menaxhimit të mbetjeve spitalore, shërbimit të sigurisë, ofrohen tashmë në shumë spitale nga sektori privat.

Aksesi i popullatës në shërbimin shëndetësor është përmirësuar përmes ofrimit falas të një sërë shërbimësh shëndetësore. Rol në mirëfunksionimin e sistemit të kujdesit shëndetësor ka luajtur sanksionimi, zgjerimi dhe forcimi i shërbimeve bazë të shëndetit publik të shërbimeve shëndetësore esenciale: zgjerimi i kalendarit të imunizimit; mbështetja e planifikimit familjar pa pagesë; kujdesi për fëmijën; kujdesi për gruan shtatzanë; promocioni shëndetësor; depistimi; mbikëqyrja si dhe parandalimi i HIV/AIDS dhe TB; hetimi epidemiologjik, etj. Rëndësi e vecantë i është kushtuar monitorimit të faktorëve të lidhur me mjedisin dhe ushqyerjen në përputhje me kërkesat e Rregullores Ndërkombëtare të Shëndetit.

Si rezultat i reformave të ndërmarra për parandalimin, investimeve të kryera në teknologji dhe rritje kapacitetesh, treguesit në sektorin e shëndetësisë janë përmirësuar ndjeshëm duke e radhitur në disa raste Shqipërinë në nivelin e vendeve të zhvilluara.

Për periudhën në vazhdim janë identifikuar një sërë sfidash, të cilat duhen adresuar dhe që kanë si pikësynim zbatimin e duhur të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe zbatimin e plotë të rekomandimeve të Komisionit Evropian, për avancimin e mëtejshëm në rrugën drejt integrimit në BE dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Orientimi i politikave në sektorin e shëndetësisë edhe për vitet në vijim do të synojë konsolidimin e aplikimit të sistemit të referimit, përmirësimin dhe rritjen e efektshmërisë së financimit mbi bazë performancës, ngritjen dhe mbajtjen e një sistemi unik të informacionit shëndetësor, zhvillimin mekanizmave të reja e të qëndrueshme të aktiviteteve të edukimit në vazhdim, konsolidimin e sistemit të farmakovigjilencës për të siguruar barna të sigurta dhe cilësore për popullatën.