BE dhe Arsimi

Arsimi

Aspirata e Shqipërisë për të qenë pjesë e familjes evropiane bazohet mbi përafrimin në tërësi të  Standarteve evropiane, sikurse pasqyruar në nenet e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (hyrë në fuqi më 1 prill 2009). Një nga aspektet më të rëndësishme të standarteve evropiane është edhe arsimi.

Reformimi i sistemit arsimor prej kohësh ka pasur një rëndësi të madhe në rritjen e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit. Qëllimi kryesor ka qenë dhe do të jetë garantimi i një sistemi arsimor kombëtar modern, i cili nxit zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, rrit konkurrueshmërinë në rajon e më gjerë dhe konsolidon ndërgjegjen qytetare.

Ndër vite janë  hartuar politika të rëndësishme për përmirësimin e kuadrit ligjor në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian në fushën e arsimit duke synuar rritjen e cilësisë. Për këtë është krijuar infrastruktura institucionale, përkatësisht  5 institucione[1] të ristrukturuara dhe të modernizuara (3 prej të cilave tërësisht të reja). Gjithashtu,  në rritjen e Transparencës në procesin e vendimmarrjes është rritur pjesëmarrja e grupeve të interesit, dhe mbështetja me konsulencë teknike dhe burime financiare edhe nga organizma ndërkombëtare.

Për herë të parë  u zbatua një strukturë e re e arsimit parauniversitar. Në strukturën e rishikuar (5+4)+3, arsimi i detyrueshëm (falas) u zgjat në 9 vjet (nga 8 vjet që ka qenë me parë 4+4). Zbatimi i strukturës së mësipërme afroi sistemin arsimor shqiptar me atë të shumicës së vendeve të tjera të Ballkanit, të BE dhe të vendeve të OECD. Gjithashtu është hartuar në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit të Republikës së Kosovës, Abetarja e përbashkët që përdoret sot në shkollat e Shqipërisë dhe Kosovës

Duke filluar nga viti 2006 e në vazhdim, për maturën shqiptare aplikohet një standart kombëtar i vlerësimit të nxënësve, me qëllim rritjen e cilësisë të arsimit të mesëm, transparencës dhe shmangien e korrupsionit në  pranimet në universitet. Diploma e Maturës Shtetërore dhe suplimenti i ofruar në dy gjuhë (anglisht dhe shqip) është pasaporta e parë arsimore që lehtëson mobilitetin e studentëve.
Me prioritet është parë rritja e peshës të arsimit profesional në arsimin e mesëm.. Gjatë 4 viteve të fundit është rritur ndjeshëm numri i nxënësve që ndjekin arsimin profesional, dhe në vitin 2006 u krijua Agjencia e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve, qendër e rëndësishme në zhvillimin e arsimit dhe formimit profesional në vendin tonë. Paketa e bursave për nxënësit (ku vetëm për vitin 2012-13 ishin rreth 1 800 bursa), kanë rritur ndjeshëm interesimin e tyre duke tërhequr më shumë nxënës nga zonat e thella në profilet e teknologjisë së  informacionit, bujqësi, turizëm, hoteleri, agropërpunim, shërbime, etj.

 

Por, reforma më e rëndësishme mbetet ajo e arsimit të lartë, ku është realizuar përafrimi me Sistemin e Bolonjës (3+2). sipas së cilit përmirësohet ndjeshëm niveli arsimor në Shqipëri. E lidhur ngushtë edhe me liberalizimin e arsimit të lartë, numri i studentëve është rritur e zgjeruar rreth 3 herë në 8 vjet dhe ka arritur, në raport me popullsinë, përmasat që janë karakteristike për vendet e zhvilluara.

Zhvillimi i arsimit të lartë privat ka luajtur një rol të rëndësishëm jo vetëm në rritjen e ndjeshme të pjesëmarrjes por edhe në mobilizimin e burimeve financiare dhe njerëzore. Rreth 19 % e numrit total të studentëve studiojnë në shkollat e larta private.

Për herë të parë, në Republikën e Shqipërisë, u realizua sipas standardeve ndërkombëtare, provimi i shtetit krejtësisht i dixhitalizuar (Computer based) për profesionet e rregulluara në funksion të rritjes së nivelit të përgatitjes së specialistëve të rinj në institucionet e arsimit të lartë.

Sistemi i sigurimit të cilësisë dhe akreditimit është zhvilluar dhe përmirësuar më tej duke përfshirë dhe ekspertizën ndërkombëtare në Këshillin e Akredititmit dhe në Agjencinë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, në procesin e anëtarësimit të plotë të këtij institucioni në rrjetin evropian të agjencive të akreditimit (ENQA).

 

Ndër sfidat më kryesore në fushën e arsimit, në  të ardhmen mbeten:

  • Sigurimi i një sistemi arsimor efektiv në përmbushje të kërkesave të ekonomisë tregut;
  • Rritja e nivelit të autonomisë institucionale;
  • Integrim më i mirë i mësimdhënies me punën kërkimore;
  • Përmirësimi i skemës së financimit .

 


[1] i)Agjencia Kombëtare e Provimeve (v. 2010) ku përfshihen njësitë e Maturës Shtetërore; të Pranimeve në Arsimin e Lartë dhe ajo e Provimit të shtetit, ii) Agjencia e Arsimit, Formimit profesional dhe kualifikimeve (v. 2006); iii)  Inspektoriati Kombëtar i Arsimit Parauniversitar (v. 2010); iv) Agjencia e Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit (v.2009); v) Qendra e Rrjetit Telematik të Arsimit të Lartë (v. 2010).