Përafrimi i Legjislacionit

Përafrimi i Legjislacionit

Vendet që aspirojnë të bëhen pjesë e familjes së madhe evropiane duhet të përafrojnë kuadrin e tyre ligjor me legjislacionin Evropian. Detyrimi dhe angazhimi për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë evropian, sanksionohet në nenin 70 të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Sipas këtij neni Shqipëria do të përpiqet të sigurojë që ligjet e saj ekzistuese dhe legjislacioni i ardhshëm të shkojë gradualisht drejt përputhjes me legjislacionin evropian por njëkohësisht duhet të sigurojë që legjislacioni ekzistues dhe i ardhshëm të zbatohet dhe imponohet si duhet.

Procesi i përafrimit të legjislacionit, përgjithësisht duhet kuptuar si më poshtë:

  • Në kuptimin e gjerë juridik, do të thotë së pari transpozim i dispozitave të legjislacionit evropian në legjislacionin kombëtar, së dyti zbatimin në praktike të këtyre dispozitave të këtij legjislacioni nga autoritetet kombëtare publike kompetente si dhe së treti garantimi i zbatimit në praktikë i këtij legjislacioni nëpërmjet gjykatës apo dhe agjencive të tjera zbatuese ligjore.
  • Në terma praktike, është një nga treguesit e progresit të vendit drejt Integrimit Evropian dhe përafrimi është sasia dhe cilësia e akteve ligjore kombëtare që transponojnë dispozita të legjislacionit evropian, si dhe prova për zbatimin efektiv të tyre në praktikë.

Ky përafrim legjislacioni për Shqipërinë ka filluar që me nënshkrimin e MSA-së dhe do të realizohet në dy faza tranzitore. Gjatë fazës së parë të periudhës tranzitore prej dhjetë vjetësh, përafrimi i legjislacionit do të mbulojë disa elementë themelorë të acquis-ë në fushën e tregut të përbashkët dhe në disa fusha të tjera që kanë të bëjnë me tregtinë. Faza e parë do të mbulojë përafrimin e legjislacionit në fushat lidhur me konkurrencën, me pronësinë intelektuale, me prokurimet publike, me standartizimin dhe çertifikimin e produkteve. Faza e dytë e periudhës së tranzicionit do të mbulojë fushat e tjera, të cilat nuk përfshihen në fazën e parë.

Përveç MSA, procesi i përfarimit të legjislacionit në Shqipëri realizohet duke u bazuar në aktet nënligjore të mëposhtme:

  • Vendim i Këshillit të Ministrave nr. 486, date 25.07.2012 mbi miratimin e Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-s (2012-2015) dhe përcaktimin e përgjegjësive institucionale për përafrimin në legjislacionin shqiptar të çdo akti të Bashkimit Evropian (i cili përditësohet çdo vit);
  • Vendim nr 201 datë 29.3.2006 për disa ndryshime dhe shtesa në Vendimin nr. 584, datë 28.8.2003 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e Rregullores së Këshillit të Ministrave”;
  • Vendim nr.4 data 7.1.2009 një shtesë në Vendimin nr.584, datë 28.8.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Rregullores së Këshillit të Ministrave”, të ndryshuar.