Tregu i Pasurive të Paluajtshme

Regjistrimi Fillestar

Në kuadër të respektimit dhe garantimit të të drejtave të pronës, Qeveria shqiptare është angazhuar për të plotësuar dhe konsoliduar sistemin e të drejtave të pronësisë në tërësi, të pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme në veçanti, ku toka bujqësore zë një komponente me rëndësi. Konsolidimi i së drejtës së pronësisë dhe garantimi i saj lidhet ngushte me konsolidimin e shtetit demokratik në tërësi. Reforma e tokës (transformimi i të drejtës së pronësisë), garantimi i titujve të ligjshëm të pronësisë është një premisë e zhvillimit të tregut të tokës. Dinamizmi i tregut të tokës kondicionohet jo vetëm nga transaksionet ndërmjet shtetasve shqiptare, por edhe të këtyre te fundit me shtetas të vendeve Anëtare të Bashkimit Europian. Rregullimi i legjislacionit për t'iu siguruar trajtim të njëjtë shtetasve të BE-së është parashikuar si objekt i neneve 50 dhe 61 të MSA-së. Gjithashtu, Qeveria shqiptare është e angazhuar të përshpejtojë ritmet e proçesit të regjistrimit fillestar të pasurisë së paluajtshme, në zonat rurale dhe urbane, në një kohë sa më të shpejtë.

Politika e ZRPP konsiston në ofrimin e një shërbimi të shpejtë ndaj qytetarëve dhe institucioneve shqiptare në lidhje me regjistrimin e të drejtave mbi të gjitha pasuritë e paluajtshme në të gjithë territorin e Shqipërisë, si dhe për dhënien e informacionit mbi këto pasuri, nëpërmjet një sistemi regjistrimi të pasurive të paluajtshme efikas, bashkëkohor, që siguron informacion të qartë, të saktë, të përditësuar, të sigurt, transparent mbi te gjitha pasuritë e paluajtshme në Shqipëri. Qëllimi kryesor i Politikës së Institucionit konsiston në garantimin e titujve të pronësisë mbi të gjithë pasuritë e paluajtshme në të gjithë Shqipërinë si pjesë përbërëse e angazhimeve dhe detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

 

 

Kthimi dhe Kompensimi i Pronave

 

Një objektiv kryesor i Qeverisë shqiptare në fushën e kthimit dhe kompensimit të pronës është përmbyllja me sukses dhe me shpejtësi e procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave ish pronarëve të cilëve i është mohuar kjo e drejtë sipas akteve ligjore, nënligjore, vendimeve penale te gjykatave ose te marre me çdo mënyrë tjetër te padrejte nga shteti nga data 29.11.1944. Në këtë mënyrë synohet një rregullim i drejte, sipas kritereve te nenit 41 te Kushtetutës, te çështjeve te se drejtës se pronësisë qe kane lindur nga shpronësimet, shtetëzimet ose konfiskimet.

Qeveria shqiptare është e angazhuar në përmbushjen me sukses e të drejtës së kompensimit subjekteve të shpronësuara prona e të cilëve është njohur për kompensim me vendim. Kjo përmbushje do të realizohet sipas formave të përcaktuara në nenin 11, të ligjit nr. 9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës, i ndryshuar i cili aktualisht është në proces rishikimi në lidhje me shtyrjen e afatit për trajtimin e kërkesave të subjekteve të shpronësuar, për njohjen kthimin apo kompensimin e pronës. Kjo masë e nevojshme u ndërmor për shkak të mjaft kërksave të depozituara të cilat ende nuk janë trajtuar me një vendim përfundimtar.