Shkenca dhe kërkimi shkencor

Acquis në këtë fushë koordinon aktivitetin shkencor dhe kërkues ndërmjet shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, duke zhvilluar dhe mbështetur njëkohësisht nga fondet komunitare edhe programe të kërkimit shkencor, shkëmbimit të kërkuesve dhe përhapjes së njohurive shkencore.

Marrëdhëniet e Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, në këtë fushë, rregullohen nga Neni 54 dhe 109 të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Në tërësi, objektivi i Qeverisë shqiptare është zhvillimi i veprimtarisë shkencore dhe investimet në kërkimin shkencor për të mbështetur zhvillimin ekonomik të vendit, promovimi i ekselencës (kapitalit njerëzor dhe qendrave ekselente kërkimore) në vend dhe transferimi i dijeve dhe teknologjive moderne në laboratorët mësimorë të universiteteve me qëllim aplikimin e shkencës në funksion të përmirësimit të cilësisë së jetës.

Fokusi kryesor i qeverisë në fushën e kërkimit shkencor për periudhën afatgjatë është inkurajimi i bashkëpunimit në kërkimet civile shkencore dhe zhvillimin e veprimtarisë kërkimore shkencore në përputhje me prioritetet kombëtare të zhvillimit të vendit, si dhe ato evropiane e botërore. Ky bashkëpunim mendohet të bëhet mbi bazën e përfitimit të ndërsjellët, hyrjes në programet përkatëse, si dhe nxitjes së vendeve të përfshira në procesin e Stabilizim-Asociimit për shkëmbim përvojash në kuadër të zhvillimit të arsimit, zhvillimit social dhe kulturës.

Financimi në shkencë i Qeverisë shqiptare ka lehtësuar zgjerimin e bashkëpunimit të universiteteve me biznesin privat në Programet Kombëtare të Kërkimit dhe Zhvillimit, ka mundësuar pjesëmarrjen e Shqipërisë në programet dypalëshe me partnerë të huaj, në programet komunitare si Programi i Shtatë Kuadër (FP7), Erasmus Mundus, dhe Tempus, si dhe ka mbështetur vazhdimësinë e programit Brain Gain si një promotor i tërheqjes së trurit (kapitali njerëzor i formuar jashtë vendit) dhe vazhdimësinë e Fondit të Ekselencës.

Aktet ligjore kryesore në këtë fushë janë Ligji Nr. 7893, datë 22.12.1994 “Për shkencën dhe zhvillimin teknologjik” dhe Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 863, datë 29.7.2009 “Për Strategjinë Kombëtare të Kërkimit, Zhvillimit Teknologjik dhe Inovacionit”.

Institucionet kryesore që koordinojnë aktivitetin në fushën e kërkimit shkencor janë Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Agjencia e Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit (AKTI).