Rrjetet trans-europiane

Objektiv kryesor i Qeverisë Shqiptare për infrastrukturën rrugore është zhvillimi i përshpejtuar dhe rehabilitimi i rrjetit të përshtatshëm rrugor kombëtar, që ndihmon në realizimin e një transporti që mbështet dhe inkurajon zhvillimin e ekonomisë dhe plotësimin e kërkesave të transportit Evropian. Në mbështetje të nenit 106 të MSA-së dhe neneve 4 e 5 të Protokollit 5, të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI), P.K.T (të rishikuar) dhe të Strategjisë Sektoriale, synohet krijimi i një rrjeti transporti pa bllokime e ndërprerje, zvogëlimi i hendekut midis tendencës gjithmonë në rritje të mjeteve motorike dhe ritmeve të zhvillimit të rrjetit rrugor, si dhe zhvillimi i transportit të qëndrueshëm. Qeveria Shqiptare ka përcaktuar si prioritet për zhvillimin dhe finalizimin e rrjetit bazë rrugor (SEETO Comprehensive Network), kompletimin e Korridorit Lindje–Perëndim (Korridori VIII-të) që përfshin aksin ndërkombëtar Juglindor; kompletimin e aksit Veri–Jug që lejon lidhjen nëpërmjet territorit shqiptar të Greqisë me Malin e Zi; zhvillimin e Boshtit Qendror-Jugor; të rrugës Durrës–Morinë që siguron lidhjen me Kosovën dhe Korridorin X; si dhe zhvillimin e rrugës së Arbrit si degëzim i Korridorit VIII-të dhe lidhje më e shkurtër midis Shkupit dhe Tiranës. Gjithashtu, prioritet mbetet përmirësimi i sistemit të administrimit dhe të efikasitetit të mirëmbajtjes së rrjetit rrugor me zbatimin e sistemit të menaxhimit të aseteve rrugore, aktualisht ndonëse është bëre një punë e mirë në krijimin e aseteve rrugore është bërë pak në ruajtjen e tyre. Realizimi i prioriteteve të sipërpërmendura do të ketë si qëllim përfundimtar, zhvillimin e një infrastrukture rrugore brenda territorit shtetëror që ndihmon për krijimin e një hapësire unike ekonomike, të integruar në rrjetin rajonal dhe panevropian me synim arritjen e standardeve të lejueshme të BE-së.

 

Rrjetet trans-europiane të energjisë

Objektivat strategjik të Qeverisë Shqiptare në fushën e rrjeteve e trans-evropiane të energjisë kanë si synim realizimin e objektivave bazë të Strategjisë Sektoriale të Energjisë, të cilat kanë për qëllim rritjen e sigurisë së furnizimit të vendit me burime energjetike nëpërmjet diversifikimit të burimeve të furnizimit me energji dhe integrimit të rrjeteve të transportit të energjisë në kuadër rajonal dhe Evropian, duke respektuar dhe plotësuar njëkohësisht edhe kërkesat dhe detyrimet sipas legjislacionit dhe standardeve përkatëse Evropiane.