Mbrojtja e konsumatorëve dhe shëndeti publik

Mbrojtja e konsumatorëve

Objektivi strategjik në fushën e mbrojtjes së konsumatorëve është krijimi i kushteve për funksionimin e sistemit institucional në drejtim të garantimit të sigurisë së produkteve të konsumatorëve dhe mbrojtjes së interesave ekonomike e të drejtave të tjera të konsumatorëve. Ky objektiv do të realizohet nëpërmjet përafrimit në mënyre graduale të legjislacionit shqiptar dhe të praktikave më të mira me ato evropiane, si dhe forcimit të kapaciteteve institucionale. Këto detyrimet janë të parashikuara në nenin 70 dhe 76 të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, ku permendim përafrimin e standardeve për mbrojtjen e konsumatorit në Shqipëri me standardet e Bashkimit Evropian, politikë për mbrojtjen aktive të konsumatorëve, mbrojtje ligjore efektive për konsumatorët për përmirësimin e cilësisë së mallrave dhe mbajtjes së standardeve të duhura të sigurisë etj.

Kjo fushë funksionon në bazë të ligjit nr. 10444, datë 14.07.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9902, dt. 17.4.2008 “Për Mbrojtjen e Konsumatorëve”, i cili përcakton kuadrin institucional që siguron zbatimin e detyrimeve për mbrojtjen e konsumatorëve, duke shënuar një hap të rëndësishëm jo vetëm në drejtim të procesit të harmonizimit të legjislacionit shqiptar me atë evropian, por dhe në drejtim të zgjidhjeve rregulluese duke siguruar zbatueshmërinë e tij, sipas modeleve të eksperiencave më te mira. Në këtë drejtim, janë ngritur dhe funksionojne struktura zbatuese si Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorëve apo struktura konsultative si Këshilli Bashkërendues i Mbrojtjes së Konsumatorëve.

 

Shëndeti   publik

 

Sigurimi dhe përmirësimi i vazhdueshëm i kujdesit shëndetësor për popullatën është objektiv madhor i qeverisë shqiptare. Për arritjen e këtij objektivi, prioritetet afatshkurtra dhe afatmesme do të fokusohen në ruajtjen dhe përmirësimin e shëndetit publik duke iu përshtatur ndryshimeve ekonomike, shoqërore dhe epidemiologjike të vendit; rishikimin dhe përmirësimin e legjislacionit lidhur me mbikëqyrjen, jo vetëm të situatave të sëmundjeve ngjitëse por edhe sëmundjeve jo të komunikueshme si dhe inspektimit sanitar duke i adoptuar ato sipas standardeve të BE-së. Aktivitetet të cilat duhet të plotësojnë dhe mbështetin politikat kombëtare, do të orientohen drejt përmirësimit të shëndetit publik, parandalimit të sëmundjeve dhe shmangies së burimeve të rrezikut ndaj shëndetit. Aktivitete të tilla do të mbulojnë luftën kundër plagëve më të mëdha të shëndetit, duke promovuar kërkimet për shkaqet e tyre, transmetimin dhe parandalimin e tyre, si dhe informacionin dhe edukimin shëndetësor.