Punësimi dhe politikat sociale

Acquis e Bashkimit Evropian bazohet në parimin se Bashkimi mbështet dhe plotëson aktivitetet e shteteve anëtare në fushën e politikave sociale. Acquis përcakton kriteret minimale në fusha të tilla si e drejta e punës, barazia gjinore në punësim, siguria sociale, shëndeti dhe siguria në punë, etj. Rregulla të veçanta janë miratuar edhe në lidhje me eliminimin e diskriminimit mbi baza gjinore, raciale ose etnike, besimit fetar, moshës ose orientimit seksual.

Detyrimet dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian në këtë fushë përcaktohen nga Nenet 46, 47, 48, 77 dhe 99 të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Institucioni kryesor që bashkërendon punën në këtë sektor dhe është i ngarkuar me përafrimin e legjislacionit është Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

 

Legjislacioni i punës

Pikësynimi në këtë fushë është përafrimi i legjislacionit shqiptar të punës me direktivat e BE dhe standardet ndërkombëtare të punës, me qëllim vendosjen e balancave të drejta midis punëmarrësve dhe punëdhënësve, midis eficencës ekonomike dhe mirëqenies së popullsisë.

Aktet kryesore ligjore që rregullojnë marrëdhëniet e punës në Shqipëri janë Ligji Nr. 7961, datë 12.7.1995 “Kodi i Punës së Republikës së Shqipërisë” (i ndryshuar), dhe Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 730, datë 6.11.2003 “Për funksionimin e Këshillit Kombëtar të Punës dhe caktimin e përfaqësuesve të Këshillit të Ministrave në këtë Këshill”.

Ndër iniciativat kryesore në këtë fushë janë përmirësimi i Kodit të Punës, përcaktimi i kritereve të përfaqësimit në Këshillin Kombëtar të Punës, dhe plotësimi dhe zbatimi i kuadrit ligjor në fushën e kontratave kolektive të punës.

 

Shëndeti dhe siguria në punë

Objektivi i Qeverisë shqiptare në fushën e sigurisë dhe shëndeti në punë për periudhën afatshkurtër dhe afatmesme është nxitja e zbatueshmërisë së legjislacionit të punës, lidhur me sigurimin dhe mbrojtjen e integruar fizike, mendore dhe sociale të punonjësve, nëpërmjet përmirësimit dhe harmonizimit të legjislacionit shqiptar me atë të komunitetit evropian.

Akti ligjor kryesor në këtë fushë është Ligji Nr. 10237, datë 18.2.2010 “Për sigurinë dhe shëndetin në punë” ka për objekt përcaktimin e masave, që synojnë garantimin e sigurisë dhe shëndetit në punë të punëmarrësve. Për përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit shqiptar me acquis e Bashkimit Evropian është hartuar një plan pune i veçantë, në të cilin është bërë ndarja e detyrave ndërmjet ministrive të linjës dhe janë përcaktuar afate konkrete për hartimin dhe miratimin e vendimeve të Këshillit të Ministrave.

Inspektorati Shtetëror i Punës është autoriteti më i lartë ekzekutiv i politikave të inspektimit mbi shëndetin dhe sigurinë në punë dhe përgjigjet para Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

 

Dialogu social

Objektivi në fushën e dialogut social është inkurajimi i dialogut social për të kontribuar në përmirësimin e qeverisjes dhe në performancën ekonomike. Harmonizimi në mënyrë progresive i legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian në fushën e dialogut social është një objektiv tjetër i rëndësishëm i qeverisë, sikurse është parashikuar në Nenin 70 të MSA.

Aktet kryesore ligjore që rregullojnë marrëdhëniet e punës në Shqipëri janë Ligji Nr. 7961, datë 12.7.1995 “Kodi i Punës së Republikës së Shqipërisë” (i ndryshuar), dhe Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 730, datë 6.11.2003 “Për funksionimin e Këshillit Kombëtar të Punës dhe caktimin e përfaqësuesve të Këshillit të Ministrave në këtë Këshill”.

Ndër iniciativat kryesore në këtë fushë janë përmirësimi i Kodit të Punës, përcaktimi i kritereve të përfaqësimit në Këshillin Kombëtar të Punës, dhe plotësimi dhe zbatimi i kuadrit ligjor në fushën e kontratave kolektive të punës.

 

Punësimi

Objektivi kryesor në fushën e punësimit është përafrimi i legjislacionit shqiptar me acquis e Bashkimit Evropian, zhvillimi i mëtejshëm i politikave të punësimit, hartimi dhe zbatimi i programeve të punësimit, përshtatja e legjislacionit shqiptar për sa u përket kushteve të punës dhe mundësive të barabarta për gratë si dhe ngritja e nivelit të arsimit të përgjithshëm dhe trajnimit profesional në Shqipëri. (Neni 99 i MSA-së).

Për këtë qëllim është hartuar dhe është në zbatim Strategjia sektoriale e punësimit dhe formimit profesional që synon të vendosë bazat për përmirësimin e sistemit të shërbimeve të punësimit dhe formimit profesional, dhe zbatimit të programeve aktive dhe pasive të punësimit.

Për të pёrmirёsuar situatën e tregut të punës nga ana e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta ofrohen shërbimet e punësimit si dhe harton programet e nxitjes së punësimit, të cilat zbatohen nga ana e Shërbimit Kombëtar të Punësimit nëpërmjet rrjetit të zyrave rajonale dhe vendore të punësimit. Pjesë e këtyre politikave janë edhe aktivitetet e realizuara nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në zbatim të Strategjisë për rininë, që konsistojnë në nxitjen e punësimit tek të rinjtë. Programet e nxitjes së punësimit janë programe aktive shtetërore të cilat veprojnë drejtpërsëdrejti në grupin e punëkërkuesve të papunë për t’i nxitur ata në gjetjen e një punësimi afatgjatë. Këto programe së bashku me programin e ndërmjetësimit në punë ndikojnë realisht në uljen e numrit të të papunëve të regjistruar si dhe largimin e tyre nga skemat pasive të mbështetjes me të ardhura (pagesa e papunësisë dhe ndihma ekonomike).

Aktet kryesore ligjor në këtë fushë janë Ligji Nr. 7995, datë 20.9.1995 “Për nxitjen e punësimit”, Ligji Nr. 8872, datë 29.3.2002 “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”, dhe Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 751, datë 7.11.2007 “Për miratimin e Strategjisë Sektoriale të punësimit dhe formimit profesional 2007 – 2013”.

 

Mbrojtja shoqërore 

Objektivi i Qeverisë së Integrimit Evropian është përafrimi i legjislacionit shqiptar me legjislacionit e Bashkimit Evropian, zbatimi i sistemit të mbrojtjes sociale dhe standardeve të miratuara, duke luftuar përjashtimin social dhe diskriminimin, në përputhje me Nenin 99 të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, bazuar në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të Drejtat e Fëmijëve, Kartën Sociale Evropiane (e rishikuar), dhe akte të tjera ndërkombëtare.

Pjesë e kësaj fushe është mbrojtja e minoritetit Rom, nëpërmjet zbatimit të Strategjisë Kombëtare për përmirësimin e kushteve të jetesës së minoritetit Rom, mbrojtja e të drejtave të fëmijëve, garantimi i zhvillimit të plotë fizik dhe psikik të tyre, garantimi dhe mbrojtja e të drejtave me aftësi të kufizuara dhe integrimit i tyre i plotë në jetën ekonomike, politike dhe sociale.

Një arritje në fushën e aftësisë së kufizuar ishte nënshkrimi i Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara në dhjetor 2009 nga Qeveria Shqiptare.

Aktet kryesore ligjore në këtë fushë janë Strategjia Ndërsektoriale e Përfshirjes Sociale (SNPS) e miratuar me VKM Nr. 218, datë 3.2.2008 (pjesë përbërëse e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim), Ligjit Nr. 10347, datë 4.11.2010 “Për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve” dhe Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 437, datë 8.4.2008 “Për anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në Deklaratën ‘Dekada e Përfshirjes së Romëve”.

 

Siguria sociale

Objektivi kryesor i Qeverisë në fushën e sigurimeve shoqërore është përmirësimi i skemës aktuale të mbrojtjes sociale, reformimi i shtyllës publike të pensioneve e forcimi i lidhjes midis kontributeve të paguara dhe përfitimeve të ardhshme, krijimi i llogarive personale të çdo kontribuuesi dhe përfituesi, arritja e transparencës maksimale, futja graduale e skemave të përfitimeve suplementare të menaxhuara nga subjekte jopublike, duke përgatitur skemën dhe sistemin për bashkëpunimin e saj me vendet e BE-së, në përputhje me Nenet 46, 47 dhe 99 të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Masat kryesore që do të ndërmerren në këtë drejtim synojnë rritjen e efektivitetit të përdorimit të fondeve të ndihmës ekonomike, rritjen e kompetencave të pushtetit vendor dhe shoqërisë civile në ofrimin e shërbimeve shoqërore në komunitet, forcimin e kapaciteteve institucionale të institucioneve të mbrojtjes sociale, zhvillimin e mëtejshëm të sistemit të pensioneve në përputhje me kushtet e reja ekonomike dhe sociale, etj.

Aktet kryesore ligjor në këtë fushë janë Ligji Nr. 9355, datë 10.3.2005 “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, Ligji Nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për Sigurimin Shoqëror në Republikën e Shqipërisë” dhe Ligji Nr. 7870, datë 13.10.1994 “Për sigurimet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”.

 

Anti-diskriminimi dhe shanset e barabarta

Fokusi kryesor i qeverisë në fushën e anti-diskriminimit dhe barazisë gjinore është harmonizimi në mënyrë progresive të legjislacionit shqiptar me atë komunitar në fushën e mundësive të barabarta, si dhe angazhimi për promovimin e parimeve të barazisë gjinore, forcimi i instrumenteve ligjorë dhe institucionalë mbrojtës për të siguruar politikat gjinore në të gjitha nivelet e qeverisjes, parandalimi i dhunës në familje, mbrojtja e viktimave dhe aksesi i tyre në skemat e mbrojtjes ligjore dhe psikosociale. Ky objektiv do të realizohet nëpërmjet zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore, Reduktimit të Dhunës me Bazë Gjinore dhe Dhunës në Familje 2011-2015.

Pjesë e mbrojtjes nga anti-diskriminimi është edhe mbrojtja e fëmijëve, të moshuarve dhe personave të komunitetit të lezbikeve, gejve, biseksualëve, transeksualëve (LGBT). Akti kryesor ligjor në këtë aspekt është Ligji Nr. 10221, datë 4.2.2010 “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, si një kontribut i shoqërisë civile i cili përafroi plotësisht legjislacionin e brendshëm me direktivat e BE-së.

Me miratimin e Ligjit Nr. 10221, datë 4.2.2011 “Për mbrojtjen nga diskriminimi” u sanksionua krijimi i institucionit të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Bazuar në këtë ligj, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi është i vetmi autoritet përgjegjës, që siguron mbrojtjen efektive nga diskriminimi dhe nga çdo formë sjelljeje që nxit diskriminimin.