Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes

Dialogu politik

Integrimi evropian i Shqipërisë konsiderohet objektiv strategjik, dhe garanci për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në rajon e më gjerë. Shqipëria mbështet fuqimisht politikën e jashtme të sigurisë dhe mbrojtjes së BE-së, e cila synon forcimin e rolit të Bashkimit Evropian si një entitet me influencë politike gjithnjë në rritje në politikën ndërkombëtare. Shqipëria, ka një dialog politik të ngushtë me Bashkimin Evropian dhe vendet anëtare të tij, dialog i cili me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), zhvillohet në kuadër të kësaj Marrëveshjeje në Këshillin e Stabilizim Asociimit dhe strukturave të tjera të përbashkëta. Objektivi strategjik i Shqipërisë është që përmes një angazhimi aktiv në të gjitha forumet dhe nismat rajonale të kontribuojë me qëndrimet parimore e të balancuara në trajtimin e çështjeve të ndryshme sensitive të rajonit. Nëpërmjet aktivitetit të saj në këto forume rajonale, Shqipëria synon që të nxisë zhvillimin ekonomik rajonal nëpërmjet projekteve të përbashkëta, në fusha të tilla si energjia dhe transporti. Shqipëria do të lobojë pa ndërprerje për përfaqësimin e Kosovës në nismat dhe organizatat rajonale duke kontribuar për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

 

Bashkëpunimi me organizatat ndërkombëtare

 

Shteti shqiptar synon forcimin e bashkëpunimit me organizatat ndërkombëtare, ku ajo është palë, dhe pjesëmarrjen aktive të saj në veprimtaritë e tyre në fushat që ato mbulojnë. Në këtë kuadër, qeveria shqiptare ka vullnet të plotë për të ndërmarrë të gjitha reformat e duhura në kuadër të procesit të integrimit evropian.

 

 

Kontrolli i armatimit

Objektivi strategjik i Qeverisë shqiptare është garantimi i sigurisë së qytetarëve dhe ruajtja e integriteti territorial të vendit tonë. Në këtë kuadër, rritja e rolit dhe e kontributit të Republikës së Shqipërisë në kuadrin e konventave dhe bashkëpunimit me organizatat ndërkombëtare aktive në fushën e Sigurisë për çështje që kanë të bëjnë me armkontrollin dhe çarmatimin, si dhe në kuadrin e organizatave rajonale të sigurisë është kontribues i drejtpërdrejtë në arritjen e këtij objektivi madhor.

 

Zbatimi i masave kufizuese dhe sanksionet ekonomike

Shqipëria mbështet fuqimisht politikën e jashtme, sigurisë dhe mbrojtjes së BE-së, e cila synon forcimin e rolit të Bashkimit Evropian në politikën ndërkombëtare. Në kuadër të procesit të anëtarësimit, Shqipëria përafron politikën e saj të jashtme me atë të Bashkimit Evropian. Shqipëria zbaton masa shtrënguese të ndërmarra nga BE drejt vendeve të treta. Të gjitha qëndrimet, të cilave vendi ynë u bashkohet, sipas Kushtetutës bëhen pjesë e legjislacionit të brendshëm dhe janë të zbatueshme për të gjitha institucionet.

 

Politika europiane e sigurise dhe mbrojtjes

 

Objektivi kryesor në këtë fushë është përafrimi i politikës së jashtme dhe sigurisë të Shqipërisë me atë të Bashkimit Evropian. Republika e Shqipërisë ka vullnet të plotë për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme institucionale dhe organizative për të qenë në gjendje, që me aderimin e saj në BE të marrë pjesë aktive dhe të plotë në CFSP/CSDP.

Duke iu referuar në veçanti dimensionit ushtarak, Republika e Shqipërisë i bashkohet përpjekjeve të BE-së për rritjen e kapaciteteve ushtarake dhe krijimin e një bashkëpunimi strukturor permanent në këtë fushë. Republika e Shqipërisë mbështet fuqimisht të gjitha politikat në fushën e CFSP/CSDP të identifikuara në strategjinë e Sigurisë Evropiane, të cilat përkojnë njëkohësisht dhe me objektivat e saj strategjikë të sigurisë.