Ndërmarrjet dhe politikat industriale

Sipas Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim një nga objektivat kryesore strategjike në sektorin e ekonomisë është rritja e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë, nëpërmjet zhvillimit dinamik të sipërmarrjes, nxitjes së investimeve, shfrytëzimit më të mirë të burimeve natyrore, njerëzore dhe financiare.

Bazuar në nenin 93 të MSA-së si dhe në prioritetet afatshkurtra në lidhje me politikat sektoriale për industrinë dhe SME-të të përcaktuara në Partneritetin Europian 2007, Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë një sërë reformash rregullatore ku ndër më të rëndësishmet është reforma rregullatore në fushën e biznesit. Kjo reformë ka si qellim përmirësimin e klimës për zhvillimin e biznesit, nëpërmjet reduktimit të barrierave administrative ndaj nismës së lirë në kryerjen e veprimtarive ekonomike, tregtare apo profesionale, ose përdorimin e të mirave publike, duke garantuar, njëkohësisht, mbrojtjen e interesit publik në ushtrimin e këtyre veprimtarive dhe në përdorimin e të mirave publike. Gjithashtu përmirësimi i klimës së biznesit edhe nëpërmjet zhvillimit të teknologjisë dhe inovacionit është një mënyrë për të mbështetur dhe përforcuar politikat e Qeverisë Shqiptare mbi rritjen e konkurueshmërisë së SME-ve, tërheqjen e investimeve të huaja në Shqipëri dhe nxitjen e eksporteve shqiptare në tregun rajonal dhe atë global.

 

Politikat Industriale

Objektivi kryesor i Qeverisë shqiptare në fushën e politikave industriale është stimulimi i programeve dhe projekteve që nxisin investimet në teknologji, në rritjen e konkurueshmërisë për modernizimin, diversifikimin dhe specializimin në tregjet e hapura. Përveç kësaj si objektiva specifike mbeten:

· Detyrimi që adresohet nga neni 70 i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) për përafrimin e kuadrit ligjor Shqiptar me atë të Komunitetit Evropian (KE) si dhe të rregullave të konkurueshmërisë.

· Neni 92 i MSA-së, Bashkëpunimi Industrial, ka si synim te nxisë modernizimin dhe ristrukturimin e Industrisë shqiptare dhe sektorëve të veçantë, ashtu si edhe bashkëpunimin industrial midis operatorëve ekonomikë, me synim forcimin e sektorit privat në kushte të cilat të sigurojnë mbrojtjen e mjedisit.

· Përfundimi i privatizimit të pronës publike të mbetur dhe reformimi dhe zhvillimi i industrisë prodhuese jo-ushqimore.

Gjithashtu në përputhje me programin e Qeverisë, përparësitë në sektorin e minierave janë zbatimi i objektivave të Strategjisë së Zhvillimit të Industrisë Minerare, përmirësimi i kuadrit ligjor si rezultat i përvojës së përfituar, anëtarësimi në iniciativën e Transparencës në Industrinë Nxjerrëse si dhe fillimi i zbatimit të principeve dhe kritereve të saj, monitorimi i marrëveshjeve të konçesionit në industrinë minerare, mbyllja e minierave, privatizimi i aseteve, likuidimi si dhe realizimi i studimeve me karakter kombëtar në lidhje me zhvillimin e sektorit, mbrojtja e mjedisit në zonat minerare. Sektori i minierave lidhet me nenin 70 të MSA-së i cili adreson detyrimin e përafrimit ligjor për këtë sektor.