Drejtësia, liria dhe siguria

Kufijtë e jashtëm

Menaxhimi dhe siguria në kufi, përbën një angazhim dhe është e shprehur dhe në misionin e Policisë Kufitare dhe Migracionit, si në raport me detyrimet ligjore, politike dhe sigurinë kombëtare brenda vendit, ashtu edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare veçanërisht në procesin e anëtarësimit në strukturat euroatlantike, për ndërtimin e besimit me shtetet fqinje dhe më gjerë, si dhe për të kontribuar në luftën kundër krimit të organizuar.

Menaxhimi efiçent i kufirit dhe siguria në kufi, janë të rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin. Për këtë arsye, Policia Kufitare dhe Migracionit është e angazhuar të punojë së bashku me organizatat homologe për të arritur, në shkallë rajonale, për realizimin në praktikë të parimit të kufijve të hapur, por në të njëjtën kohë të kontrolluar dhe të sigurt.

Do të forcohet kontrolli i kufijve për të parandaluar aktivitetet kriminale, si dhe çdo aktivitet tjetër që mund të vërë në rrezik sigurinë. Këto kontrolle do të synojnë të pengojnë kryerjen e aktivitete ilegale ndërkufitare, duke parandaluar ose duke zbuluar aktivitetet e tyre.

Lufta ndaj trafiqeve të të gjitha llojeve, imigracionit të paligjshëm, terrorizmit dhe krimit të organizuar, janë në fokusin e strukturave që merren me kontrollin e kufirit. Kontrolli i “dyerve” konsiderohet mjaft i dobishëm dhe efiçent për parandalimin e zhvillimit dhe përhapjes së krimit, ndëshkimin e kriminelëve dhe pakësimin e përfitimeve të tyre të paligjshme. Institucionet kombëtare (sidomos policia kufitare, doganat, autoritetet fito-sanitare, veterinare etj.) bashkëpunojnë dhe do të punojnë për forcimin dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, për t’i bërë pikat e kalimit të kufirit më efiçente, si për sa i përket flukseve të mallrave dhe personave, ashtu edhe për sa i përket kontrollit të aktiviteteve kriminale ndërkufitare. Forcimi i masave për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror bazohet në standardet e Katalogut Schengen. Gjithashtu bashkëpunimi në fushën e menaxhimit të kufijve ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe BE-së, është parashikuar në Nenin 80 të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

 

Migracioni

Fokusi kryesor i qeverisë në fushën e migrimit është menaxhimi i dukurisë migratore për ta vënë këtë dukuri në shërbim të zhvillimit të përgjithshëm socio-ekonomik të vendit, njëherësh edhe në të mirë të shoqërisë, individit dhe familjes së tij, duke bërë kujdes që të ngrihet në një shkallë më të lartë mbrojtja e të drejtave të migrantëve dhe krijimi i lehtësirave politike, ekonomike dhe sociale për ato dhe pjesëtarët e familjeve të tyre. Vizioni politik për fushën migratore është hartimi i Strategjisë se re Kombëtare të Migracionit dhe Planit të saj Kombëtar të Veprimit, 2013-2018. Politika migratore e Republikës e Shqipërisë përbëhet nga politikat imigratore dhe politikat emigratore, të shprehur këto në normativën migratore të hartuar dhe miratuar për këtë qellim, në përputhje me politikën migratore dhe normativën migratore të BE-se, duke synuar minimizimin e kostove nga migracioni i paligjshëm dhe maksimizimin e përfitimeve nga migracioni i ligjshëm, si për migrantët ashtu dhe për vendet, nëpërmjet menaxhimit të flukseve migratore, duke garantuar liritë dhe të drejtat themelore të migrantëve nga njëra ane dhe luftë kundër migracionit të paligjshëm nga ana tjetër, si dhe përmes parandalimit të migracionit të parregullt, nxitjes së kthimit vullnetar dhe promovimit të lidhjes migracion-zhvillim i vendit. Politika migratore në vetvete përbëhet nga politika e dokumenteve të udhëtimit, politika e vizave, politika e punësimit, politika e qëndrimit, politika e ribashkimit familjar, politika e të miturve të pashoqëruar, politika e luftës kundër migracionit të paligjshëm, përfshirë këtu hyrjen e paligjshme, qëndrimin e paligjshëm, punësimin e paligjshëm, martesat me qellim dokumentacioni, përgjegjësitë e transportuesit, politika e kthimit, ripranimeve dhe riintegrimit të qëndrueshëm të të kthyerve, politika e largimeve dhe dëbimeve, politika e ndalimit, politika e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të migranteve dhe mbrojtjes së të dhënave personale, politika e masave represive dhe ankimimit, politika e integrimit të emigrantëve, etj.

Në hartimin e politikës migratore është bërë kujdes që të përafrohet ajo me traktate dhe konventa mbi migrimin, si ato të Këshillit të Evropës, OKB-së, Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO). E njëjta gjë mund të thuhet edhe për përvetësimin dhe zbatimin e praktikave më të mira administrative. Politika Migratore shqiptare është e shprehur në Kushtetutë, si kornizë garantuese e të drejtave dhe lirive të të huajve, e rregulluar me anë normativës migratore e cila përbëhet nga legjislacioni në fuqi mbi të huajt, akteve nënligjore të dala posaçërisht si dhe urdhrave dhe udhëzimeve përkatëse. Në interes të përafrimit të plotë të politikës migratore shqiptare me atë të BE-së, PKZMSA parashikon një ndërhyrje në normativën aktuale migratore bazuar në analizën e mangësive dhe rekomandimet e ekspertëve të BE-së, por dhe organizatave ndërkombëtare të specializuara në fushën e migracionit. Gjithashtu në Nenet 4, 80 dhe 81 të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit është parashikuar bashkëpunimi ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe BE-së, në fushën e migracionit.

 

Politika e vizave

Qeveria Shqiptare është thellësisht e angazhuar për të përqasur legjislacionin kombëtar në fushën e vizave me standardet dhe praktikat më të mira të Bashkimit Evropian, në përputhje të plotë me angazhimet dhe detyrimet që rrjedhin nga zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (neni 80, 64, 57 dhe 4). Dispozitat mbi vizat, edhe pse janë të përafruara konsiderueshëm me dispozitat e BE-së, duhet të përmirësohen më tej, si rrjedhojë e ndryshimeve të fundit në Kodin Shengen të Vizave. Një rregullim më i përafruar me atë të BE-së kërkohet të bëhet në drejtim të të drejtave për bashkim familjar, pasi në dispozitat ekzistuese janë parashikuar disa kritere të cilat nuk janë në standardet e legjislacionin e BE-së. Bashkëpunimi ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, në këtë fushë, është përcaktuar në Nenin 80 të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

 

 

Azili

Republika e Shqipërisë ka tashmë një sistem azili për të cilin po punohet gjithmonë e më shumë, për t’iu afruar standardeve evropiane, duke bërë funksionimin e plotë të procedurave në përcaktimin e Statusit të Refugjatit për personat që kërkojnë Azil.

Objektivat kryesorë që duhen patur parasysh për një funksionim të gjithë hallkave të këtij sistemi, janë:

· Konsolidimi dhe zhvillimi i procedurave ekzistuese për azilkërkuesit dhe refugjatët në Republikën e Shqipërisë.

· Zbatimi i legjislacionit vendas në përputhje me standardet e Konventës së Gjenevës të vitit 1951 dhe Protokollit të New York-ut 1967.

· Krijimi i një kuadri të plotë në menaxhimin e çështjeve të Azilit, si çështje të një rëndësie të veçantë, si në nivel kombëtar, ashtu edhe rajonal, si nga pikëpamja politike, ashtu edhe vepruese.

· Rritja e efiçencës së institucioneve.

· Zbatimi i parimit të Non – Refoulement (moskthimit) dhe i të drejtave të tjera të azilkërkuesve dhe refugjatëve.

· Sigurimi i të drejtave të udhëtimit të personave që kanë përfituar azil në Republikën e Shqipërisë.

· Trajtim i njëjtë me shtetasit e vendeve të treta që qëndrojnë ligjërisht në territorin shqiptar.

Gjithashtu Neni 80 i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit përcakton se bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian në këtë fushë, do të përqendrohet në zbatimin e legjislacionit të brendshëm për përmbushjen e standardeve të Konventës së Gjenevës të vitit 1951 dhe Protokollit të New Yorkut të vitit 1967, për të siguruar në këtë mënyrë respektimin e parimit të mos-kthimit të individit në atë vend që përbën kërcënim për jetën e tij, si dhe të të drejtave të tjera të azilkërkuesve dhe refugjatëve.

 

 

Bashkëpunimi policor dhe lufta kundër krimit të organizuar

Fenomenet e trafiqeve të paligjshme janë me karakter transnacional dhe si rezultat është domosdoshmëri bashkëpunimi ndërkombëtar me qëllim realizimin e objektivave për parandalimin e luftën kundër trafiqeve, identifikimin, sekuestrimin dhe më pas konfiskimin e aseteve, produkt i kësaj veprimtarie kriminale, me pasoja në shoqëri dhe në ekonomitë e shteteve përkatëse. Vendi ynë si një vend me pozicion gjeografik të favorshëm për t’u përdorur si origjinë, transit apo edhe destinacion për trafiqe të paligjshme nga individë apo grupe individësh, të cilët janë të implikuar në këto trafiqe e kryesisht atë të qënieve njerëzore, trafikimin e armëve dhe municionit, veprat e artit e kulturës apo të mjeteve motorike etj, është i angazhuar maksimalisht të bashkëpunojë me strukturat homologe të rajonit apo me gjerë, të kryejë hetime e operacione të përbashkëta etj. Gjithashtu Shqipëria është mjaft e interesuar në ratifikimin e konventave të ndryshme dhe implementimin e suksesshëm të tyre, duke përshtatur legjislacionin dhe ngritjen e strukturave shtetërore të specializuara në këtë drejtim. Shqipëria ka oficerë ndërlidhës me qëllim shkëmbimin e informacionit dhe inicimin e hetimeve e operacioneve policore të përbashkëta me vende të ndryshme në Itali, Greqi, Gjermani, Kosovë etj. Gjithashtu një sërë shtetesh kanë të akredituar në Shqipëri oficerët e kontaktit të cilët shkëmbejnë informacione dhe iniciojnë operacione të përbashkëta me Policinë e Shtetit. Vendi ynë ka ratifikuar Konventën e Kombeve të Bashkuara “Për Krimin e Organizuar Ndërkombëtar dhe protokollet shtesë”, Konventën e Këshillit të Evropës“ për Masat Kundër Trafikimit të Qënieve Njerëzore”, Konventën për Bashkëpunimin Policor për vendet e Evropës Juglindore” etj. Vendi ynë është pjesë e INTERPOL dhe ka nënshkruar marrëveshje strategjike e synon të nënshkruajë marrëveshje operacionale me EUROPOL. Gjithashtu aderon në një sërë organizmash rajonalë e ndërkombëtarë për luftën kundër krimit të organizuar. Gjithashtu në Nenet 4, 82, 84 dhe 85 Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit është parashikuar bashkëpunimi ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe BE në këtë fushë.

 

 

Lufta kundër terrorizmit

Shqipëria synon të sigurojë koordinimin dhe bashkëpunimin e të gjitha institucioneve në planin kombëtar, rajonal e ndërkombëtar, me qëllim që të zvogëlojë në maksimum rrezikun e akteve të terrorizmit në vend, duke siguruar përmirësimin e elementeve të sigurisë dhe rritjen e besimit të komunitetit për masat parandaluese ndaj akteve terroriste.

Lufta kundër terrorizmit, e vlerësuar si një ndër sfidat më të mëdha të njerëzimit, përbën një ndër angazhimet kryesore të organeve të sigurisë, në kuadër edhe të detyrimeve ndërkombëtare që rrjedhin nga konventat dhe instrumentet e tjera ndërkombëtare ku Shqipëria është palë. Lufta kundër Terrorizmit përbën një detyrim në kuadër të integrimit të vendit tonë strukturat evropiane, si dhe detyrim si vend anëtar i NATO-s. Bazuar në këto detyrime, strukturat antiterror në Policinë e Shtetit do të vazhdojnë të bashkëpunojnë edhe me institucionet e tjera të sigurisë me qëllim përmbushjen e misionit për zbulimin, parandalimin dhe goditjen e akteve të mundshme terroriste, si dhe çdo veprimtari tjetër që lidhet me fenomenin terrorist. Gjithashtu në Nenet 82 dhe 84 të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit është parashikuar bashkëpunimi ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe BE në këtë fushë.

 

 

Bashkëpunimi në fushën e luftës kundër drogës

 

Objektivi strategjik në fushën e luftës kundër drogës është i fokusuar në:

- Krijimin e një mjedisi të sigurt për shoqërinë përmes reduktimit të ofertës dhe aksesit ndaj drogave për përdorim të paligjshëm.

- Parandalimin e abuzimit me drogat përmes rritjes së ndërgjegjësimit të publikut për rreziqet dhe pasojat negative të përdorimit të drogës.

- Minimizimin e problemit të përdorimit të drogave në gjithë shoqërinë, duke siguruar në kohën e duhur trajtimin e përshtatshëm, shërbimet rehabilituese përkatëse dhe reduktimin e dëmit që vjen nga konsumi i paligjshëm i drogave.

- Ofrimin e një politike koordinuese dhe menaxhuese në luftën kundër drogave, si dhe të krijimit të sistemeve efikase të informacionit.

Gjithashtu në Nenet 83 dhe 85 të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit është parashikuar bashkëpunimi ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe BE në këtë fushë.

 

 

Bashkëpunimi doganor

 

Angazhimet në fushën e doganave janë marrë në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim –Asoccimit nenet 14, 15, 34, 43 dhe 97.

Objektivi kryesor për fushën e doganave është harmonizimi i procedurave dhe praktikave me standardet e Bashkimit Evropian, ruajtja e interesave financiare dhe ekonomike të Shqipërisë, lehtësimi i tregtisë duke implementuar metoda dhe teknologji moderne pune dhe lehtësimi i barrierave administrative në dogana, ndalimi i kontrabandës, korrupsionit, monopoleve, praktikave klienteliste, krijimi i një klime të favorshme konkurrence për biznesin, si dhe forcimi i mbrojtjes dhe sigurise kombëtare, mbrojtja e shoqërisë dhe të partnerëve tanë të biznesit duke u mbështetur në menaxhimin e riskut dhe kontrolle efikase dhe efektive, bashkëpunimi në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar me të gjithë aktorët përkatës.

Shërbimi doganor bazohet në strategji dhe plane të specifikuara, të cilat konsistojnë në këto objektiva kryesore:

· Përgatitja e administratës doganore për hyrjen në BE;

· Sigurimi i bazave ligjore dhe standardeve, si dhe përafrimi i legjislacionit doganor shqiptar me legjislacionin e Bashkimit Evropian si dhe me praktikat e tyre më të mira, me qëllim unifikimin e tyre;

· Rritja e ndjeshme të nivelit të vjeljes së të ardhurave si dhe rritja e nivelit të zhdoganimit kryesisht të mallrave që paguajnë akcize;

· Përfshirja gjithnjë e më intensive e Shërbimit Doganor në mbrojtjen dhe sigurinë, në luftën kundër kontrabandës dhe trafiqeve (trafikut te drogës, armëve, makinave të vjedhura, qenieve njerëzore, pastrimit te parave etj;) dhe mallrave te ndaluara apo të kufizuara;

· Përmirësimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe i shkëmbimeve të informacionit, si brenda vendit ashtu edhe me vendet fqinje, për të përmirësuar sigurinë në kufi dhe luftën kundër trafiqeve të paligjshme;

· Përmirësimi i mjedisit të teknologjise se informacionit, informatizimi i plotë i sistemit doganor, përpunimi në rrugë elektronike i deklaratave doganore, thellimi i moduleve të sigurisë dhe analizës së riskut etj;

· Rritja e lehtësirave për biznesin përmes lehtësimit të procedurave doganore duke siguruar ruajtjen e nje balance ndërmjet lehtësimit të tregtisë dhe kontrolleve doganore;

· Sigurimi i kapaciteteve te duhura për të zbatuar dhe siguruar respektimin e acquis së BE-së lidhur me legjislacionin doganor perfshire edhe zbatimin korrekt dhe uniform të Marrëveshjeve të Tregtisë se Lirë dhe respektimin e rregullave të veçanta të parashtruara në fushat e acquis që kanë lidhje me doganat;

· Përforcimi i stabilitetit dhe pavarësisë se administratës doganore per t’ju përgjigjur sfidave të së ardhmes, veçanërisht në lidhje me statusin e punonjësve të saj, zbulimin dhe goditjen e akteve korruptive, transparenca me publikun dhe sensibilizimi i tij në luftën kundër korrupsionit;

· Përmirësimi i mjedisit të punës perfshire infrastrukturen dhe pajisjet dhe rritja e nivelit te profesionalizmit të punonjësve.

 

 

Bashkëpunimi gjyqësor në çështjet civile dhe penale

 

Qeveria Shqiptare synon të respektojë angazhimet e ndërmarra dhe do të jetë plotësisht e hapur për një bashkëpunim institucional me institucionet e specializuara ndërkombëtare dhe të vendeve të tjera, duke qenë mjaft aktive në zbatimin e angazhimeve që do të marrë në kuadër të këtij bashkëpunimi. Shqipëria ka ratifikuar një sërë Konventash dhe Traktatesh Ndërkombëtare në fushën e bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar.