Bashkëpunimi në fushën e gjyqësorit dhe të drejtave themelore

Sistemi gjyqësor

Qeveria Shqiptare është e angazhuar plotësisht në zbatimin në gjerësi dhe thellësi të reformave në sistemin e drejtësisë, të sugjeruara dhe të mbështetura nga partneret ndërkombëtare, ne bashkëpunim me institucionet e tjera kushtetuese që përfshihen në çështjet e reformave dhe performancës së sistemit të drejtësisë si dhe në përputhje me angazhimet dhe detyrimet që rrjedhin nga zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (Neni 1, 2 , 13, 70 dhe 78 i MSA-së) .

Në kuadër të krijimit të një sistemi drejtësie bashkëkohor, Qeveria shqiptare synon rritjen e cilësisë në dhënien e drejtësisë si shërbim ndaj qytetarëve dhe forcimin e shtetit ligjor nëpërmjet formimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve me integritet, aftësi dhe cilësi të larta profesionale dhe etike. Ky objektiv përcakton si prioritet rritjen e aksesit në drejtësi, rritjen e profesionalizmit të aktorëve kryesorë të sistemit të drejtësisë përmes një programi trajnimi të niveleve bashkëkohore dhe standardeve evropiane dhe përmirësimit të sistemit të drejtësisë shqiptare duke siguruar një trajnim profesional pas universitar për gjyqtarë dhe prokurorë.

 

Politikat kundër korrupsionit

Lufta kundër korrupsionit përbën një prioritet absolut të Qeverisë Shqiptare. Duke pasur si vizion themelor reduktimin progresiv dhe të qëndrueshëm të korrupsionit, forcimin e integritetit të institucioneve dhe promovimin e vlerave në qeverisje, drejtimet kryesore në luftën ndaj këtij fenomeni janë:

· Reformave për parandalimin e tij;

· Forcimit të integritetit të institucioneve dhe promovimit të vlerave të qeverisjes;

· Monitorimit të gjithanshëm të fenomenit të korrupsionit, luftës kundër tij nga shoqëria civile dhe forcimi i rolit të saj;

· Ndëshkimit administrativ dhe ligjor të zyrtarëve të korruptuar.

Zbatimi i përgjegjshëm i strategjisë anti-korrupsion në kuadër të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim e Integrim (SKZHI), synon reduktimin progresiv e të qëndrueshëm të korrupsionit, forcimin e integritetit të institucioneve dhe promovimin e vlerave në qeverisje nëpërmjet kultivimit e forcimit të mendësisë së shërbimit ndaj qytetarëve nga administrata publike, zbatimit të efektshëm e të barabartë të ligjit, përmirësimit të transparencës e informimit, zhvillimit të shpejtë e të qëndrueshëm ekonomik e njerëzor, cilësisë, përgjegjshmërisë e efektivitetit në qeverisje.

 

Të drejtat themelore

 

Ndërmarrja e mëtejshme e reformave tërësore institucionale dhe ligjore do të synojnë garantimin në nivele gjithnjë e më të larta të të drejtave dhe lirive themelore të individit e në veçanti të të drejtave të minoriteteve. Kështu, në kuadër të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, Qeveria shqiptare është e angazhuar në ndërmarrjen e të gjitha reformave të nevojshme që do të shërbejnë për trajtimin në mënyrë sa më humane të personave me liri të kufizuar, zbatimin e ligjit në vendin e vuajtjes së dënimit, rehabilitimin dhe integrimin e të dënuarve në shoqëri dhe krijimin e një sistemi të sigurt dhe efikas për të gjithë shoqërinë.

Legjislacioni shqiptar në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare, ka përcaktuar në aktet ligjore dhe nënligjore një sërë dispozitash që kanë të bëjnë me trajtimin e të burgosurve dhe të paraburgosurve, si dhe kompetencat dhe detyrat e organeve shtetërore kompetente, me qëllim respektimin e dinjitetit të dënuarve dhe të paraburgosurve, trajtimin e tyre pa njëanshmëri apo diskriminim për shkak te seksit, kombësisë, racës, gjendjes ekonomike dhe shoqërore, pikëpamjeve politike dhe besimit fetar, përmirësimin e kushteve të jetesës dhe sigurisë në të cilën mbahen dhe trajtohen të burgosurit dhe të paraburgosurit si dhe zhvillimin e programeve të rehabilitimit social dhe veprimtarive prodhuese për të burgosurit.

Gjithashtu, në kuadër të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, në muajin qershor 2009 në Shqipëri, ka filluar të funksionojë Institucioni i Shërbimit të Provës. Misioni i këtij institucioni është të mbikqyrë dhe mbështesë zbatimin e dënimeve alternative me qëllim mbrojtjen e interesave publike, parandalimin e kryerjes së veprave penale, asistimin e personit të dënuar për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga dënimi alternativ, asistimin e personit të dënuar për kapërcimin e vështirësive për riintegrimin e tij shoqëror, uljen e recidivizmit si dhe rritjen e sigurisë në komunitet.

Në kuadër të mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave themelore të njeriut, Qeveria shqiptare është e angazhuar në garantimin e lirisë së shprehjes, si gur themeltar në konceptimin dhe funksionimin e shoqërive demokratike. Garantimi i lirisë së shprehjes nuk mund të kuptohet e ndarë nga garantimi i një sërë lirish dhe të drejtash të tjera të parashikuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, si: liria e shtypit, radios dhe televizionit (neni 22, pika 2).

Qeveria shqiptare është plotësisht e angazhuar që politikat sociale të orientohen drejt respektimit të të drejtave të njeriut, barazisë gjinore dhe mosdiskriminimit (Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2007-2013), duke siguruar të drejtën e çdo personi për barazi përpara ligjit dhe mbrojtje të barabartë nga ligji, barazi të shanseve dhe mundësive për të ushtruar të drejtat, për të gëzuar liritë dhe për të marrë pjesë në jetën publike dhe mbrojtje efektive nga diskriminimi dhe nga çdo formë sjelljeje që nxit diskriminimin. Ky objektiv do të realizohet nëpërmjet forcimit të kapaciteteve administrative të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, rritjen e ndërgjegjësimit për ligjin ‘Për mbrojtjen nga diskriminimi’ dhe institucionin e Komisionerit, forcimin e bashkëpunimit me institucionet publike, shoqërinë civile dhe homologë ndërkombëtarë si dhe Përmirësimit të legjislacionit për mbrojtjen nga diskriminimi dhe zbatimit efektiv të tij.

Objektivi strategjik i Qeverisë Shqiptare për barazinë gjinore dhe kundër dhunës në familje është “a ngazhimi për promovimin e parimeve të barazisë gjinore, si dhe forcimin e instrumentave ligjorë dhe institucionalë mbrojtës për të siguruar politikat gjinore në të gjitha nivelet e qeverisjes...... Parandalimi i dhunës në familje, mbrotja e viktimave dhe aksesi i tyre në skemat e mbrotjes ligjore dhe psikosociale në bashkëpunim të ngushtë me median dhe shoqërinë civile për të garantuar dhe mbrojtur dinjitetin e gruas duke i kushtuar nje rendesi te veçante fëmijëve dhe personave të moshuar”. Ky objektiv do të realizohet nëpërmjet forcimit të Mekanizmit Institucional dhe Ligjor për Barazinë Gjinore, rritjes së Pjesëmarrjes së Grave në Vendim-marrje, fuqizimit ekonomik të vajzave dhe grave, zvogëlimi i dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në Familje.

Për më tepër, Qeveria shqiptare synon mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të fëmijëve, nëpërmjet forcimit të strukturave institucionale të krijuara për të monitoruar dhe raportuar mbi zbatimin e të drejtave të fëmijëve në nivel kombëtar e rajonal, nxitjes për hartimin e reformës legjislative dhe politikave gjithëpërfshirëse, të koordinuara e harmonizuara, mbrojtjes dhe përfshirjes sociale të fëmijëve.

Qeveria shqiptare angazhohet për të zbatuar dhe arritur standardet më të larta të respektimit dhe realizimit të të drejtave të minoriteteve kombëtare që jetojnë në Shqipëri. Të gjitha iniciativat dhe masat që do të ndërmerren do të synojnë zbatimin dhe përputhshmërinë e plotë me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Konventën Kuadër të Këshillit të Evropës “Për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare”, të ratifikuara nga Shqipëria. Kështu, fokusi kryesor i qeverisë në fushën e mbrojtjes së minoritetit rom, është zbatimi i Strategjisë Kombëtare “Për përmirësimin e kushteve të jetesës së minoritetit rom”, duke luftuar përjashtimin social dhe diskriminimin, bazuar në instrumentet ndërkombëtare në këtë fushë si dhe kuadrin ligjor të brendshëm dhe objektivat kryesore të programit te Qeverisë në fushën e mbrojtjes së minoriteteve.

Në kuadër të respektimit dhe garantimit të të drejtave të pronës, Qeveria shqiptare është angazhuar për të plotësuar dhe konsoliduar sistemin e të drejtave të pronësisë në tërësi, të pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme në veçanti, ku toka bujqësore zë një komponente me rëndësi. Konsolidimi i së drejtës së pronësisë dhe garantimi i saj lidhet ngushte me konsolidimin e shtetit demokratik në tërësi. Reforma e tokës (transformimi i të drejtës së pronësisë), garantimi i titujve të ligjshëm të pronësisë është një premisë e zhvillimit të tregut të tokës. Dinamizmi i tregut të tokës kondicionohet jo vetëm nga transaksionet ndërmjet shtetasve shqiptare, por edhe të këtyre te fundit me shtetas të vendeve Anëtare të Bashkimit Europian. Rregullimi i legjislacionit për t'iu siguruar trajtim të njëjtë shtetasve të BE-së është parashikuar si objekt i neneve 50 dhe 61 të MSA-së. Gjithashtu, Qeveria shqiptare është e angazhuar të përshpejtojë ritmet e proçesit të regjistrimit fillestar të pasurisë së paluajtshme, në zonat rurale dhe urbane, në një kohë sa më të shpejtë.

Një objektiv tjetër kryesor i Qeverisë shqiptare në fushën e kthimit dhe kompensimit të pronës është përmbyllja me sukses dhe me shpejtësi e procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave ish pronarëve të cilëve i është mohuar kjo e drejtë sipas akteve ligjore, nënligjore, vendimeve penale te gjykatave ose te marre me çdo mënyrë tjetër te padrejte nga shteti nga data 29.11.1944. Në këtë mënyrë synohet një rregullim i drejte, sipas kritereve te nenit 41 te Kushtetutës, te çështjeve te se drejtës se pronësisë qe kane lindur nga shpronësimet, shtetëzimet ose konfiskimet.

Qeveria shqiptare është e angazhuar në përmbushjen me sukses e të drejtës së kompensimit subjekteve të shpronësuara prona e të cilëve është njohur për kompensim me vendim. Kjo përmbushje do të realizohet sipas formave të përcaktuara në nenin 11, të ligjit nr. 9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës, i ndryshua