Arsimi dhe kultura

Arsimi

Detyrimet e Shqipërisë në fushën e arsimit përcaktohen nga Neni 100 i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Në plotësim të këtyre detyrimeve, Qeveria shqiptare ka përcaktuar se objektivi i saj madhor në fushën e arsimit dhe formimit profesional, është rritja e nivelit të arsimimit të përgjithshëm dhe trajnimit profesional, sigurimi i aksesit në të gjitha nivelet e arsimimit dhe trajnimit pa diskriminim si dhe përmirësimi i strukturave të arsimit dhe trajnimit, pjesëmarrja gjithnjë e më e madhe në programet komunitare.

 

Qeveria është e angazhuar për të realizuar autonominë shkollore, nëpërmjet reformës arsimore në bashkëpunim dhe me grupet e interesit.Zhvillimi i arsimit do të bazohet në modelin e edukimit të vazhdueshëm duke filluar që në moshën parashkollore dhe që vazhdon gjithë jetën, si dhe dhënia e përparësisë shkollave të mesme profesionale në përputhje me tendencat rajonale të zhvillimit ekonomik e të tregut te punës. Një hap me rëndësi ishte miratimi i Ligjit mbi arsimin pasuniversitar në qershor 2012.

 

Politika e Qeverisë në fushën e arsimit të lartë synon ekselencën dhe cilësinë në arsimin e lartë, pjesëmarrje të gjerë, diversitet të njohurive, kompetencave dhe aftësive të domosdoshme për të mbështetur prosperitetin e aspiruar dhe integrimin evropian të Shqipërisë. Fokusi kryesor i politikave në arsimin e lartë do të jetë sigurimi i cilësisë institucionale, cilësisë në mësimdhënie dhe në aktivitete kërkimore, forcimi i lidhjes mes edukimit dhe tregut të punës, diversifikim të instrumenteve të financimit të arsimit të lartë si dhe forcimi institucional i Institucioneve të Arsimit të Lartë (IAL) nëpërmjet rritjes së autonomisë, llogaridhënies publike si dhe qeverisjes dhe menaxhimit të reformuar.

Ky objektiv politik mbështetet në “Strategjinë Kombëtare për Arsimin e Lartë 2008-2013” si pjesë e “Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2007-2013”. Objekti i vendosur realizon një përputhshmëri të trajektores së zhvillimit të arsimit të lartë shqiptar me atë të hapësirës evropiane të përcaktuar në strategjinë evropiane “Europe Strategy 2020” si dhe parashikimeve të caktuara në agjendën e Komisionit Evropian për “Modernizimin e Arsimit të Lartë” - Shtator 2011.

 

Kultura

Detyrimet e Republikës së Shqipërisë në fushën e kulturës janë të përcaktuara në Nenin 101 të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Bazuar në këtë nen dhe në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, në fushën e kulturës janë përcaktuar si prioritete nxitja dhe zhvillimi i industrisë kulturore turistike në vend, lidhur ngushtë me vënien në funksion të trashëgimisë kulturore kombëtare, forcimin e identitetit kombëtar, nxitjen dhe promovimin e artit dhe kulturës.

Arti dhe Kultura përbëjnë një nga fushat me impakt më të fortë në zhvillimin demokratik të vendit si dhe riafirmimit të identitetit kulturor në rajon dhe Evropë.

Pjesë e kësaj fushe janë edhe aktivitetet për garantimin e zhvillimit sa më të plotë dhe të suksesshëm të rinisë, zhvillimi i mëtejshëm i kulturës dhe mundësive të leximit dhe përfitimit nga veprat artistike ose përfshirja në aktivitete artistike.

Me rëndësi në këtë fushë është edhe përfshirja e institucioneve kulturore dhe artistike shqiptare në programet e ndryshme komunitare që synojnë zhvillimin sa më harmonik të rinisë, zhvillimin dhe shkëmbimin e vlerave kulturore dhe shiprtërore.

Aktet më të rëndësishme ligjore në këtë fushë janë Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 782, datë 16.11.2006 “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare të Rinisë dhe Planin Kombëtar të Veprimit për Rininë 2007-2013”, Ligji Nr. 10352, datë 18.11.2010 “Për artin dhe Kulturën” dhe Ligji Nr. 9048, datë 7.4.2003 “Për trashëgiminë kulturore”.