Demokracia dhe shteti i së drejtës

Në kuadër të konsolidimit të demokracisë parlamentare dhe të shtetit të së drejtës, Qeveria Shqiptare është e angazhuar plotësisht në ndërmarrjen dhe zbatimin në gjerësi dhe thellësi të reformave lidhur me forcimin e procesit legjislativ, sistemin zgjedhor, pushtetin qëndror dhe atë vendor, administratën publike, sistemin e drejtësisë; reforma këto të sugjeruara dhe të mbështetura nga partneret ndërkombëtare në bashkëpunim me institucionet e tjera kushtetuese që përfshihen në çështjet e reformave dhe performancës së shtetit të së drejtës si dhe në përputhje me angazhimet dhe detyrimet që rrjedhin nga zbatimi i Marrëveshjes se Stabilizim-Asociimit.

Qeveria shqiptare është e angazhuar në marrjen e masave konkrete për funksionimin e duhur të parlamentit bazuar në dialog politik konstruktiv dhe të qëndrueshëm mes të gjitha palëve, përmirësimin e funksioneve rregullatore dhe rritjen e kapaciteteve administrative të Parlamentit me qellim forcimin e proçesit legjislativ, i cili kontribuon në plotësimin me efikasitet të detyrimeve që rrjedhin nga MSA BE-Shqipëri, gjatë periudhës se paraaderimit në BE.

Qeveria Shqiptare angazhohet për një reformë të thellë të vërtetë të administratës publike, trajtim dhe vlerësim bazuar në meritën, përkushtimin e nëpunësve të saj, krijimin e një rrjeti institucional efektiv dhe efecient, si dhe të një administrate të qëndrueshme, të përkushtuar ndaj zbatimit të ligjit dhe të ofrimit të shërbimeve më të mira për qytetarët, me nëpunës civilë të rekrutuar dhe të vlerësuar sipas meritës dhe përkushtimit në kryerjen e detyrave individuale. Qeveria Shqiptare do të ketë si objektiv final krijimin e një administrate publike efiçente dhe të aftë të përballojë realizimin e plotë të angazhimeve dhe detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Çdo veprim që do të ndërmarrë Qeveria shqiptare në kuadrin e reformës në sistemin e drejtësisë dhe ndërtimit të shtetit të së drejtës, ka si qëllim dhe objektiv final krijimin e një sistemi drejtësie bashkëkohore, të aftë të sigurojë garantimin e pavarësisë, përgjegjshmërisë, ndershmërisë dhe efektivitetit të drejtësisë shqiptare, të respektojë parimet e proçedimit të drejtë, të barabartë e të rregullt ligjor, duke mbrojtur të drejtat, interesat dhe liritë e ligjshme të njeriut, të kontriboje në administrimin e drejtesisë penale, si dhe të implementojë acquis communautaire dhe të pasqyrojë standardet e Bashkimit Evropian në fushën e drejtësisë.

Lufta kundër korrupsionit përbën një prioritet absolut të Qeverisë Shqiptare. Duke pasur si vizion themelor reduktimin progresiv dhe të qëndrueshëm të korrupsionit, forcimin e integritetit të institucioneve dhe promovimin e vlerave në qeverisje, drejtimet kryesore ne luftën ndaj këtij fenomeni janë:

- Ndërmarrja e reformave për parandalimin e tij;

- Forcimi i integritetit të institucioneve dhe promovimit të vlerave të qeverisjes;

- Monitorimi i gjithanshëm i fenomenit të korrupsionit, luftës kundër tij nga shoqëria civile dhe forcimi i rolit të saj;

- Ndëshkimi administrativ dhe ligjor të zyrtarëve të korruptuar.

Zbatimi i përgjegjshëm i strategjisë antikorrupsion në kuadër të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim e Integrim (SKZHI), synon reduktimin progresiv e të qëndrueshëm të korrupsionit, forcimin e integritetit të institucioneve dhe promovimin e vlerave në qeverisje nëpërmjet kultivimit e forcimit të mendësisë së shërbimit ndaj qytetarëve nga administrata publike, zbatimit të efektshëm e të barabartë të ligjit, përmirësimit të transparencës e informimit, zhvillimit të shpejtë e të qëndrueshëm ekonomik e njerëzor, cilësisë, përgjegjshmërisë e efektivitetit në qeverisje.