Çështjet rajonale dhe detyrimet ndërkombëtare

Objektiv i rëndësishëm i politikës së jashtme të Shqipërisë ka qenë dhe mbetet politika rajonale. Shqipëria, si një aktor rajonal me një peshë dhe rol gjithnjë e më të të rëndësishëm, është e interesuar për për një rajon të stabilizuar ku të mbizotërojë paqja dhe bashkëpunimi socio-ekonomik dhe kulturor, si dhe për vendosjen e marrëdhënieve të qëndrueshme me fqinjët e saj. Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit me vendet e rajonit dhe, veçanërisht, me ato të Ballkanit Perëndimor, vazhdojnë të jenë një nga prioritetet e politikës së jashtme tё Republikës së Shqipёrisё, duke qenë njëkohësisht edhe një nga kërkesat kryesore të Marrëveshjes së Stabilizimit-Asociimit me BE.

Qeveria Shqiptare do të respektojë angazhimet e marra dhe do të jetë plotësisht e hapur për një bashkëpunim kapilar me institucionet e specializuara ndërkombëtare dhe ato të vendeve të tjera të rajonit, duke qenë mjaft aktive në zbatimin e angazhimeve që do të marrë në kuadër të këtij bashkëpunimi.

Gjithashtu, në kuadër të përmbushjes së detyrimeve ndërkombëtare, Qeveria shqiptare do të jetë tërësisht e angazhuar të rrisë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë në fushën e bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar, duke iu përgjigjur me efektivitet programeve të ndërmarra nga partnerët rajonal dhe ndërkombëtarë në këtë fushë, në përputhje dhe me detyrimet që rrjedhin nga zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (Neni 1,2,4,13 dhe 81 i MSA-së). Për më tepër, do të ndërmerren të gjitha hapat e nevojshme, si në kuadrin ligjor dhe atë institucional, për ta bërë sa më efektive dhe të plotë bashkëpunimin në këtë fushë.

 

Bashkëpunimi Rajonal

 

Objektivi strategjik i Shqipërisë është që përmes një angazhimi aktiv në të gjitha forumet dhe nismat rajonale të kontribuojë me qëndrimet parimore e të balancuara në trajtimin e çështjeve të ndryshme sensitive të rajonit. Nëpërmjet aktivitetit të saj në këto forume rajonale, Shqipëria synon që të nxisë zhvillimin ekonomik rajonal nëpërmjet projekteve të përbashkëta, në fusha të tilla si energjia dhe transporti. Shqipëria do të lobojë pa ndërprerje për përfaqësimin e Kosovës në nismat dhe organizatat rajonale duke kontribuar për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

 

Marrëdhëniet Dypalëshe

 

Situata aktuale

Shqipëria është angazhuar fuqimisht për të mbështetur procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës (89 vende); anëtarësimin në organizmat politiko-financiare ndërkombëtare; pjesëmarrjen me të drejta të plota në nismat shumëpalëshe rajonale. Shqipëria mbështet bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, marrëveshjet/konkluzionet e arritura gjatë këtyre bisedimeve, me ndërmjetësinë e BE, dhe shpreson që këto të implementohen sa më shpejt nën garancinë e ndërkombëtarëve. Shqipëria mbështet përpjekjet e faktorit ndërkombëtar dhe institucioneve kosovare për të normalizuar situatën në veri të Kosovës.

Shqipëria përshëndet fillimin e procesit të bisedimeve për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe inkurajojmë nisjen e bisedimeve për një marrëveshje të re kontraktuale të Kosovës me BE-në, që do të përshpejtonte axhendën integruese të saj në BE dhe NATO. Njëkohësisht Shqipëria ka përshëndetur vendimin e Këshillit Evropian (2 mars 2012) për nisjen e Studimit të Fizibilitetit për MSA midis Kosovës dhe BE.

Në marrëdhëniet me Maqedoninë, Shqipëria do të vazhdojë të ndjekë me konsekuencë politikën e saj të fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit të ndërsjelltë, të mbështetjes për integrimin e saj të shpejtë në NATO, si dhe anëtarësimin e saj në BE. Konstatohet se midis dy vendeve ekziston një bashkëpunim politik intensiv, gjë që vihet re tek kontaktet e shpeshta të niveleve më të larta politike. Shqipëria i jep një mbështetje parimore autoriteteve maqedonase në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, duke shprehur besimin se zbatimi i plotë i saj përbën një kusht të rëndësishëm për sigurimin e paqes, stabilitetit dhe procesit te reformave në vend. Përveç dialogut politik, ka një angazhim në drejtim të thellimit të bashkëpunimit ekonomik, rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe intensifikimin e bashkëpunimit në fusha me interes reciprok.

Marrëdhëniet dhe bashkëpunimi dypalësh me Kroacinë ka shënuar progres të dukshëm pozitiv dhe cilësor, veçanërisht në kuadër të proceseve integruese në të dy vendet. Shqipëria ka përshëndetur anëtarësimin e plotë të Kroacisë në BE, si edhe rëndësinë e zhvillimit specifik të këtyre marrëdhënieve për të gjithë rajonin.

Bashkëpunimi me Malin e Zi, përbën një model të shkëlqyer të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, me një dialog politik tepër intensiv dhe me një bashkëpunim ekonomiko-tregtar gjithnjë e më intensiv. Shqipëria vlerëson ecurinë e procesit të integrimit të Malit të Zi në BE dhe ofron mbështetjen e saj për procesin e antarësimit të këtij vendi në NATO. Shqipëria ndjek dhe vlerëson interesin e treguar në vazhdimësi nga qeveria e Malit të Zi për pakicën shqiptare në vend. Integrimi i shqiptarëve në të gjitha nivelet e administratës qendrore e vendore dhe respektimi i të drejtave të tyre ndikon pozitivisht edhe në marrëdhëniet midis dy vendeve tona.

Zhvillimi i marrëdhënieve bilaterale me Serbinë është një prioritet shumë i rëndësishëm i politikës sonë rajonale. Shqipëria synon tё ndёrtojё me Serbinё marrëdhënie të mira dhe konstruktive, në interes të dy vendeve ç’ka do të përbënte edhe një kontribut për sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Shqipëria është e interesuar për trajtimin e shqiptarёve nё Serbinë e Jugut sipas standarteve të përparuara ndërkombëtare dhe demokratike. Ajo mbёshtet integrimin e plotë qytetar dhe tё barabartë tё shqiptarëve të kësaj zone në jetën dhe institucionet e shtetit të Serbisë.

Intensifikimi i dialogut politik dhe kontakteve në çdo nivel është qëllimi i bashkëpunimit me Bosnjë-Hercegovinën. Shqipëria mbështet procesin e integrimit të Bosnjë-Hercegovinës në NATO dhe BE, dhe i bashkangjitet përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar për reformat e nevojshme në vend, për një dinamikë të re në proceset integruese të Bosnjë-Hercegovinës. Qëndrimi i Shqipërisë është kundër çdo përpjekje për destabilizim dhe mbështet zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit. Shqipëria ka inkurajuar Bosnjë dhe Hercegovinën pёr tё rishikuar qёndrimin e saj ndaj pavarёsisё sё Kosovёs dhe pёr pjesёmarrjen e Kosovës në tё gjitha nismat, projektet dhe aktivitetet rajonale.

Marrëdhëniet me Italinë janë në nivel të shkëlqyeshëm politik me nënshkrimin e Deklaratës së Përbashkët për Vendosjen e Partneritetit Strategjik, që cilësohet një shprehje e qartë e miqësisë dhe vullnetit politik mes dy vendeve. Italia është mbështetësja dhe avokatja kryesore e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe të lëvizjes së lirë të njerëzve. Në fushën ekonomike dhe tregtare, Italia është partneri preferencial dhe investitori më i rëndësishëm për Shqipërinë. Italia ruan një pozicion mbizotërues në investimet e huaja direkte në Shqipëri dhe renditet vendi i tretë donator, pas Bashkimit Evropian dhe Bankës Botërore, me një angazhim që arrin në 650 milionë Euro. Ekziston një angazhim të madh i biznesit italian në Shqipëri, ku janë të pranishme mbi 400 ndërmarrje italiane dhe me kapital të përbashkët.

Marrëdhëniet me Greqinë i konsiderojmë si marrëdhënie të një karakteri të natyrshëm, tradicional dhe strategjik, nisur nga fakti që Greqia ka dhënë një ndihmesë të çmuar në zhvillimet ekonomike dhe demokratike të vendit tonë si dhe në proceset integruese euro-atlantike. Marrëdhëniet mes dy vendeve bazohen, gjithashtu, mbi ura të forta lidhëse dhe miqësie, siç janë komuniteti shqiptar në Greqi dhe minoriteti grek në Shqipëri. Greqia ka qenë dhe mbetet partner i rëndësishëm strategjik, politik dhe ekonomik i Shqipërisë. Greqia është një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomikë e tregtarë të Shqipërisë. Nga pikëpamja e investimeve, sipas vendit të origjinës, Greqia ruan një pozicion të rëndësishëm në investimet e huaja direkte në Shqipëri. Një numër i konsiderueshëm kompanish, kanë investuar në disa sektorë kyç të ekonomisë, përkatësisht në telefoninë celulare, sistemin bankar, ndërtim, shërbime, e industri, etj.

Marrëdhëniet me Republikën e Turqisë kanë në bazë të tyre miqësinë, lidhjet historike e tradicionale midis dy popujve. Bashkëpunimi politik, gjatë dy viteve të fundit është karakterizuar nga vizita reciproke zyrtare intensive të nivelit më të lartë dhe shkëmbime të rëndësishme në të gjitha fushat. Turqia mbetet një mbështetëse energjike e aspiratave integruese të Shqipërisë sidomos me ndihmën e pakursyer për anëtarësimin në NATO dhe në përpjekjet e saja për integrim të plotë në Bashkimin Evropian. Turqia mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomikë e tregtarë për Shqipërinë. Investimet turke në Shqipëri janë të konsiderueshme dhe në sektorë strategjikë të ekonomisë shqiptare si në telekomunikacion, banka, energji, miniera, transport, etj