Kriteri ekonomik

Bazat e politikës ekonomike

 

Ekonomia shqiptare pësoi ndryshime të mëdha strukturore në dy dekadat e fundit dhe politika ekonomike është orientuar drejt konsolidimit makroekonomik. Ekziston konsensus i gjerë për politikën ekonomike 2013-2015, e cila synon konsolidimin e mëtejshëm të regjimit fiskal, reduktimin e borxhit publik, përmirësimin e bilancit korrent dhe zhvillimin e politikës fiskale në përputhje me politikën monetare, shoqëruar me forcimin e buxhetit bazuar në shpenzime. Siç konstatonte edhe Komisioni Evropian në Progres-Raportin 2013, partitë kryesore janë dakord mbi bazat e ekonomisë së tregut, pavarësisht një klime politikë përgjithësisht të polarizuar. Kjo situatë politike e bën miratimin dhe zbatimin e reformave strukturore edhe më sfiduese. Ruajtja e stabilitetit makroekonomik, që përgjithësisht është forcuar, mbetet objektivi kryesor i politikës ekonomike.

 

Stabiliteti makroekonomik

 

Shqipëria e ka ruajtur stabilitetin makroekonomik gjatë vitit 2013, pavarësisht tkurrjes së aktivitetit ekonomik dhe rënies së kërkesës agregate, si edhe presioneve inflacioniste të dobëta nga sektori real dhe monetar. Rritja ekonomike u ngadalësua në 2013, ndërsa PBB reale u rrit me vetëm 0.7% kundrejt vitit pararendës. Banka e Shqipërisë ka regjistruar një trend rritës në tremujorin e fundit, me rritje më të balancuar në tremujorin e tretë, bazuar në kontributin pozitiv të eksporteve neto dhe kërkesës private të brendshme. Me gjithë rritjen, hendeku i prodhimit mbetet negativ për shkak të punësimit dhe presioneve të tjera të prodhimit që kanë ushtruar më pak presione inflacioniste.

 

Në tërësi, inflacioni i importuar ka rezultuar në presione inflacioniste të shtrënguara, për shkak të stabilizimit të kursit të këmbimit. Inflacioni i konsumit qëndroi mesatarisht në 1.7% në 2013, brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë, duke ankoruar pritshmëritë inflacioniste.

 

PBB shënoi rënie me 2.3% në tremujorin e fundit 2013, ndërsa eksportet e sektorëve të industrisë, minierave dhe energjetikës regjistruar një përmirësim të lehtë në tremujorin e fundit.

 

Me gjithë efektet pozitive të ruajtjes së stimulit monetar dhe stimulit fiskal më të larta, rritja ekonomike në vitin 2014 parashikohet të jetë 2.1% (sipas Bankës Botërore). Konsumi dhe investimet private pritet të luajnë pjesën e tyre në përshpejtimin e rritjes ekonomike në vitin 2015. Në sektorin financiar, prioritetet përfshijnë rritjen e aksesit në financime të biznesit, reduktimin e huave me probleme dhe uljen e borxhit publik. Përmirësimi i punësimit është një tjetër prioritet ekonomik afatgjatë. Banka e Shqipërisë e uli sërish normën bazë të interesit për të nxitur kreditimin që çon në hapje të vendeve të punës në sektorin privat. Si efekt zinxhir, kreditimi ndihmon prodhimin e brendshëm dhe eksportet, gjë që rezulton në forcimin e lekut kundrejt monedhave të huaja.