Postuar më: 24 Nëntor 2016

Konsultim mbi Planin Kombëtar për Integrimin Europian 2017-2020

Dokumentet e bashkangjitur

Ministria e Integrimit Europian, së bashku me ministritë e linjës dhe institucione të tjera publike, gjatë periudhës tetor - nëntor 2016, bashkëpunuan në mënyrë intensive për përditësimin e Planit Kombëtar për Integrimin Europian 2017 – 2020 (PKIE 2017 – 2020). Plani Kombëtar për Integrimin Europian 2017 – 2020, si instrumenti kryesor për planifikimin dhe monitorimin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të BE-së, së bashku me dokumentet e tjera strategjike, Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, Raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë dhe Partneritetin Europian, shërben  si dokument shumë i rëndësishëm në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Në kuadër të programit të transparencës bazuar në ligjin nr.119/2014 “Për të drejtën e informimit” si dhe detyrimit për konsultim publik të dokumenteve strategjikë bazuar në ligjin nr.146.2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, Ministria e Integrimit Europian sapo ka nisur procesin e konsultimeve të masave të parashikuara në Planin Kombëtar për Integrimin Europian 2017 – 2020 (PKIE)  me grupet e interesit në tërësi.
 
Në menunë e mësipërme gjeni projekt-Planin Kombëtar për Integrimin Europian 2017 - 2020, me qëllim njoftimin dhe konsultimin e tij me ju. Mirëpresim komentet tuaja  lidhur me projekt-PKIE-në 2017-2020, në formë elektronike në adresën sshcs.mie@integrimi.gov.al, deri në datën 10 dhjetor 2016.
 
Po ashtu, Ministria e Integrimit Europian, në koordinim me institucionet përgjegjëse për kapitujt e PKIE-së do të organizojë takime konsultative sipas kalendarit dhe axhendës në menunë e mësipërme. Jeni të ftuar të merrni pjesë sipas fushave të ekspertizës që ju mbuloni. Mirëpresim konfirmimet tuaja për pjesëmarrjen në këto takime konsultative deri në datën 24 nëntor 2016. Çdo pyetje apo koment i juaji lidhur me takimin konsultativ dhe pjesën e projekt-PKIE 2017-2020 të planifikuar për t’u konsultuar drejtpërdrejtë me ju sipas datave të agjendës bashkëlidhur, mirëpritet të dërgohet paraprakisht. Komentet dhe pyetjet tuaja do të na shërbejnë si bazë diskutimesh për këto takime konsultative.