Postuar më: 08 Shkurt 2017

Zv. Ministrja Xhixho: “Europe for citizens” promovon angazhimin qytetar për një demokraci më të mirë

Zv. Ministrja e Integrimit Europian, znj. Erisa Xhixho takim

me shoqërinë civile në kuadër të programit “Europe for citizens”.

 

 

Zv. Ministrja e Integrimit Europian, znj. Erisa Xhixho zhvilloi sot një takim me shoqërinë civile në kuadër të thirrjeve për programin “Europe for citizens”.

Të pranishëm ishin zv. Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, znj. Vjollca Braho dhe Drejtori i Projektit të Asistencës Teknike për programet europiane në Shqipëri, z. Sotiraq Guga.

Gjatë fjalës së saj zv. Ministrja Xhixho përmendi se ky program ka dy veçori kryesore.

“E para, promovon identitetin Europian. Europa, është unike në llojin e saj. Një bashkim vullnetar shtetesh, bazuar mbi diversitetin historik, kulturor, gjeografik të një numri të madh kombesh. Programi e vë theksin tek trashëgimia Europiane dhe synon të promovojë, sidomos tek brezi i ri, kujtesën historike të kontinentit të vjetër, përkrah vlerave të përbashkëta që BE ka sot”, u shpreh Xhixho.

Duke vijuar më tej me veçorinë tjetër të programit “Europe for citizens”, zv. Ministrja Xhixho theksoi se ky program ka në fokus kryesor bashkëpunimin midis organizatave jo-qeveritare dhe promovon angazhimin qytetar për një demokraci më të mirë, vullnetarizëm, promovim të vlerave Europiane.

“Jam e bindur, që iniciativa të tilla na bëjnë të ndihemi më afër Europës së bashkuar dhe na forcojnë më tepër identitetin tonë Europian”, tha zv. Ministrja Xhixho.

Zv. Ministrja e Integrimit Europian inkurajoi  organizatat rinore  që të aplikojnë në programin “Europa për Qytetarët”.

Drejtori i Projektit të Asistencës Teknike për programet europiane në Shqipëri, z. Sotiraq Guga, pasi shpjegoi programet në të cilat është pjesë vendi ynë vijoi më tej me sesionin e dytë të këtij trajnimi.