Postuar më: 31 Mars 2017

Zhvillohet takimi i tetë i Nënkomitetit Shqipëri-BE për “Transportin, Energjinë, Mjedisin dhe Zhvillimin Rajonal”

Takimi i tetë i Nënkomitetit Shqipëri-BE për “Transportin, Energjinë, Mjedisin dhe Zhvillimin Rajonal”, Tiranë, 30 mars 2017

Përfaqësuesit e Qeverisë shqiptare, të Komisionit Evropian dhe të Sekretariati të Komunitetit të Energjisë u takuan me datë 30 mars 2017, në Tiranë, për takimin e tetë të Nënkomitetit Shqipëri-BE për “Transportin, Energjinë, Mjedisin dhe Zhvillimin Rajonal”. Pjesëmarrësit diskutuan mbi zhvillimet më të fundit si dhe analizuan nivelin e përafrimit të legjislacionit kombëtar me rregullat dhe standardet e Bashkimit Evropian në këto fusha. Takimi u kryesua në emër të Shqipërisë nga Zëvendësministrja e Integrimit Europian, Znj. Eralda (Methasani) Çani, dhe bashkëdrejtua në emër të Bashkimit Evropian nga Z. Detlev Boeing, Koordinator i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në Njësinë e Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës në Drejtorinë e Përgjithshme të Fqinjësisë dhe Negociatave të Anëtarësimit.

 

Delegacioni shqiptar informoi mbi progresin e arritur që nga takimi i fundit i këtij Nënkomiteti, në prill të vitit 2016 dhe mbi përpjekjet e vazhdueshme për të miratuar dhe zbatuar legjislacionin kombëtar dhe strukturat administrative me standardet që Shqipëria duhet të arrijë me qëllim që të përmbushë detyrimet e saj nën Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA). Delegacioni i Bashkimit Evropian përgëzoi Shqipërinë për arritjet në disa fusha të ndryshme, si për shembull, miratimi i Kodit të ri Hekurudhor, eliminimi i boshllëqeve të fundit në sigurinë e menaxhimit të trafikut ajror, miratimi i modelit të tregu të energjisë, zhvillimet shumë pozitive në lidhje me nivelin e mbledhjes së faturave, progresi në ndarjen e Albpetrol-it, si dhe promovimi i energjive të rinovueshme. Shqipëria vazhdon të mbështesë në mënyrë aktive aktivitetet e Ballkanit Perëndimor 6 duke përfshirë Agjendën e Konektivitetit si dhe masat e reformës të cilat do të rishikohen në Samitin e Ballkanit Perëndimor i cili do të zhvillohet në muajin korrik, në Trieste, Itali.

 

Gjithashtu, Komisioni theksoi përpjekjet për përafrimin e mëtejshëm me legjislacionin e Bashkimit Evropian në fushën e mjedisit. Arritja e  standardeve të larta të Bashkimit Evropian, në fushën e cilësisë së ajrit, mbetjeve dhe menaxhimit të ujërave ose mbrojtjes së natyrës, për të përmendur pak sektorë, mbetet ende një sfidë për vitet në vijim. Mbeten akoma shqetësuese planet për të zhvilluar energjinë hidrike dhe  nëse autoritetet shqiptare po marrin parasysh në mënyrë të mjaftueshme ndikimin e investimeve aktuale dhe të ardhshme në energjinë hidrike, në mjedis dhe në mbrojtjen e natyrës. Duhet të intensifikohen përpjekjet në forcimin e vlerësimit të ndikimit mjedisor, vlerësimit strategjik mjedisor dhe procesit të lejeve mjedisore, si dhe duhet të intensifikohet inspektimi dhe monitorimi i tyre.

Për sa i përket ndryshimeve klimatike, Shqipëria ka ratifikuar Marrëveshjen e Parisit dhe ka përgatitur një strategji dhe ligje ambicioze mbi ndryshimet klimatike. Përmirësimi i bashkëpunimit ndërsektorial ka kontribuar në integrimin e ndryshimeve klimatike në projektstrategjitë e tjera sektoriale, të tilla si Strategjia e Energjisë dhe Strategjia Ndërsektoriale e Mjedisit. Megjithatë, Shqipëria tani duhet të finalizojë dhe të miratojë këto strategji të shumëpritura.

Duke njohur zhvillimet pozitive në tërësi në kuadrin ligjor, Komisioni nxiti Shqipërinë që të përshpejtojë përpjekjet e saj në zbatimin konkret të legjislacionit dytësor, të shoqëruar me forcimin e kapaciteteve administrative në të gjitha fushat.