Postuar më: 02 Maj 2017

Zhvillohet takimi i nëntë i Nënkomitetit për ‘Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë’, BE-Shqipëri

Zhvillohet takimi i nëntë i Nënkomitetit për ‘Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë’, BE-Shqipëri

 

Takimi i nëntë i Nënkomitetit për ‘Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë’ midis Bashkimit Europian dhe Shqipërisë u zhvillua me datë 28 prill 2017, në Bruksel. Përfaqësuesit e Komisionit Europian dhe autoritetet shqiptare diskutuan rreth zhvillimeve më të fundit në fushën e shtetit të së drejtës. Takimi u kryesua nga Znj. Michela Matuella, Shefe e Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje – Herzegovinën në Drejtorinë e Përgjithshme të Politikës së Fqinjësisë dhe Negociatave të Anëtarësimit në Komisionin Evropian dhe Znj. Eralda Çani, Zëvëndësministër i Integrimit Europian, Ministria e Integrimit Europian.

 

Ky takim shërbeu për të bërë një vlerësim të përgjithshëm të progresit të arritur nga Shqipëria gjatë vitit të kaluar, veçanërisht përsa i përket zbatimit të reformës në drejtësi, luftës ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, përfshirë trafikimin e drogës, bashkëpunimin policor, azilin dhe migracionin, menaxhimin kufitar dhe politikat e vizave, anti-terrorizmin, dhe të drejtat e njeriut.

 

Përfaqësuesit e Komisionit ripërsëritën gjetjet kryesore të Raportit 2016 për Shqiprinë dhe përfaqësuesit e Shqipërisë prezantuan përditësimet dhe zhvillimet të cilat kanë vijuar pas publikimit të Raportit. Komisioni përgëzoi punën e bërë me kuadrin ligjor për të adresuar një sërë mangësish, duke përfshirë miratimin e kodit të drejtësisë për të miturit, miratimin e planit të veprimit kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit 2017-2020, si dhe theksoi rëndësinë e krijimit të kushteve për zbatimin efektiv të tij. Komisioni vuri veçanërisht në dukje se zbatimi i reformës në drejtësi, përfshirë kryerjen e procesit të veting-ut, është thelbësore në rekomandimin me kusht nga Komisioni, për hapjen e negociatave të antarësimit. Vëmëndja duhet të mbahet në të gjitha fushat të cilat mbulojnë 5 prioritetet kyçe për hapjen e negociatave për anëtarësim. Duhet të vazhdohet progresi i arritur në ngritjen e një historiku solid të hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

 

Institucionet shqiptare ritheksuan përkushtimin e tyre ndaj procesit te integrimit evropian, si dhe falënderuan Komisionin Eiropian për asistencën e dhënë dhe rekomandimet për përparimin e këtij procesi.