Postuar më: 07 Shkurt 2017

Vlorë/ Zhvillohet tryeza "Procesi i rehabilitimit të familjeve që kanë përjetuar dhunë psiko-socio-ekonomike

Ministrja Gjosha: Bashkëpunim mes pushtetit qëndror

dhe lokal për të luftuar dhunën në familje

 

Zv. Ministrja Xhixho: Zbatimi efektiv i

ligjit dhe nxitje e fuqizimit të gruas

 

U organizua sot në Vlorë tryeza "Procesi i rehabilitimit të familjeve që kanë përjetuar dhunë psiko-socio-ekonomike". Të pranishme në këtë takim ishin Ministrja e Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha, zv.Ministrja e Integrimit Europian znj. Erisa Xhixho, përfaqësues të shoqërisë civile dhe institucioneve të tjera të qarkut.

Ministrja e Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të të gjithë aktorëve për të luftuar dhunën në familje.

 "Shifrat në rritje të denoncimeve të dhunës ne familje,në një farë mase na bëjnë optimistë pasi ndryshimet ligjore në kodin penal dhe dënimet për këtë fenomen kanë bërë që sensibilizimi i grave dhe vajzave të jetë më i lartë. Por, nga ana tjetër këto shifra duhet të na bëjnë akoma dhe më të përgjegjshëm se bashkëpunimi mes pushtetit qëndror, lokal dhe shoqërisë civile duhet të jetë maksimal për tu ardhur në ndihmë këtyre familjeve", tha Ministrja Gjosha.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile shprehën rëndësinë e nxitjes së punësimit dhe pavarësisë ekonomike si një prej mekanizmave më efektiv për rehabilitimin e familjeve të prekura nga dhuna.

Ministrja Gjosha theksoi se janë bërë hapa përpara për barazinë gjinore dhe luftën kundër dhunës në familje, si një prej 5 prioriteteve kyçe të vendosura nga Bashkimi Europian për të ecur përpara me procesin e integrimit.

Zv. Ministrja e Integrimit Europian znj. Erisa Xhixho u shpreh se zbatimi i legjislacionit mund të jetë më efektiv përmes përfshirjes se aktorëve dhe veçanërisht pushtetit lokal i cili me reformën e re territoriale ka rol kyç në ofrimin e shërbimeve. "Gjithashtu ne duhet të mundësojmë promovimin e një modeli të ri të gruas përmes edukimit dhe ndryshimit të mentalitetit. Është një proces që kërkon kohë ", tha zv. ministrja Xhixho.

Përfaqësuesit e institucioneve shprehën gatishmërinë për të intensifikuar bashkëpunimin në mënyrë që të luftohet ky fenomen.