Postuar më: 10 Prill 2017

Nis trajnimi 4 ditor për punonjësit e administratës publike me fokus dhënien e njohurive mbi procesin e negociatave me Bashkimin Europian.

Ministrja Gjosha: Serioziteti për avancimin me

 

reformat, përcakton ritmin e rrugëtimit në BE

 

 

“Shqipëria ka nevojë për administratë të kualifikuar që njeh mirë procesin e integrimit”

 

 

Ministrja Harito: Jeni dallëndyshet e procesit. Proces

 

i gjatë, kompleks, i vështirë e kërkon shumë kapacitete

 

 

Ministrja e Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha dhe Ministrja për Inovacionin dhe Administraten Publike, znj. Milena Harito morën sot pjesë në nisjen e trajnimit 4 ditor për punonjësit e administratës publike. Ky trajnim me ekspertë francezë dhe kroatë do të ketë në fokus pikërisht dhënien e njohurive mbi procesin e negociatave me Bashkimin Europian.

 

Ministrja Gjosha theksoi se pas marrjes së rekomandimit pozitiv nga Komisioni për hapjen e negociatave të anëtarësimit, pritshmëritë  e Shqipërisë  janë të mëdha për nisjen e shpejtë të këtij procesi.

 

“Dua të theksoj se jemi plotësisht të ndërgjegjshëm se angazhimi ynë për të avancuar me reformat, si dhe serioziteti me të cilin do të përballohet çdo fazë e procesit, do të përcaktojnë ritmin e rrugëtimit tonë drejt integrimit në BE”, tha Ministrja Gjosha.

 

Në këtë kuadër Ministrja theksoi se përgatitja e administratës publike merr një rëndësi prioritare. “Forcimi i kapaciteteve profesionale është pjesë integrale dhe e qenësishme e politikave të Ministrisë së Integrimit Europian, sepse jemi të bindur që vetëm kështu do të arrijmë të përballojmë me sukses të gjitha fazat pasuese të procesit të anëtarësimit”, tha Ministrja.

 

Janë rreth 100 ekspertë për të dy këto Grupe, të cilët në fund të muajit prill dhe në fillim të muajit maj 2017 do të marrin pjesë në këto takime shpjeguese.

 

Ndërsa Ministrja Harito theksoi këta punonjës të administratës publike janë dallëndyshet e para të këtij procesi.

 

“ Unë dua t’ju përshëndes me shumë kënaqësi sepse nga ju fillon puna e gjatë edhe e vështirë për gjithë negociatat, që janë një proces i gjatë, kompleks, i vështirë që kërkon shumë kapacitete dhe aftësi. Ne kemi ndërmarrë gjithë reformat e nevojshme që administrata të jetë e qëndrueshme dhe ju jeni pjesë e kësaj administrate të qëndrueshme, me një sistem rekrutimi transparent dhe një sistem karriere motivues. Sot ju jeni pjesë e kësaj administrate, por në fund të këtij procesi ju të gjithë do të jeni pjesë e administratës së një vendi të BE.”, u shpreh Harito.

 

Ky trajnim i organizuar nga DAP-i, në bashkëpunim të ngushtë me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike, vjen në kohën e duhur sepse synon pikërisht përgatitjen e anëtarëve të Grupeve Ndërinstitucionale të Punës me aftësitë e nevojshme për të përballuar negociatat me institucionet e BE-se, si dhe rritjen e kapaciteteve institucionale dhe administrative për koordinimin e procesit të negociatave.

 

“Në aspektin teknik, negociatat do të jenë tepër të vështira, edhe për arsyet e sipërpërmendura. Në rastin e Kroacisë, rreth 4 000 punonjës të administratës civile dhe ekspertë kroatë morën pjesë në negociata ose në grupet e ndryshme të punës apo aktivitete për plotësimin e kushteve të anëtarësimit. Pra kemi të bëjmë me një punë voluminoze që na pret”, tha Ministrja Gjosha.