Postuar më: 07 Shkurt 2017

Ministrja Gjosha: Rritja e standardeve të shoqërisë civile nëpërmjet të rinjve, kontribut për integrimin

Ministrja e Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha

pret Rrjetin Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN)

 

Ministrja e Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha zhvilloi sot një takim me Rrjetin Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN) dhe Lidershipin e të Rinjve të Tiranës.  

Përfshirja e të rinjve në procesin e integrimit, programet e Bashkimit Europian nga të cilat ata mund të përfitojnë, si  dhe fuqizimi i organizatave rinore të shoqërisë civile ishin disa nga çështjet kryesore që u diskutuan gjatë këtij takimi.

Ministrja Gjosha u shpreh se të rinjtë përveçse janë lokomotiva e procesit të integrimit  kanë potencialin të rrisin standardet e shoqërisë civile në Shqipëri.

“Roli i shoqërisë civile është tepër i rëndësishëm dhe i patjetërsueshëm për zhvillimin e vendit, për të ardhmen tonë europiane. Unë ju inkurajoj që më iniciativën, kurajën dhe idetë tuaja të punoni që standardet e shoqërisë civile të jenë të larta, pasi vetëm kështu kontributi i tyre është kontribut real për Shqipërinë”, tha Ministrja Gjosha.

Të rinjtë bashkëbiseduan me Ministren në lidhje me fazën e radhës të procesit të integrimit që është hapja e negociatave me Bashkimin Europian, duke shprehur interes dhe kërkuar informacion mbi atë çka Shqipëria do të përfitojë.