Postuar më: 20 Mars 2017

Ministrja e Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha takon zv. Ministrin e Çështjeve Europiane të Estonisë, z. Matti Maasikas

Ministrja Gjosha: Integrimi i Shqipërisë mbi çdo axhendë partiake,

dialogu mekanizmi më i mirë për të ardhmen tonë evropiane

 

Zv. Ministri i Estonisë: Zbatimi i ligjit të Vettingut kusht për negociatat,

duhet angazhimi i gjithë aktorëve për rezultatet

 

Ministrja e Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha priti sot në një takim Zv. Ministrin e Çështjeve Europiane të Estonisë, z. Matti Maasikas.

Bashkëbiseduesit, diskutuan për procesin e integrimit të Shqipërisë, perspektivën e zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor si dhe sfidat me të cilat përballet Europa sot.

Ministrja Gjosha, theksoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare për ta pasur prioritet kombëtar integrimin, duke punuar me reformat që përshpejtojnë axhendën europiane.

Ministrja Gjosha, nënvizoi gjithashtu se e ardhmja europiane e Shqipërisë qëndron mbi axhendat partiake, ndaj dialogu në politikë është mekanizmi më i mirë për të çuar përpara vendin duke ofruar zgjidhjet e duhura për qytetarët.

“Integrimin e Shqipërisë në familjen europiane e duan pjesa më e madhe e qytetarëve shqiptarë, ndaj politika duhet t’i shërbejë vullnetit të tyre, duke ofruar zgjidhje”, tha Ministrja Gjosha.

Duke u ndalur tek reforma në drejtësi zv. Ministri i Estonisë u shpreh se zbatimi i shpejtë i ligjit të Vettingut është kusht për çeljen e negociatave, ndaj angazhimi i të gjithë aktorëve duhet të jetë maksimal për të arritur rezultate.