Postuar më: 16 Qershor 2017

Eksperienca kroate para procesit të negociatave, vizitë studimore

Në kuadër të angazhimeve të vendit për avancimin e procesit të integrimit evropian dhe më konkretisht hapjen e negociatave të anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Departamenti i Administratës Publike në bashkëpunim me Projektin e Binjakëzimit “Mbështetje për Reformën në Administratën Publike”, organizuan një vizitë studimore në Zagreb, Kroaci, në datat 5 – 9 qershor 2017.

 

Në këtë vizitë studimore, morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Integrimit Europian, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga Ambasada e Shqipërisë në Republikën e Kroacisë. Delegacioni shqiptar u kryesua nga Zëvendësministri i Integrimit Europian, Znj. Eralda Çani.

 

U zhvilluan një sërë takimesh mjaft të frytshme me drejtues dhe përfaqësues të ndryshëm të Ministrisë së Administratës Publike Kroate, Ministrisë së Jashtme dhe të Integrimit Europian, Ministrisë së Drejtësisë, si dhe Akademisë së Gjyqësorit, Prokurorisë së Përgjithshme dhe USKOK-ut, institucioni kroat që kryen hetime për rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

 

Qëllimi i kësaj vizite studimore ishte përcjellja e eksperiencës kroate në përgatitjen për çeljen e negociatave për anëtarësimin në BE, hapat konkrete institucionale që administrata publike kroate ka ndërmarrë përgjatë negociatave, si dhe eksperiencën pas anëtarësim të Kroacisë në Bashkimin Evropian.