Postuar më: 09 Maj 2017

“Dyer të hapura për rininë”, dita e Europës në festohet në Tiranë

Ministrja Gjosha: Qytetarët kanë nevojë ta

ndërtojnë në Shqipëri jetën europiane të fëmijëve të tyre

 

Ministria e Integrimit Europian, në bashkëpunim me Kuvendin  e Republikës së Shqipërisë, zhvilloi sot në Tiranë aktivitetin  “Dyer të hapura për rininë” në kuadër të ditës së Europës.

Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin Kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Presidenti i ardhshëm z. Ilir Meta, Ministrja e Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha, Ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, znj. Romana Vlahutin, trupa diplomatike e vendeve anëtare të BE, përfaqësues të shoqërisë civile dhe dhjetëra të rinj.

“Qytetarët tanë kanë nevojë që ta ndërtojnë jetën europiane të fëmijëve të tyre këtu, në vendin e tyre. Dua të theksoj se pavarësisht se gjatë gjithë këtyre viteve vazhdimisht procesi i integrimit mund të jetë dukur si një proces teknik, proces i reformave të mëdha, qëllimi i  tij është vetëm një: Jetë më e mirë për qytetarët tanë”, tha Ministrja Gjosha në fjalën e saj.

Ministrja theksoi se pavarësisht ngjyrës politike të gjithëve u vjen mirë për sukseset që ka patur Shqipëria me procesin e integrimit katër  vitet e fundit duke përmendur statusin e  vendit kandidat në 2014 dhe marrjen e rekomandimit pozitiv në 2016.

“Këto arritje ato i përkasin shqiptarëve ashtu siç i përket atyre procesi i integrimit. Ndaj nuk ndjehem mirë, për të qenë e sinqertë, që në vend që këto hapa t’i kurorëzojmë me një tjetër fitore, atë të çeljes së negociatave, vendi sot gjendet në një ngërç të pajustifikuar politik, i cili trondit themelet e demokracisë, por edhe vizionin për të ardhmen e vendit tonë”, tha Ministrja Gjosha.

Ministrja Gjosha, ftoi të rinjtë të kontribuojnë në procesin me energjinë dhe vizionin e tyre për procesin e integrimit, duke i hapur kështu rrugën të ardhmes europiane të vendit.