Postuar më: 20 Tetor 2015

Klajda Gjosha: Presim vlerësim pozitiv nga BE, reformat kryesore janë plotësuar

Ministrja e Integrimit Europian Klajda Gjosha: Reforma në drejtësi është drita jeshila që i duhet vendit të përparojë me procesin e integrimit. Pa të nuk mund të kemi hapje negociatash

Klajda Gjosha: Presim vlerësim pozitiv nga BE, reformat kryesore janë plotësuar

Intervistoi: Sidorela Lepri

Ministrja e Integrimit Europian Klajda Gjosha vlerëson se progres raporti i KE për Shqipërinë do të jetë pozitiv. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Ministrja shprehet se pjesa kryesore e rekomandimeve është përmbushur. Ndërkohë që pika kryesore nga e cila varet hapja e negociatave është reforma në drejtësi. “Është një reformë që duhet të përmbyllet sa më shpejt, sërish për t’u rikthyer besimin qytetarëve tek sistemi i drejtësisë, një besim i humbur prej vitesh. Reforma në drejtësi, është gjithashtu drita jeshila që i duhet vendit të përparojë me procesin e integrimit. Pa të nuk mund të kemi hapje negociatash”, shprehet Gjosha.

BE ka vendosur disa kushte lidhur me anëtarësimin e vendit tonë. Sa prej këtyre kushteve janë plotësuar?

Janë  5 prioritete kyçe që Shqipërisë i janë lënë për t’u plotësuar, në mënyrë që të kalojë në fazën e radhës së procesit të integrimit, që është hapja e negociatave. Udhërrëfyesi për 5 prioritetet, është dokumenti që përmban afatet, masat dhe detyrat që çdo institucion duhet të kryejë, në mënyrë që të plotësohet secili prej tyre. Përpos këtij dokumenti, prej një viti  po punojnë intensivisht grupet e përbashkëta të punës me përfaqësues nga Komisioni Europian, të cilat monitorojnë arritjet për çdo prioritet. Pjesa më e madhe e  masave të parashikuara, janë plotësuar dhe si Ministre e Integrimit Europian, ndjehem mjaft mirë për këtë realizim, pasi dëshmon për një koordinim dhe angazhim të gjerë institucional, në funksion të prioritetit më madhor që ka vendi aktualisht, që është procesi i integrimit.   

Nga ana e Komisionit Europian, si është vlerësuar mbarëvajtja për plotësimin e kushteve që i janë kërkuar Shqipërisë?

Kemi vlerësime mjaft pozitive nga partnerët tanë, për ecurinë e reformave të ndërmarra si dhe për vullnetin e pamunguar për të përparuar me axhendën tonë europiane. Progresi i Shqipërisë, njihet  dhe vlerësohet në të gjitha takimet që kemi dhe kjo është një shtysë e madhe për ne. Na është ofruar gjithnjë mbështetja, asistenca me ekspertizë dhe bashkëpunimi. Sigurisht që ka ende punë për të bërë, por ne jemi të vendosur të mos ndalim në asnjë moment punën tonë me procesin e integrimit. Çdo hap pozitiv i bërë në këtë drejtim, është së pari një hap përpara për zhvillimin e vendit, një jetë më të mirë të shqiptarëve, standarde më të forta të demokracisë. Ne e shohim procesin e integrimit, jo vetëm si përmbushje të kushteve që të vlerësohen nga ndërkombëtarët, por e shohim si një mekanizëm që do të transformojë gjithë shoqërinë tonë.  

Ju, si ministre e Ministrisë së Integrimit, cilat nga kushtet e vendosura besoni se po has më shumë vështirësi në realizimin e tyre?

Më e vështira për t’u realizuar është reforma në drejtësi, për vetë specifikën që ka. Por nga ana tjetër, kjo reformë është edhe më e rëndësishmja. Është një reformë që duhet të përmbyllet sa më shpejt, sërish për t’u rikthyer besimin qytetarëve tek sistemi i drejtësisë, një besim i humbur prej vitesh. Reforma në drejtësi, është gjithashtu drita jeshile që i duhet vendit të përparojë me procesin e integrimit. Pa të nuk mund të kemi hapje negociatash.

Në kushtet e vendosura, një prej tyre që ka ngjallur debate është edhe “Reforma në drejtësi”. Kur pritet që kjo reformë të realizohet dhe të jetë sa më e pranushme për BE-në?

Drafti i hartuar nga ekspertët, i konsultuar në shumë tryeza me shumë aktorë, është çuar tashmë në Komisionin e Venecias, një organizëm konsultativ, i cili pritet të japë një sërë rekomandimesh  për këtë reformë. Pasi të reflektohen këto rekomandime, reforma pritet të miratohet në Parlament. Implementimi i saj nis pas kësaj faze, por duke ditur që implementimi kërkon kohë, pasi do të jetë një reformë e thellë bazuar në modelet më të mira, ne do të mundemi t’i kërkojmë  Komisionit Europian, një rekomandim për hapjen e negociatave në mënyrë që implementimi të bëhet përgjatë kësaj faze të procesit.

Ndalemi te raportet brenda koalicionit PS-LSI. Si kanë qenë këto raporte gjatë periudhës 2- vjeçare në bashkëqeverisje?

Kanë qenë raporte shumë të mira dhe efecientë bashkëpunimi. Kjo është fryma që si pjesë e kabinetit qeveritar, si Ministre e Integrimit që duhet të koordinoj punën edhe me kolegët e mi të Ministrive të linjës, kam ndier gjatë këtij harku kohor të qeverisjes.

Kohët e fundit është folur edhe për zgjedhje ta parakohshme. Por opozita duket se nuk po shfaq më interes, madje është dëgjuar të flasë më shpesh për dorëheqjen e kreut të LSI-së?

Si përfaqësuese e LSI-së, si Ministre por edhe personalisht, i qëndroj shumë larg, tymnajave, thashethemnajave, e spekulimeve që nuk kanë lidhje me të vërtetën. Sa i përket opozitës, besoj se është e drejtë e saj të bëjë të gjithë kërkesat e mundshme, ashtu sikurse ndjej të ritheksoj se për  procesin e integrimit, opozita njësoj si maxhoranca ka detyrë dhe përgjegjësi të kontribuojë, në mënyrë që ky proces të avancojë. Është një detyrim që e ka ndaj qytetarëve shqiptarë.

Si koalicion, LSI-PS, fituat bindshëm edhe zgjedhjet e fundit lokale. Sa e vështirë është të menaxhohet si duhet fitorja dhe a besoni realisht tek një fitore e tretë? 

Fitorja në zgjedhjet e 21 qershorit, është një fitore që duhet ta nxisë maxhorancën e sotme, të  punojë edhe më shumë, të ndërmarrë edhe më shumë reforma, në mënyrë që të gjithë shqiptarëve që i kanë dhënë votën t’u shpërblejë besimin. Mendoj se kjo është forma më e mirë për të menaxhuar një fitore bindëse e për më tepër për të pasur një fitore edhe më të madhe pas 2 vjetësh.

A mendoni se janë të nevojshme ndryshimet në kabinetin qeveritar?

Ndryshimet në qeveri nuk janë kompentencë e imja. Besoj se opinionet personale nuk kanë ndonjë rëndësi në këtë lloj vendimmarrjeje.  

Ka pasur gjithnjë debate të ndezura në Europë, mbi zgjerimin, por aktualisht zërat  më të fuqishëm të BE-së, i shihni se janë pro apo kundër zgjerimit të mëtejshëm?

Ka një politikë zgjerimi aktualisht e cila parashikon që për një hark kohor prej 5 vjetësh Bashkimi Europian, nuk do të ketë zgjerim me vende të reja. Sigurisht që Shqipëria nuk ka pasur pritshmëri që të anëtarësohej në këtë periudhë, pasi siç e dini, procesi përveçse është kompleks, ka fazat e tij, kërkon kohën e tij. Por pavarësisht kësaj, ne këto vite i shohim si vite progresi, dhe pse jo nëse plotëson standardet e kërkuara Shqipëria, do ta meritonte hapjen e negociatave brenda tyre. 

Së fundmi, a ka pasur Shqipëria një ecuri më pozitive krahasuar me vendet e  tjera të rajonit, kryesisht të Ballkanit Perëndimor, drejt procesit të Integrimit?

Janë krahasime që për herë të parë këtë vit do ti bëjë Komisioni Europian, i cili ka zbatuar një metodologji të re për progres- raportin i cili del shumë shpejt. Për Shqipërinë në tërësi, ky progres-raport do të jetë shumë pozitiv. Puna e bërë dhe reformat e ndërmarra gjatë vitit të fundit pritet të reflektohen në progres-raport.