Postuar më: 13 Shtator 2016

Intervista e Ministres Gjosha për Vizion+

Ministrja Gjosha: Ligji i Vetting-ut, kyç për zbatimin e reformës në drejtësi dhe procesin e integrimit

 

Vlerësoj rolin e LSI-së për

rikthimin e dialogut  politik në vend

 

Zonja Ministre, Shqipëria pret këtë vit rekomandimin pozitiv për hapjen e negociatave, në fakt nesër ne  miratojmë në parlament ligjin e Vetting-ut, sa  do të ndikojë kjo në progres- raportin e ardhshëm në tetor?

Shumë çështje kontribuojnë në progres raportin e ardhshëm të Shqipërisë  i cili do të dalë shumë shpejt, në muajin tetor ose nëntor.  Ne,  ende nuk kemi një datë të vendosur nga Komisioni Europian, por është shumë i rëndësishëm fakti që Shqipëria miratoi me 140 vota reformën në drejtësi. Konsensusi, ka treguar një pjekuri të klasës politike shqiptare,  gjithashtu ka rikthyer dialogun politik në vend dhe kjo është jashtëzakonisht  thelbësore  si për vendin ashtu edhe për ndërkombëtarët, pasi ju e keni parë sesa shumë  të angazhuar kanë qenë me të gjitha palët  politike. Ne shpresojmë që  ky dialog të vazhdojë edhe nesër  dhe shpresojmë të jetë sërish me konsensus të ligjit të Vettingut, ose ligjit që do të mundësojë skanimin e figurës së  gjykatësve dhe prokurorëve . Është ligji më i rëndësishëm në të 7 ligjet që  bëjnë të vlefshëm kalimin e ndryshimeve kushtetuese apo që hapin dyert e implementimit të kësaj reformë, është ligji që do të kërkojë më shumë kohë  në fakt se ligjet e tjera për të filluar implementimin dhe për tu përfunduar. Kjo është arsyeja  që komisioni europian ka kërkuar ligjin e Vetting-ut si një prej kushteve  kryesore në mënyrë që Shqipërisë t’i çelet drita jeshile për të vazhduar me procesin e integrimit. Kërkon 3 muaj kohë nga momenti që ai miratohet për të parë rezultatet e para apo ato Trak -Records që kërkohen  aq shumë nga ndërkombëtarët.

Duke pasur parasysh votimin e  ndryshimeve kushtetuese dhe ligjin e Vettingut nesër, a mund të shpresojë Shqipëria për një rekomandim pozitiv nga Komisioni Europian?

Unë do të shpresoja shumë,që Shqipërisë dhe shqiptarëve t’i jepet mundësia për çeljen e negociatave.  Kjo do të shihet nga zbatimi i reformës, dhe pas Vetting-ut parlamenti do të mblidhet sërish për të miratuar 6 ligjet e tjera që i hapin rrugën këtij implementimi.  Të gjitha këto së bashku do të çojnë në çeljen  negociatave. Kuptohet që reforma në drejtësi do t’i japë zgjidhje shumë çështjeve të tjera dhe prioriteteve kyçe për të cilat ne punojmë siç janë  Lufta kundër krimit  të organizuar, korrupsionit dhe të drejtave të njeriut duke përfshirë këtu çështjen e pronës.  Në këtë këndvështrim, Shqipëria ka plotësuar pak a shumë kuadrin e kërkuar  edhe nga vetë komisioni europian ka kërkuar për fazën tjetër. Kuptohet që ky është një proces, është në vazhdimësi, çelja e negociatave do   ta çojë vendin në një fazë  dialogu edhe më konkrete me Bashkimin Europian, për plotësimin e 5 prioriteteve dhe më tej të çdo kapitulli që ne do të hapim.

Në fakt vendimin përfundimtar e merr Këshilli Europian , a mund të presim dhe prej tij një vendim pozitiv dhe prej tij?

Unë do të flisja për Komisionin  dhe progres-raportin pasi kjo është edhe marrëdhënia kyçe e Ministrisë, më pas kjo do të varej nga vendet anëtare ku rol do të luaj dhe Ministria e Jashtme së bashku me ne  dhe me të gjithë aktorët politikë në vend. Është thelbësore që ne të kalojmë fazën e parë, pra marrjen e një rekomandimi pozitiv dhe më tej gjithçka do të varet edhe nga klima politike e secilit prej vendeve anëtare të BE-së.

 

Ju jeni përfaqësuese e LSI-së në fakt, cili është qëndrimi i LSI-së nesër në parlament për Ligjin e Vetting-ut?

Qëndrimi i LSI ka qenë që në fillim dhe gjithmonë pro jo vetëm për ligjin e Vetting-ut, por për reformën në drejtësi   në tërësi dhe unë këtu do të vlerësoja jashtëzakonisht shumë, qëndrimin jo vetëm të  e LSI-së, por edhe Kryetarit të Kuvendit për rolin kyç që ai ka luajtur në rikthimin e dialogut politik në vend. Ne kemi pasur gjithmonë një qëndrim pro. Ky është një ligj kyç për procesin e integrimit, është  një ligj kyç për ecurinë e reformës në drejtësi në vend,  një ligj kyç për atë që presin shqiptarët dhe prandaj LSI-ja ka pasur një qëndrim pozitiv.