Postuar më: 07 Tetor 2015

Gjosha: Pas reformës në drejtësi do të kërkojmë datë për negociata

E ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” për të folur mbi pritshmëritë nga progres-raporti i këtij viti, ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha u shpreh se tonet për Shqipërinë do të jenë tejet pozitive. Megjithatë, Gjosha tha se Shqipëria ende nuk është gati për një rekomandim nga Komisioni Europian për sa i përket hapjes së negociatave.

“Kjo vetëm për një kusht, reforma në drejtësi. Kjo reformë do të jetë kyçi i suksesit të integrimit. Kjo është reforma që do t’i japë vendit mundësinë për të kërkuar më pas hapjen e negociatave”, tha Gjosha, e cila shtoi se menjëherë pas miratimit të kësaj reforme, Shqipëria do të kërkojë një datë për hapjen e negociatave.

Pandi Gjata: Për shkak edhe të zhvillimeve të tjera, këtë vit progres-raporti është lënë disi në harresë, por besoj se në ditët e ardhshme do të jetë kryefjalë e përditshmërisë sonë. A jeni në dijeni të dokumentit që pritet të prezantohet në datën 21 tetor? Cilat janë pritshmëritë tuaja si ministre, por edhe të Shqipërisë nga ky dokument?

Klajda Gjosha: Ne nuk jemi në brendësi të dokumentit që do të dalë, por ajo çfarë dimë dhe kemi bindjen është se tonet për Shqipërinë do të jenë tejet pozitive, duke besuar thellësisht në punën e madhe që është bërë nga progres-raporti i fundit. Pas marrjes së statusit kandidat, unë mund të them me bindje se Qeveria ka bërë një punë të jashtëzakonshme në ndërmarrjen e disa reformave shumë të rëndësishme për vendin dhe në luftën ndaj korrupsionit që është edhe një çështje mjaft e rëndësishme. Ne ende nuk jemi gati për një rekomandim nga Komisioni Europian për sa i përket hapjes së negociatave dhe kjo vetëm për një kusht, reforma në drejtësi. Kjo reformë do të jetë kyçi i suksesit të integrimit, por jo vetëm. Kjo është reforma që do t’i japë vendit mundësinë për të kërkuar më pas hapjen e negociatave.

Pandi Gjata: Cilat janë anët negative dhe pozitive që ju prisni në këtë dokument?

Klajda Gjosha: Ka shumë anë pozitive, duke filluar që nga prioriteti numër 1 që ka të bëjë me reformën në administratën publike. Kjo është një nga reformat tejet të suksesshme dhe kam bindjen se progres-raporti do ta evidentojë këtë sukses. Ka pasur një respekt të plotë të ligjit të nëpunësit civil dhe kjo tregon edhe një herë vendosmërinë e Qeverisë për të vazhduar implementimin e kësaj reforme. Prioriteti numër 5, që ka të bëjë me të drejtat e njeriut, është një nga ato prioritete që Shqipëria nuk ka shfaqur probleme të mëdha. Një nga arritjet e mëdha ishin edhe zgjedhjet lokale, me 50% gra dhe vajza në këshillat bashkiakë. Kjo e evidenton Shqipërinë si një vend që ka bërë hapa para në barazinë gjinore. Ajo që në progres-raport do të evidentohet si një nevojë e domosdoshme për vendin është reforma në drejtësi. Jo vetëm për çështjet e drejtësisë dhe të shtetit të së drejtës, por ne kemi edhe dy prioritete të tjera për të cilët punohet pa fund, siç janë antikorrupioni dhe krimi i organizuar. Për krimin e organizuar kemi një luftë të hapur të shtetit ndaj kësaj çështje. Të gjitha këto raste ndërlidhen me reformën në drejtësi, me gjykimin e fundit që duhet të japë gjykata për secilën nga këto çështje. Reforma në drejtësi është kyçi i zgjidhjes edhe të dy prioriteteve të tjera.

Pandi Gjata: Brenda dhjetorit kam përshtypjen që do të miratohet kjo reformë, apo jo?

Klajda Gjosha: Ne shpresojmë se po. Deri tani është bërë një punë shumë e mirë. Shumë shpejt do të kemi edhe rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe më pas do të kemi edhe bisedën e hapur mes palëve për të vendosur një kompromis të mundshëm dhe për ta votuar atë në Parlament.

Pandi Gjata: Pas miratimit të reformës në drejtësi, do ta kërkojë Shqipëria një datë për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE, apo do të kemi një rekomandim?

Klajda Gjosha: Komisioni Europian do të shohë procedurat që do të çojnë deri në miratimin e reformës. Ata gjithmonë kërkojnë të shohin edhe implementimin e parë të kësaj reforme. Pavarësisht kësaj, unë do të thosha që çështjet e drejtësisë do të vazhdojnë gjithmonë. Ne kemi mbështetjen e plotë të Komisionit Europian për vazhdimin e procesit dhe hapjen e negociatave, por nga ana tjetër ne duhet të kërkojmë patjetër hapjen e negociatave. Implementimi i të gjitha reformave duhet të shikohet nëpërmjet kapitujve. Kjo e bën më të lehtë zbatimin e reformave në mënyrë konkrete.

Pandi Gjata: Nëse të gjitha gjërat shkojnë sipas parashikimeve, a keni ju një datë për hapjen e negociatave për anëtarësim?

Klajda Gjosha: Unë jam shprehur gjithmonë se në procesin e integrimit nuk vendosim dot data sepse ka ngjarje të mëdha që bëhen shkak i shtyrjeve të procesit brenda BE-së. Ajo që është e sigurt është se me reformën në drejtësi ne do të kërkojmë hapjen e negociatave për anëtarësim dhe le të shpresojmë që edhe vendet anëtare të jenë gati për të pranuar hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Pandi Gjata: Paralelisht me integrimin e Ballkanit, BE-ja ka një axhendë të ngjeshur me krizën e refugjatëve, por edhe e azilantëve nga vendet e Ballkanit. A do ta përshpejtojë apo do ta frenojë procesin e integrimit të Ballkanit në BE kjo krizë?

Klajda Gjosha: Për momentin çështja e refugjatëve ka marrë pjesën më të madhe të axhendës të të gjithë vendeve anëtarë. Është e vërtetë që duket se ka humbur fokusi i zgjerimit apo i vendeve që janë aspiruese për të qenë pjesë e BE-së, por unë besoj se procesi dhe te projekti i madh i Bashkimit Europian dhe them se ky projekt do të vazhdojë me një fokus të madh për Ballkanin Perëndimor. Gjermania ka kthyer sytë nga Ballkani Perëndimor dhe këtë po mundohen ta bëjnë edhe shtetet e tjera.

Pandi Gjata: Nëse Parlamenti shqiptar do të kishte miratuar ligjin për dekriminalizimin, a do të ishte një plus për progres-raportin që do të dalë në 21 tetor?

Klajda Gjosha: Nuk më vjen mirë kur Shqipëria evidentohet me këtë titull. Megjithatë, unë do të thosha që dekriminalizimi nuk është kusht për integrimin, por është një domosdoshmëri për politikën shqiptare për të ecur përpara.

Pandi Gjata: Paketa “Junker” do të ketë një vlerësim ndryshe për të gjitha vendet aspirante për t’u anëtarësuar në BE. Cila është metodologjia e këtij viti ndryshe nga vitet e mëparshme?

Klajda Gjosha: Nuk do të kemi më një progres-raport vetëm për Shqipërinë. Këtë radhë do të ketë një krahasim mes vendeve të Ballkanit Perëndimor me ecuritë në të gjitha fushat, jo vetëm për 5 prioritetet.

Pandi Gjata: Edhe pse janë në etapa të ndryshe?

Klajda Gjosha: Po, edhe pse janë në etapa të ndryshme. Pikëpyetja më e madhe që kemi vendosur ne mbi metodologjinë është se, ende nuk e dimë se si mund të vlerësohen vendet që janë në etapa të ndryshme për çështje të ndryshme. Ne nuk e dimë nëse kjo do të cilësohet si pozitive nga vendet e tjera nëse Shqipëria ka ecur përpara në një fushë apo e anasjellta. Pasi kjo do të ngrinte edhe pikëpyetjen e madhe nëse procesi është i drejtë apo i padrejtë. Megjithatë ky është një projekt pilot. Ata kanë një besim të plotë në progres-raportin që do të paraqesin dhe le të shpresojmë se kjo do të na ndihmojë për të evidentuar të gjitha fushat ku ne kemi bërë progres. Por nga ana tjetër na evidenton edhe ato fusha ku Shqipëria ka nevojë të fokusohet më shumë.

Pandi Gjata: Kjo pyetje ka të bëjë me aktualitetin, por me një etapë të kaluar të procesit të integrimit të Shqipërisë, siç ishte marrja e statusit të vendit kandidat. Ka pasur shumë debate në lidhje me aferën e “CEZ”, madje është përmendur edhe historia se Çekisë na kishte vënë kusht për veto për marrjen e statusit, nëse nuk do të ishte arritur marrëveshja e Qeverisë shqiptare për të larguar kompaninë çeke nga arbitrazhi ndërkombëtar. A kishte një marrëveshje të tillë mes Tiranës dhe Pragës?

Klajda Gjosha: Këtë çështje e kam ndjekur në media, por edhe në Komisionin e Integrimit, ku zoti Paloka më ftoi që unë të jepja edhe shpjegime mbi këtë çështje dhe unë e prita me habi. Unë them që përgjigja më e saktë ka ardhur nga Komisioni Europian. Zëdhënësja e Junker tregoi se në mënyrë absolute Çekia nuk ka dhënë veton në lidhje me CEZ-in. Unë mund t’iu them se Ministria e Integrimit Europian nuk merret asnjëherë me çështje bilaterale dhe mbi të gjitha me kompani private, sidomos për marrëveshje të këtij lloji. Ministria e Integrimit koordinon procesin e reformave dhe të ecurisë së tyre, së bashku me Komisionin Europian. Për të tilla çështje, pavarësisht se përgjigja është marrë nga instancat e BE-së, unë më shumë do të ftoja ministrat përkatës që të jepnin një përgjigje të tillë. Nuk do të doja ta politizoja Ministrinë e Integrimit pasi është një ministri që koordinon procesin dhe procesin e reformave që janë të lidhura ngushtë me integrimin e vendit në BE.