Postuar më: 09 Maj 2016

Ministrja Gjosha: Të nxitojmë me reformat për të kapur avionin tonë për në BE

SOT NË EU TRANZIT,

NËSER  NË BASHKIMIN EUROPIAN

Ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen në këtë hapësirë,në këtë aeroport të improvizuar, ku pikërisht më  9 maj, në ditën e Europës, kemi zgjedhur të të promovojmë vlerat tona më të mira, ato që na çojnë më pranë saj.

Dua të falënderoj ambasadat që kanë kontribuar duke u bërë pjesë e këtij aktiviteti.

Ne sot jemi ende jashtë Bashkimit Europian, të vetëdijshëm se kemi një rrugë të gjatë për të bërë, standarde e plot reforma për të plotësuar. Ne sot jemi ende TRANZIT dhe do të na duhet të presim akoma për të mbërritur aty ku duam.

Por  ne sot të gjithë bashkë, kemi besimin e palëkundur se pavarësisht kësaj pritjeje, sfidave që kemi përpara, lodhjes,   destinacionin tonë final e kemi zgjedhur  dhe nuk mund e as nuk duam ta ndryshojmë.

Procesi i integrimit  nuk është aspak i lehtë, por më lejoni t’ju them se gjithë kjo  përpjekje ja vlen, për ta parë Shqipërinë anëtare me të drejta të plota në BE. Ja vlen për të ardhmen e fëmijëve tanë. Është një rrugë që e kemi zgjedhur dhe të gjithëve bashkë do të na duhet ta çojmë deri në fund.

Askush nuk do të na e dhurojë vendin tonë në Europë, asnjë biletë nuk është falas në çdo udhëtim që ne bëjmë, por jemi pikërisht ne që duhet të  mbulojmë dhe plotësojmë kostot dhe standardet e tij.

Pjesë e këtij aeroporti të sotëm janë gjithashtu  4 terminale, që tregojnë ato  potenciale, ato kapacitete me të cilat Shqipëria është vlerë e shtuar në Bashkimin Europian. Janë pikërisht turizmi, produktet tona, kultura, arti, teknologjia dhe inovacioni, ku ne kemi për të treguar dhe mësuar, por edhe shumë për të ofruar.

Unë dua ta mbyll fjalën time me një mesazh që vjen nga ky aeroport. Shqipëria të dashur miq, nuk ka kohë për të humbur. Nëse ne vonojmë reformat i shtojmë kostot vendit tonë, familjeve tona. Nëse ne nuk nxitojmë ne do të humbim avionin tonë për ne BE. I bëj thirrje politikës shqiptare të votojë reformën në drejtësi. Kjo varet e gjitha nga ne. Shqipëria e meriton finalizimin e shpejtë të udhëtimit të saj, sot jemi në EU TRANZIT, NESER DUHET TË JEMI NË BASHKIMIN EUROPIAN.

Ju faleminderit,