Postuar më: 21 Qershor 2016

Ministrja Gjosha ne konferencen “Një e ardhme më e mirë për Rininë në Ballkanin Perëndimor”

Të ardhme më të mirë për të rinjtë e Ballkanit Perëndimor

 

Jam vërtet e nderuar të jem sot pjesë  e kësaj konference dhe do doja që në mënyrë të veçantë të falënderoja znj. Fajon për ftesën dhe angazhimin e saj si dhe  mbështetjen e madhe  i ka dhënë jo vetëm Shqipërisë por gjithë rajonit  për procesin e integrimit.

 

Për mua është kënaqësi të flasësh për të rinjtë, pasi ata janë vetë e ardhmja. Si Ministre e integrimit të Shqipërisë, ndjehem sot krenare që të rinjtë e vendit tim  janë të integruar në Europë njësoj si bashkëmoshatarët e tyre.  

 

Shumë prej tyre zgjedhin të studiojnë jashtë vendit dhe pavarësisht vështirësive dhe sfidave, kanë treguar se dinë të jenë studentë të shkëlqyer  e një pjesë e tyre janë rikthyer në Shqipëri sepse duan ta shohin vendin e tyre më të zhvilluar  më pranë Europës.

 

Në këtë mënyrë përgjegjësia jonë si politikanë, si përfaqësues të qeverisë bëhet edhe më e madhe, pasi kemi  detyrimin që tu ushqejmë atyre shpresën për një Shqipëri më të mirë.

 

Është pikërisht ajo që ne duam. Një Shqipëri më e mirë brenda një Evrope më të mirë dhe askush më shumë sesa të rinjtë mund ta mundësojë këtë.

 

Ndaj është detyrim i yni ti motivojnë ata, të angazhohen maksimalisht, të përfitojnë nga mundësi të reja sepse pa ta nuk mund të ketë progres në çdo vend europian.

 

Jam e bindur që të rinjtë në vendet tona  e njohin mirë procesin e integrimit. Nuk është një koncept abstrakt, përkundrazi është një proces i prekshëm për ta,  që kërkon gjithëpërfshirje.

 

Nuk ka integrim më të mirë të një shoqërie sesa përmes  një edukimi të mirë,formimi profesional. Të gjitha këto për perspektivën dhe më shumë mundësi punësimi në përputhje me tregun e punës.

 

Në mënyrë që të rrisim bashkëpunimin e qëndrueshëm në rajon mes të rinjve, shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë krijuar Zyrën Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) me asistencën e Zyrës Franko- Gjermane për Rininë (FGYO). Marrëveshja e financimit të RYCO do të firmosen nga Kryeministrat në kuadrin e Samitit të Ballkanit Perëndimor në Paris më 4 qershor. Për më tepër, është kënaqësi të përmend që Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor do të jetë me qendër në Tiranë.

RYCO është një iniciativë shumë e mirë, pasi do të krijojë kushtet për promovimin e bashkëpunimit rajonal mes të rinjve, do të përmirësojë cilësinë e jetës dhe marrëdhëniet mes të rinjve të komuniteteve brenda Ballkanit Perëndimor dhe mbi të gjitha do të mbështesë zhvillimin e një të ardhme të përbashkët europiane.

Qëllimi i saj është të rrisë kapacitetet e të rinjve, të cilët bazuar në eksperiencën e fituar nëpërmjet pjesëmarrjes në projekte rajonale, të kontribuojnë në promovimin e vlerave demokratike, tolerancës, të drejtave të njeriut dhe luftën kundër racizmit, ksenofobisë, nxitjes së urrejtjes dhe diskriminimit (bazuar në etnicitetin, besimin, gjininë dhe gjuhën mëmë), të cilat janë ende prezentë në shoqërinë tonë.

 

Vendet e Ballkanit Perëndimor ndajnë trashëgimi dhe sfida të përbashkëta. Konfliktet e dekadës së kaluar kanë trashëguar forma të ndryshme të paragjykimi dhe intolerancës por, koha ka treguar se progresi mund të arrihet vetëm nëpërmjet aktiviteteve të përbashkëta për promovimin e tolerancës, solidaritetit dhe bashkëpunimit. Një gjeneratë e re e liderëve të zhvillimit social, me mbështetjen e institucioneve të ngritura, duhet të jetë ajo që do të tregojë se bashkëpunimi është i mundur dhe i nevojshëm, e që do të sillte zhvillim social, ekonomik dhe kulturor në rajon.

 

Aktualisht, mobilizimi në rajon është në nivele të ulëta. Rinia has pengesa, shpeshherë prej barrierave administrative dhe barrierave mendore, të shkaktuara nga mungesa e besimit, informacionit si dhe pranisë së paragjykimit. Sfidat e tjera të mobilizimit lidhen me njohjen e diplomave të shkollave dhe atyre universitare, të cilat çojnë në numrin e ulët të mundësive për punësim dhe specializime akademike për të rinjtë.

Për këtë arsye, mirëpres skemën pilot të propozuar nga Komisioni për mobilizimin e shërbyesve të rinj civilë.

Gjej rastin të falënderoj Bashkimin Europian, i cili e ka mbështetur Shqipërinë përmes disa programeve shumë të rëndësishme që nxisin  arsimimin me standarde dhe punësimin e të rinjve.

 

Të rinjtë duhen inkurajuar, vetëm kështu mund të jenë më aktivë, produktivë dhe bashkëveprues në çdo hap që vendi hedh përpara. Nga ana tjetër pikërisht këta të rinj i duhen Europës sot, në këto kohë sfidash jo të vogla.

 

Procesi i Berlinit ishte mekanizmi dhe shtysa më e mirë për të rritur bashkëpunimin,  ndërlidhjen dhe uljen e pabarazive midis vendeve të rajonit tonë dhe atyre të BE-së. 

 

Sfida jonë mbetet se si ta shndërrojmë paqen e arritur në rajon, në një hapësirë sigurie dhe prosperiteti, ku ja vlen të jetosh. Kjo është një sfidë e përbashkët për BE-në dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, sepse në rastin tonë, më shumë se sa për projekt zgjerimi duhet të flasim për projekt konsolidimi të Europës në rrafshin politik, ekonomik dhe të sigurisë.

 

Shqipëria sot ndodhet në një fazë shumë të rëndësishme të procesit të integrimit.  Ne kemi marrë statusin e vendit kandidat dhe po punojmë që vendi të hapë negociatat me Bashkimin Europian.

 

Ne besojmë fort se, për të ecur përpara me procesin e integrimit, është shumë e rëndësishme të motivojmë, të krijojmë më shumë mundësi dhe të forcojmë rininë në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që të krijojmë një të ardhme paqësore dhe të lulëzuar për rajonin si pjesë e Bashkimit Europian.

 

Faleminderit,