Postuar më: 18 Janar 2017

Fjala e plotë e Ministres së Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha në Komitetin e Monitorimit të fondeve IPA

Fjala e plotë e Ministres së Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha në Komitetin e Monitorimit të fondeve IPA

Është  një kënaqësi t’ ju mirëpres të gjithëve në këtë Komitet të Monitorimit të IPA-s. Dua të falenderoj dhe t’i shpreh mirënjohjen më të sinqertë Bashkimit Europian për asistencën financiare nëpërmjet këtij instrumenti  dhënë për vendin tonë ndër vite.

Nëpërmjet kësaj asistence, ne kemi tashmë standarde më të larta në të gjithë sektorët prioritarë ku janë investuar fondet e BE-së.  Çdo zhvillim pozitiv në secilin prej këtyre 8 sektorëve të rëndësishëm si Demokracia dhe Qeverisja, Sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore, Mjedisi, Transporti, Konkurueshmëria dhe inovacioni, Arsimi, Punësimi dhe politikat sociale, Bujqësia dhe Zhvillimi Rural dhe Bashkëpunimi Territorial, ka impakt të drejtpërdrejtë te qytetarët çka e bën edhe më të rëndësishëm qasjen tonë ndaj zbatimit të suksesshëm të programeve të financuara nga BE.

Më lejoni gjithashtu të përfitoj nga rasti dhe të falenderoj  institucionet shqiptare për angazhimin dhe punën e bërë në mënyrë që fondet e dhëna nga Bashkimi Europian të menaxhohen brenda kushteve dhe parametrave të kërkuara.

Instrumenti për Asistencën e Para-anëtarësimit është vlerësuar gjerësisht si shtysa kryesore financiare, për reformat tona të brendshme dhe ka qenë ndër vite një mbështetje e jashtëzakonshme në funksion të përmbushjes së kritereve të anëtarësimit, në mënyrë që Shqipëria të ecë përpara në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Europian.

Pjesëmarrja, për herë të parë, në këtë Komitet e përfaqësuesve të Organizatave të Shoqërisë Civile dhe donatorëve të tjerë është një tregues i vullnetit tonë: për të qenë e hapur dhe transparente me të gjithë aktorët! Ne jemi të angazhuar që të bashkëpunojmë ngushtë me Organizatat e Shoqërisë Civile dhe donatorët e tjerë, të cilët mbështesin reformat dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë.  

Komiteti i Monitorimit të IPA-s është i një rëndësie të madhe, pasi jo vetëm që do të rishikojë asistencën e IPA të ofruar për Shqipërinë nëpërmjet IPA I, por edhe asistencën e ofruar nëpërmjet përqasjes së IPA II.

Ne vijmë në këtë takim, me një dallim të madh nga takimi i  shkuar, kur faza e prokurimeve të programit të decentralizuar të IPA 2013 ishte në fazat fillestare. Aktualisht projektet po zbatohen dhe po avancojnë me ritëm normal.

IPA 2014 dhe IPA 2015, si programet e para në kuadër të IPA II, ishin në pritje të miratimit dhe konsolidimit të bazës së brendshme ligjore, ndërsa tani, programet kanë filluar të prodhojnë rezultatet e para, dhe po disbursohen nga BE-ja, të tilla si mbështetja buxhetore për sektorin e Menaxhimit të Financave Publike,  sektorin e punësimit dhe sektorin e administratës publike.

Gjatë dy viteve të fundit, janë ndërmarrë veprime konkrete për të adresuar rekomandimet e Komitetit të Monitorimit të IPA-s, duke i kushtuar vëmendje të veçantë trajtimit të problemeve që lidhen me zbatimin e projekteve.

Përpjekjet tona të përbashkëta për të siguruar zbatimin e efektshëm dhe në kohë të projekteve të IPA-s kanë  bërë të mundur që prej dhjetorit të vitit 2016 ne te kemi 0 projekte problematike nga 7 të tilla që kishim në prill të vitit 2015.

Të gjitha çështjet që janë raportuar nga Autoriteti Kontraktues, dhe aktorët e tjerë, janë adresuar dhe zgjidhur. Disa çështje janë ende nën monitorim të rreptë, duke synuar për një zgjidhje në të ardhmen e afërt me bashkëpunimin dhe përfshirjen  e të gjithë aktorëve të përfshirë në këtë proces.

Për sa i përket programimit, dua t'ju informoj se Programi Vjetor IPA 2017 tani është duke hyrë në një fazë shumë të rëndësishme me konsultimet intensive midis institucioneve shqiptare dhe KE/Delegacionit të BE për të konsoliduar dokumentet e planifikimit, dhe për të rënë dakord për modalitetet e tjera të mbështetjes. Ndërsa Programi IPA 2016 është miratuar nga Komiteti i Monitorimit të IPA-s dhe pritet nënshkrimi i tij.

 

 

Zonja dhe zotërinj,

Përpara se të veçoj një prej programeve më të rëndësishme të financuar nga IPA II, për periudhën 2014-2020, dua të risjell në vëmendjen tuaj rekomandimin pozitiv, të cilin Shqipëria mori në vjeshtë të këtij viti nga Komisioni Europian.

Ky rekomandim, u bë i mundur vetëm në sajë të miratimit konsensual të reformës në drejtësi. Në vijim çelja e negociatave me Bashkimin Europian do të varet pikërisht nga rezultatet e prekshme të kësaj reforme, veçanërisht zbatimi i ligjit të vettingut.

Në këtë kontekst, vëmendja që i është kushtuar mbështetjes për implementimin e reformës në drejtësi është tejet e çmuar.  Bashkimi Europian do të japë për Shqipërinë 19.1 milionë euro, prej të cilave 10 milionë euro do të shkojnë për zbatimin e vettingut.

Mbështetja për  rivlerësimin  sa më transparent të  gjyqtarëve dhe prokurorëve, e cila ka për qëllim të reduktojë ndikimin e krimit të organizuar, të politikës dhe korrupsionit në drejtësisë duke rritur cilësinë profesionale në sistem, do ta bëjë më të lehtë hapin tonë të radhës për tu afruar me Bashkimin Europian që është hapja e negociatave.

Më lejoni të përfundoj këtu, duke pranuar se gjatë vitit të kaluar janë bërë shumë përmirësime në lidhje me programimin, zbatimin dhe monitorimin e asistencës së IPA, por ende ka nevojë për përpjekje të mëtejshme për të përsosur procesin.

Dëshiroj edhe një herë t'ju siguroj për përkushtimin e Qeverisë dhe përpjekjet tona të vazhdueshme për të rritur progresin e zbatimit të portofolit ose aksioneve të IPA-s në Shqipëri dhe uroj përfundimin e suksesshëm dhe të frytshëm të këtij takimi të Komitetit Monitorues.