Postuar më: 09 Maj 2017

Fjala e plotë e Ministres Gjosha në ditën e Europës

I nderuar Kryetar i Kuvendit,

Shkëlqesi ambasadorë,

Të nderuar të ftuar,

 

Është viti i katërt që ne festojmë së bashku 9 majin, ditën e Europës, këtë ditë historike të projektit më të madh dhe të suksesshëm të  dekadave të fundit! Dua të falënderoj Kuvendin e Republikës së Shqipërisë për bashkëpunimin e shkëlqyer që ne kemi pasur për organizimin e këtij eventi!

Teksa mendoja për fjalën që do të mbaja sot, po përpiqesha të sillja në mendje secilin nga aktivitetet që kemi organizuar në mënyrë që të evitoja çdo përsëritje të mundshme me mesazhet që duhet të përcillja në këtë ditë të shënuar!

Por, duke bërë një bilanc të asaj çka ka ndodhur në Shqipëri me procesin e integrimit në 4 vitet fundit e natyrisht edhe me atë çka ka ndodhur në Europë, 4 vitet e fundit, mu hoq çdo dyshim se kjo ditë e sotshme mund të kishte përsëritje me të tjerat!

Dua t’ju risjell dy ngjarje madhore që kanë ndodhur në BE pa u mbushur mirë një vit i plotë kalendarik. Në qershor të 2016 referendumi i Britanisë së Madhe, për të dalë nga unioni, tronditi thellësisht jo vetëm BE-në, por edhe Ballkanin e për pasojë edhe Shqipërinë, si një nga vendet më proeuropiane dhe aspirante  për t’iu bashkuar familjes së madhe europiane!

Muaj jo pak të ethshëm, erdhën në vijim ku dyshimi për një Europë që mund të shpërbehej, nisi të bëhej edhe më i pranishëm edhe në vendet themeluese të Bashkimit Europian, ku forcat euroskeptike për hir të së vërtetës kanë pasur një trend rritës.

Zgjedhjet në vende si Hollanda e Franca, kishin brenda shumë pikëpyetje për fatin e Europës.

Ndaj unë sot jam vërtet shumë e lumtur që ky 9 maj ka përkuar me një fitore të re. Franca me votën për presidentin e ri tregoi vlerat e saj europiane, duke na bërë të gjithëve të besojmë se nga sot jemi më të bashkuar dhe më të fortë!

Unë e kam besuar gjithnjë se Europa do të triumfojë për sa kohë ajo përqafohet nga sinqeriteti i atyre që kanë në dorë të ardhmen e saj!

E kam besuar njësoj si mijëra të rinj shqiptarë të cilët duan ta shohin vendin e tyre brenda kësaj familjeje të madhe.

Ndryshe nga shumë të tjerë që jetojnë sot në vende të Bashkimit Europian, të rinjtë tanë e kanë ende të freskët kujtimin se çfarë do të thotë të qëndrosh në radhët e ambasadave për një vizë.

Ndryshe nga shumë bashkëmoshatarë të tyre, ata nuk e kanë marrë asnjëherë të garantuar të qënurin pjesë e një bashkësie shtetesh të ngritur mbi vlera, por edhe me shumë lehtësira që ofron unioni.

Për ne që në krye të herës, procesi i integrimit ka qenë një sfidë e jashtëzakonshme, një rrugëtim i gjatë, shpesh i mundimshëm, me shumë kërkesa, me shumë kushte për t’u plotësuar ndaj, sot më lejoni t’ju them se ndjehem mjaft mirë  që Shqipëria nuk e ka ndalur përpjekjen e saj.

Sot në ditën e Europës, ne vijmë me dy arritje madhore të cilat do të doja t’i përmend jo si suksese por si shtysa të forta që kemi marrë për të vijuar rrugën tonë.

Marrja e statusit të vendit kandidat në vitin 2014, ishte një arritje historike që gëzoi zemrat e shqiptarëve dhe nxitja me e mirë për Shqipërinë për të vijuar rrugën e reformave, të konsolidimit të demokracisë dhe forcimit të shtetit të së drejtës.

Miratimi me konsensus i reformës në drejtësi nga Kuvendi i Shqipërisë bëri të mundur që nëntorin e shkuar Shqipëria të merrte rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave, një tjetër hap përpara për procesin e integrimit, një tjetër shpresë për shqiptarët që duan ta shohin vendin sa më shpejt pjesë të BE.

Besoj se pavarësisht ngjyrës politike të gjithëve u vjen mirë për këto suksese, sepse ato i përkasin shqiptarëve ashtu siç i përket atyre procesi i integrimit.

Ndaj nuk ndjehem mirë, për të qenë e sinqertë, që ne vend që këto hapa t’i kurorëzojmë me një tjetër fitore, atë të çeljes së negociatave, vendi sot gjendet në një ngërç të pajustifikuar politik, i cili trondit themelet e  demokracisë, por edhe vizionin për të ardhmen e vendit tonë!!

Shqipëria sot nuk ka nevojë për këtë situatë! Shqiptarët sot janë të lodhur nga konflikti! Ata kërkojnë zhvillim, mirëqenie, kërkojnë që sytë t’i mbajnë nga e ardhmja dhe jo t’i kthejmë pas!

Vendi ynë sot ka nevojë për një politikë të re konstruktive që duhet t’i hapë dyert familjeve tona të marrin frytet e sakrificave të tyre shumëvjeçare.

Qytetarët tanë kanë nevojë që ta ndërtojnë jetën europiane të fëmijëve të tyre këtu, në vendin e tyre!

Dua gjithashtu të theksoj se pavarësisht se gjatë gjithë këtyre viteve vazhdimisht procesi i integrimit mund të jetë dukur si një proces teknik, proces i reformave të mëdha, qëllimi i  tij është vetëm një:

Jetë më e mirë për qytetarët tanë!

 

Ne këtë vit kemi zgjedhur sloganin “Dyer të hapura për rininë”, e unë dua të ripërsëris edhe njëherë se këto dyer janë të hapura përgjysmë,  jo se Europa nuk i ka dyert e hapura për ne, por që ne ti hapim tërësisht kërkojmë një rini me vizion, politikanë të përgjegjshëm, kërkojmë dialog, dhe asnjëherë nuk është vonë që vendi të gjejë zgjidhje sepse zgjidhja që mund të japim tani, shumë shpejt mund të na çelë dyert e negociatave të Shqipërisë drejt BE.

Le të jemi bashkë e të bëjmë gjithçka për t’i hapur dyert rinisë sonë, vetëm kështu do t’i hapim rrugën të ardhmes eruopiane të vendit!

Kjo nuk do të jetë fitorja e një individi të vetëm ,por  do të jetë fitorja më e madhe për gjithë shqiptarët!

Faleminderit!