Postuar më: 22 Shtator 2016

Fjala e Ministres Gjosha në takimin konsultativ me shoqërinë civile

Fjala e plotë e Ministres së Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha

 

Së pari, ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në këtë takim të radhës informues i cili pason serinë e tryezave që ne kemi organizuar me shoqërinë civile në disa qytete të vendit.

Ky takim, ka një rëndësi të veçantë jo vetëm për përmbajtjen e kësaj thirrjeje, por edhe për të ndarë me ju se në kuadër të procesit të menaxhimit të decentralizuar të fondeve IPA të BE-së, Ministria e Integrimit Europian në bashkëpunim me Ministrinë e Financave ndërmerr për herë të parë angazhimin për zbatimin e këtij projekti përmes kapaciteteve të saj.

Ky fakt, reflekton bashkëpunimin e frytshëm mes institucioneve tona dhe Delegacionit të Bashkimit Europian, ku gjej rastin të shpreh një falenderim të veçantë për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme.

Kjo thirrje, si pjesë e Dokumentit të Veprimit të EU Integration Facility 2014, ka ardhur si pasojë e identifikimit të dy elementeve themelore, që do të shoqërojnë vendin tonë përgjatë procesit të integrimit: informimit të vazhdueshëm të publikut për çdo aspekt në sferën e integrimit, si dhe bashkëpunimit të institucioneve tona publike me shoqërinë civile.

Informimi i publikut nuk është thjesht një kërkesë për një proces transparent, por edhe një parakusht esencial për të siguruar një proces me mbështetje të gjerë nga të gjithë qytetarët tanë.

Bashkëpunimi me shoqërinë civile, siç e kam theksuar vazhdimisht, sado i frytshëm të jetë, asnjëherë nuk duhet të na kënaqë dhe përherë duhet të përpiqemi që ta kemi sa më shumë interaktiv, sa më të prekshëm dhe sa më të thjeshtuar.

Ju siguroj, që nga një bashkëpunim i tillë, përfituesi kryesor jemi ne, institucionet publike, e rrjedhimisht çdo qytetar i thjesht shqiptar.

Edhe kjo thirrje, pikërisht këtë synon në vetvete, përthithjen e ekspertizës, shfrytëzimin sa më efikas dhe efiçent të kapaciteteve tuaja dhe vënien e tyre në dispozicion jo vetëm të qytetarëve por edhe institucioneve publike.

Ministria e Integrimit Europian, si koordinatore e këtij procesi që në krye të herës e ka cilësuar bashkëpunimin me ju si një nga prioritetet më të rëndësishme të punës së saj. 

Ndaj, jam vërtet e kënaqur që ne kemi një grant të dedikuar për shoqërinë civile, aplikimi për të cilin do të nisë në muajin tetor, me objektivat e qartë: rritjen e dialogut politik dhe ndёrgjegjёsimin pёr procesin e integrimit europian si dhe forcimin e kapaciteteve institucionale për t'u angazhuar në procesin e Integrimit Europian.

Jam e bindur se kjo mbështetje që na jep Bashkimi Europian, do të shërbejë jo vetëm për të forcuar marrëdhënien tonë me qytetarët shqiptarë, por do të shërbejë gjithashtu edhe si një shtysë për të pasur një qasje me produktive dhe me efektive të vetë shoqërisë civile përgjatë gjithë procesit të integrimit.

Kjo do të arrihet duke qenë më gjithëpërfshirëse, duke iu futur më në brendësi procesit, duke mos mbetur vetëm në tryeza të rrumbullakëta, por duke mundësuar që në të gjithë territorin e Shqipërisë, inkurajimin e  debati publik, apo dhënien e informacionit mbi detyrimet, përfitimet dhe sfidat e procesit të integrimit.

Veçanërisht në nivel lokal, ka rëndësi madhore informimi i kategorive të ndryshme  mbi mundësitë e të fondeve të BE-së dhe menaxhimit të tyre, do përmendja këtu fondet strukturore, bashkëpunimin rajonal, zhvillimit rural.

E shoh gjithashtu me shumë vlerë, fokusin që do t’i jepet matjes së perceptimit të publikut shqiptar mbi procesin e integrimit.

Ne jemi sot pa diskutim, një nga popujt më proeuropianë, por, na duhet që të përditësojmë shifrat, të kemi të dhëna të reja reale mbi këtë mbështetje të qytetarëve, në mënyrë që të dimë vërtet ku jemi dhe atë që duhet të bëjmë për të mbajtur lart nivelin e këtij besimi që shqiptarët kanë tek procesi i integrimit.

Siç e dini Shqipëria, me miratimin e reformës në drejtësi është një hap përpara me procesin. Ne shpresojmë në marrjen e një rekomandimi për hapjen e negociatave brenda kësaj vjeshte.

Kjo fazë është më e rëndësishmja dhe pa kontributin tuaj, pa kontributin e qytetarëve shqiptarë do të  jetë shumë më e vështirë për t’u tejkaluar.

Hapja e negociatave do të na çojë më pranë Europës së bashkuar, por nga ana tjetër na kërkon të jemi më të përgatitur, më të angazhuar për të kaluar me sukses të gjitha sfidat që sjell me vete në çdo sektor, në çdo fushë.

Unë do t’ju ftoja ta shihni procesin e integrimit si një detyrim që kemi ndaj  vendit. Ta shihni si një proces jetik për Shqipërinë. 

Do t’ju ftoja që angazhimi juaj të ishte brenda kësaj fryme, pasi jam e bindur që dhe rezultatet që do të marrim do të jenë shumë herë më të larta.

Jam e vetëdijshme se mes jush, ka organizata të konsoliduara, me eksperiencë dhe ekspertizë të krahasueshme me ato të vendeve të zhvilluara të Bashkimit Europian, stafe teje të kualifikuara dhe krijimtari të rrallë.

Duke pasur në mendje këto cilësi, por edhe nevojën për të filluar intensivisht një proces horizontal informimi për publikun, kemi kërkuar nga partnerët tanë europianë mbështetje, e cila sot përkthehet jo vetëm në fonde tepër të vlefshme, por edhe në dokumente konkrete për të ecur përpara me qëllimin tonë.

Për këtë arsye, sot do ju ftoja që përmes kësaj thirrjeje të shprehni interesin dhe angazhimin për të ofruar ekspertizën tuaj me qëllim që bashkëpunimi mes jush dhe institucioneve publike, qendrore e vendore, të rrisë ndjeshëm nivelin e informimit dhe ndërgjegjësimit për atë që shqiptarët e kanë pasur përherë prioritetin e prioriteteve, integrimin në familjen europiane.

Gjithashtu, shfrytëzoj këtë mundësi për t’ju inkurajuar të aplikoni masivisht duke besuar që përmes propozimeve tuaja cilësore do të jeni kontribues në rritjen e transparencës dhe përgjegjshmërisë së qeverisjes.

 

Ju faleminderit,