Postuar më: 23 Maj 2016

Fjala e Ministres Gjosha në takimin e 10-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim–Asociimit BE-Shqipëri

Fjala e plotë e Ministres Gjosha:

Së pari, dëshiroj që në emër të qeverisë, të shpreh mirënjohjen  dhe falenderimet më të sinqerta për mbështetjen që Parlamenti Europian ka dhënë për  procesin e integrimit të Shqipërisë.

 

Do doja të përmendja veçanërisht,  rezolutën e muajit prill e cila pavarësisht se ka vlerësuar progresin e bërë nga Shqipëria në rrugën e saj drejt BE-së, na shton edhe më tepër përgjegjësinë për të adresuar e për t’i dhënë zgjidhje një sërë çështjesh dhe sfidash që kemi përpara.

 

Ne ndajmë plotësisht pikëpamjen e shprehur nga Parlamenti Europian se politika e zgjerimit duhet të mbetet e besueshme dhe konstruktive.

 

Ndajmë po të njëjtën bindje se, problematikat që ka vendi duhet të trajtohen shpejt dhe në mënyrë efikase për të bërë të mundur  që Shqipëria të përparojë më tej.

 

Parlamenti Europian, luan një rol  të rëndësishëm për procesin e zgjerimit dhe ne besojmë se ai është dhe  duhet të mbetet promotor dhe shtysë  për vendet anëtare ,por edhe për vetë Komisionin Europian  në mënyrë që Shqipëria të marrë sa më shpejt një rekomandim pozitiv.

Qartësia e projektit tonë europian,  është një element i domosdoshëm për stabilitetin e vendit. Vëmendja në rritje e  vendeve anëtare të BE-së, jo vetëm do të shmangë ngërçet në procesin e zgjerimit, por do të shërbejë edhe si nxitje për zbatimin e reformave demokratike.
 

Për pasojë, kalendarizimi  procesit të zgjerimit,  do të përcillte një inkurajim të rëndësishëm për të ruajtur fokusin në reformat e nevojshme. Kjo nuk do të thotë qe ne kërkojmë rrugica të shkurtra pasi ne e dimë mirë qe ky është një proces bazuar mbi meritë.

 

Angazhimi ynë,  është maksimal për të thelluar reformat duke i bërë  ato më gjithëpërfshirëse, duke arritur në rezultate gjithnjë e më të  prekshme.  Për ne,  kjo është e vetmja rrugë për  të avancuar me axhendën  europiane.

 

Puna jonë e përditshme me mbështetjen e plotë të Komisionit Europian dhe të gjithë aktorëve të tjerë ka qenë e fokusuar në  monitorimin dhe  zbatimin e  masave të për Plotësimin e 5 Prioriteteve Kyçe.

 

Ne jemi te vendosur të përmbyllim me sukses reformën ne administratën publike e cila ka hedhur tashmë  një bazë të fortë ligjore mbi të cilën funksionon dhe ku rezultatet do të jenë shume të dukshme në muajt dhe vitet që vijnë

Të gjithë qytetarët do të kenë mundësinë që në bazë të meritokracisë t’i bashkohen administratës publike apo të vlerësohen në vazhdimësinë e karrierës së tyre. Kjo reformë po sjell një ndryshim rrënjësor të mentalitetit dhe kulturës së punës.

Mbështetja  e  vendeve anëtare, përbën instrumentin kryesor të motivimit të administratës sonë e të shoqërisë civile si dhe ruajtjen e mbështetjes publike për procesin e anëtarësimit.
 

Nga ana tjetër, pavarësisht hapave përpara, kërkohet një punë akoma edhe më e madhe për prioritetin nr. 5 i cili garanton të drejtat themelore të njeriut që forcojnë në mënyrë solide demokracinë në vend.

https://ssl.gstatic.com/ui/v1/icons/mail/images/cleardot.gif

Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbeten gjithashtu parësore  për forcimin e shtetit të së drejtës. Është bërë një punë e madhe për këto prioritete,  por ne jemi të bindur se reforma në drejtësi e cila ka lidhje të drejtpërdrejtë me to, do të ketë një ndikim substancial në përmbushjen e masave të mëtejshme.

Reforma zgjedhore është ndërkaq në proces. Ka nisur  diskutimi i ekspertëve të grupeve parlamentare, për të pasur një draft brenda një kohe të shkurtër që do të konsultohet dhe përfundohet në vijim. 

Implementimi i ligjit për largimin e personave me rekorde kriminale në administratë ka nisur me plotësimin e formularëve vetëdeklarimit nga nëpunësit civil, drejtuesit e administratës, aparati i Policisë  dhe mbrojtjes si dhe të zgjedhurit në KQZ.

 

Besoj se të gjitha palët politike në Shqipëri, janë në një mendje për rëndësinë që ka për vendin, kalimi në një fazë të re të procesit, që është çelja  e negociatave me bashkimin Europian.

 

Siç është theksuar  edhe nga përfaqësuesit më të lartë të BE-së, reforma në drejtësi mbetet çelësi për ecurinë e procesit pasi është një nga reformat më madhore  për vendin.

 

Si Ministre e Integrimit, i qëndroj mesazhit tim të përsëritur se kjo reformë duhet të kalojë sa më shpejt dhe të gjitha palët politike pa asnjë dallim, në çdo moment   duhet  të vënë interesin kombëtar mbi  çdo axhendë dhe interes partiak.

 

Rëndësia e konsensusit politik në këtë reformë është e domosdoshme dhe unë besoj se me një dialog konstruktiv, duke bashkëpunuar dhe  pasur gatishmërinë për ta arritur këtë konsensus,  ne mund ta finalizojmë.

 

Sigurisht që do të kërkojë kohën e saj të zbatimit, por ne jemi të bindur se miratimi i saj do të na hapë dritën jeshile për marrjen e një rekomandimi pozitiv për çeljen e negociatave. 

 

Nga ana tjetër do të na mobilizojë akoma dhe më tepër për të vazhduar implementimin e kësaj reforme përmes kapitujve 23 dhe 24 që kanë të bëjnë përkatësisht: me  gjyqësorin dhe të drejtat themelore  si dhe  drejtësinë lirinë e sigurinë.

 

Ky do të ishte  një kontribut të jashtëzakonshëm për të ardhmen e vendit.

 

Të nderuar deputetë,

 

Janë  qytetarët që na kanë besuar detyrën për të çuar përpara  procesin e integrimit , ndaj për sa kohë jemi të zgjedhurit e tyre duhet të angazhohemi maksimalisht  të mos e pengojmë atë.

 

Ky proces ka një rol madhor në shtetndërtimin demokratik dhe mbetet i patjetërsueshëm në besimin e plotë që shqiptarët kanë tek ai.