Postuar më: 20 Prill 2016

Fjala e Ministres Gjosha në Seminarin III-të të Dialogut Politik për Përfshirjen e Komuniteteve Rome dhe Egjiptiane në Shqipëri.

Fjala e Plotë e Ministres Gjosha:

 

 

Kam kënaqësinë të jem pjesë e këtij seminari i cili sot ka në fokus komunitetet rom dhe egjiptian.  Më lejoni të them,   se në kontekstin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, vëmendja e  partnerëve  tanë për çdo masë që qeveria ndërmerr në përmirësimin e statusit-ekonomik dhe social të këtij komuniteti është shumë  e lartë.

 

Është një vëmendje e cila përputhet me parimin e patjetërsueshëm të krijimit të Europës së bashkuar: Respektimin e të drejtave të njeriut si detyrim i çdo shoqërie demokratike.

 

Në çdo raport progresi,  nënvizohet domosdoshmëria e vijimit të mbështetjes  dhe integrimit social të komunitetit rom. Ky është një prej kushteve kryesore që Shqipëria duhet të plotësojë në kuadër të përmbushjes së 5 prioriteteve që vendit i janë lënë për të ecur përpara me procesin e  integrimit. 

 

Gjatë këtyre viteve,  është bërë shumë në këtë drejtim,siç e përmendi dhe Ministri Klosi.  Për fat të mirë ne  vijmë  me të dhëna pozitive veçanërisht sa i përket edukimit, i cili mendoj që është çelësi  dhe  investimi më i mirë që një shtet mund të bëjë për të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve romë e egjiptian. . Është ndihmë për prindërit të cilët në jo pak raste jetojnë në varfëri dhe pamundësi ekonomike.

 

 

Sot  falë vendimeve të qeverisë, për dhënien e teksteve falas , kemi më shumë fëmijë romë që ndjekin shkollën, që nuk e braktisin atë. Përfshirja e këtij komuniteti për herë të parë në skemën e ndihmës ekonomike është një iniciativë që dëshmon për vëmendjen  që ky komunitet ka.

 

Veçanërisht Bonusi për shkollimin e fëmijëve dhe vaksinimin e tyre është një tregues i qartë se puna me këtë komunitet  në vizionin tonë është e përqendruar pikërisht me fëmijët dhe të rinjtë në mënyrë që ata të kenë mundësinë e edukimit  dhe kushte të përshtatshme shëndetësore.

 

 

Sa i përket strehimit të tyre, pavarësisht problemeve ende prezente, vitin e shkuar  qendra e strehimit emergjent të familjeve të dëbuar rome në Tufinë u rikonstruktua dhe kushtet e jetesës, mjetet dhe shërbimet e ofruara janë përmirësuar.

 

Plani Kombëtar i Veprimit për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve u miratua nga qeveria në  2015 dhe angazhimi i institucioneve për  të ndërmarrë masat e nevojshme në mënyrë që të vihet në zbatim ky plan  është maksimal.

 

Më lejoni të them, se në lidhje me afatet, Ministria e Integrimit po koordinon punën që gjithçka është parashikuar në udhërrëfyesin për 5 prioritetet dhe ka lidhje te drejtpërdrejtë me komunitetin rom dhe egjiptian , të realizohet në kohë.

 

Kjo jo vetëm si mbështetje për këto komunitete, por edhe si një domosdoshmëri për të përshpejtuar rrugën tonë drejt Bashkimit Europian.  

 

Dua të nënvizoj dhe përgëzoj punën e bërë nga grupi ndërinstitucional për minoritetet  i cili po finalizon analizimin e situatës dhe ndërmerr hapa konkretë  për përgatitjen dhe miratimin e legjislacionit të përgjithshëm për minoritetet (përfshirë një ligj specifik për ta).

 

Ky grup ka hartuar gjithashtu një paketë propozimesh për  përmirësimin e kuadrit ligjor dhe politikat ekzistuese sipas fushave të ndryshme (arsim, kulture, strehim, mbrojtje sociale,  në përputhje me rekomandimet e Komitetit Këshillues i ‘Konventës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare’. 

 

 

Pavarësisht të gjitha këtyre masave,të cilat duhen inkurajuar më tej, sigurisht mbetet ende për të bërë në mënyrë që përfshirja sociale e komunitetit rom të jetë në nivelin e kërkuar. Unë do të theksoja se është shumë e rëndësishme që zgjidhjet në mbështetje të romëve të mos jenë jafat shkruara.

 

Roli i shoqërisë civile në këtë aspekt është tejet i madh.  Pavarësisht angazhimit të tyre në ndihmë të këtij komuniteti , mendoj se  ka vend për rishikimin e qasjes së punës me këtë komunitet, në mënyrë që efektet të mos të shtrihen në kohë dhe të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e romëve.

 

Shumë fëmijë romë,  ende sot janë  në situatë rruge, lypin dhe të gjithë ne i shohim. Gjetja e mekanizmave për t’i larguar ata përfundimisht prej aty, duke qenë madje edhe ndëshkues ndaj prindërve apo të afërmve që i përdorin këta fëmijë, mendoj se është detyrë e jona dhe besoj se mbetet ende për të bërë në këtë drejtim.

Kushte e jetesës të  shumë familjeve rome  nuk janë të përshtatshme. I’u mungon strehimi i siguritë, kushtet sanitare ose furnizimi me ujë të pijshëm. Shërbim shëndetësor  është i pamjaftueshëm në  disa zona.

Komisioni Europian, ka rekomanduar  zbatimin e politikave efektive dhe rritje të bashkëpunimit ndërinstitucional për të përmirësuar kushtet e jetesës të këtij komuniteti.

 

Jam e bindur se vullneti dhe angazhimi i kësaj qeverie është maksimal për të mbështetur komunitetin rom dhe egjiptian,për të  bërë të mundur që  fëmijët e këtij komuniteti të rriten njësoj si gjithë të tjerët, të punësohen si të tjerët.

Dhe për ta mbyllur, do doja të theksoja edhe njëherë se emancipimi dhe zhvillimi i një shoqërie tregohet qartë nga mënyra si trajtohen pakicat dhe minoritetet. 

Integrimi, lufta kundër diskriminimit, mundësitë e barabarta, për ta, e bëjnë Shqipërinë një vend me europian dhe të përparuar!