Postuar më: 30 Janar 2017

Fjala e Ministres Gjosha në Konferencën “Reforma në sistemin e drejtësisë, Sfidë dhe domosdoshmëri për integrimin e Shqipërisë në BE”

Të nderuar profesorë të universitetit të Firences dhe Tiranës,

Të nderuar të ftuar,

 

Së pari do doja t’ju falenderoja për ftesën në këtë konferencë. Jam e nderuar të jem e pranishme mes akademikësh, profesorësh e studentësh ku do të diskutohet një nga reformat më historike të ndërmarra në vendin tonë në këto 25 vjet. 

Reforma në drejtësi, mbetet guri më i rëndësishëm i themelit jo vetëm për krijimin e shtetit të së drejtës , por edhe për një kthesë të madhe në procesin e integrimit të Shqipërisë.

Mbetet gjithashtu çelësi i transformimit të shoqërisë sonë, nga një shoqëri që për dy  dekada kishte humbur besimin tek sistemi ,në një shoqëri që është e vetëdijshme se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit!

Ky transformim e bën më shpejt të mundur integrimin, sepse për tu integruar në familjen e madhe europiane, ndryshimin duhet ta nisim nga vetja.

Siç të gjithë e dini, vjeshtën e kaluar Shqipëria mori një rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian dhe kjo u bë e mundur vetëm pas miratimit me konsensus të reformës në drejtësi. Falë kësaj reforme Shqipëria sot është një hap përpara me procesin e integrimit.

Parlamenti tregoi vullnetin maksimal që në vijim të miratonte dhe 7 ligjet e tjera pjesë e kësaj reforme mes të cilave  më i rëndësishmi ligji i vettingut, i cili ka të bëjë me rivlerësimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve si hallka më bazike për një sistem drejtësie të besueshëm.

Zbatimi i këtij ligji mbetet kushti themelor për avancimin tonë me axhendën europiane të vendit, ndaj dhe rezultatet e tij duhet të jenë sa më të shpejta e transparente. Shqipëria kërkon që negociatat t’i hapë përmes kapitujve 23 dhe 24, të cilët lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me shtetin e së drejtës.

Janë kapitujt më të vështirë,që do të çelen të parët dhe do të mbyllen të fundit.

Në këtë kontekst, duke shprehur angazhimin e qeverisë Shqiptare për të përshpejtuar këtë proces, Ministria e Integrimit ka intensifikuar komunikimin me Komisionin Europian, në mënyrë që me mbështetjen e tyre të arrijmë rezultatet e para të prekshme nga reforma në drejtësi.

Gjej rastin t’i falënderoj për asistencën financiare që i kanë dhënë Shqipërisë për këtë reformë, pasi këtë sfidë të madhe ne nuk e kapërcejmë dot të vetëm.

Tashmë nuk ka asnjë pengesë, Gjykata Kushtetuese mori një vendim dhe ligji i vettingut i botuar në fletoren zyrtare ka nisur zbatimin e tij.

Partnerët tanë ndërkombëtarë i shohin rezultatet e kësaj reforme si testin më të mirë që Shqipëria ka përpara, për të dëshmuar standarde në forcimin e demokracisë në vend.

Këto rezultate do ta bëjnë gjithashtu vendin tonë, një vend më të besueshëm për investitorët, çka tregon se efektet e reformës janë gjerësisht të prekshme nga qytetarët, për sa kohë çdo investim i huaj në vend do të thotë më shumë zhvillim dhe mundësi punësimi për ta.

Reforma në drejtësi i jep udhë gjithashtu zgjidhjes së një sërë problemesh me çështjet e pronës, të cilat  kanë qenë kushte të vendosura nga Bashkimi Europian për të çuar përpara procesin e integrimit.

Reforma në drejtësi prek çdo sferë të jetës sonë të përditshme. Zbatimi i efektshëm i saj lidhet drejtpërdrejtë me luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, nxit konkurrencën e lirë. Do të ndihmojë gjithashtu në krijimin e historikut të të dhënave për personat me rekorde kriminale, një tjetër kjo kërkesë e Bashkimit Europian.

Përpos rezultateve që në presim nga kjo reformë është me shumë rëndësi që të rinjtë, e gjithë shoqëria të ndërgjegjësohen për efektet e kësaj reforme, rëndësinë që ajo ka.

Ne jemi të vetëdijshëm, që e gjithë paketa ligjore do të kërkojë kohën e saj të zbatohet, ndaj nevojitet  vullneti më maksimal i të gjithë aktorëve, në mënyrë që të kapërcehen pengesat e panevojshme.

Sa më i shpejtë të jetë zbatimi, aq më shumë shkurtohet rruga për aspiratën tonë europiane. Është një aspiratë e qytetarëve, të cilët meritojnë që të mos ndalet përpjekja për të zhvilluar Shqipërinë.

Unë do doja të shprehja gjithashtu një vlerësim dhe falënderim maksimal për të gjithë ata ekspertë, profesorë dhe akademikë të drejtësisë, duke i bërë thirrjen të japin kontributin e tyre për zbatimin e kësaj kryereformë. Kontrbuti i tyre, është kontribut për të ardhmen e vendit!

Dhe meqë ndodhemi në Kështjellën e drejtësisë, në fakultetin juridik, nga ku do të dalin brezat e rinj të juristëve, si Ministre e Integrimit do doja të theksoja fort rëndësinë që ka integriteti personal i të gjithë personave që do të marrin në dorë frerët e sistemit të ri të drejtësisë.

Jam e bindur se me idealizmin, por edhe vlerësimin e duhur, kasta e re e këtij sistemi do të jetë një kastë që i jep shpresë qytetarëve.

Dua ta mbyll fjalën time me një shprehje të  Giovani Falcone, gjyqtari që nuk bëri kurrë kompromis  me të keqen dhe nuk pati kurrë frikë të bëjë siç duhet detyrën e tij.

“Që një shoqëri të lëvizë drejt progresit, drejt vlerave të familjes dhe shpirtit të së mirës, për të përparuar pa kontraste dhe për të ecur e qetë në rrugën e një të nesërme më të mirë, mjafton që gjithkush të bëjë siç duhet detyrën e tij”!!

Faleminderit dhe i uroj punë të mbarë kësaj konference!