Postuar më: 12 Dhjetor 2016

Fjala e Ministres Gjosha në Konferencën Ndërkombëtare “Dhjetë vjet tregti e lirë- Sfidat dhe Perspektiva”

Më lejoni, që para së gjithash të shpreh kënaqësinë që jam pjesë e kësaj konference, që mbahet në këtë përvjetor të dhjetë të nënshkrimit të  marrëveshjes së tregtisë se lirë mes  vendeve të Europës Qendrore, të cilat kanë pasur  dhe kanë  busullën më të mirë drejtuese, procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

 

Janë vende  që besojnë  te projekti europian si një model i suksesshëm, i ndërtuar mbi parime të patjetërsueshme të cilat  kanë objektiv zhvillimin e përbashkët.

 

Kjo konferencë në fakt, vjen në një moment jo të lehtë për Europën e Bashkuar dhe mjaft sfidues për aspiratën tonë. Sot vetëdija jonë besoj, është edhe më e lartë, kur përmendet paqja, siguria dhe stabiliteti i gjithë kontinentit. Sigurisht, që për të parë nga e ardhmja duhet të kthejmë vazhdimisht sytë nga e shkuara.

 

Në fund të Luftës së Parë Botërore, Presidenti Uillson hartoi Katërmbëdhjetë Pikat e famshme, me qëllim parandalimin e luftërave të mundshme në të ardhmen.

 

Pika tre shpreh qartë: "Heqjen, aq sa është e mundur, të të gjitha barrierave ekonomike dhe krijimin e barazisë së kushteve të tregtisë mes të gjithë shteteve që e miratojnë paqen dhe bashkohen për mirëmbajtjen e saj".

 

Shkelja e kësaj pike dhe mungesa e një zgjidhje të drejtë ekonomike,vërtetoi se 20 vjet më pas, ishin pikërisht këto shkaqet e një lufte të re që përfshiu botën. 

 

Në përputhje me këtë vizion, duke pasur si qëllim zhvillimin ekonomik në funksion të paqes dhe stabilitetit të përbashkët, u vendosën gjithashtu, gurët e themelit të një projekti të madh, i cili shënoi nisjen e ndërtimit  të  një Europe të organizuar dhe vitale, pa të cilën paqja në botë do të ishte e pamundur.

 

Sot është fare mirë e vërtetuar se themeluesit e BE-së, kishin të drejtë kur besonin se rindërtimi ekonomik dhe prosperiteti mund të arrihen më mirë në nivel europian sesa vetëm kombëtar.

 

Tregu i Vetëm i mundësuar nëpërmjet unionit, ka lehtësuar tregtinë duke gjeneruar një ndikim të qartë pozitiv në zhvillimin dhe punësimin e vendeve që janë pjesë e tij.

 

 

Por sot, kemi edhe një realitet tjetër!

 

Brexit !

 

Pikërisht ajo që ndodhi në Mbretërinë e Bashkuar,  ka gjeneruar një sasi të madhe të kërkimeve për  përfitimet e tregtisë së lirë dhe tregut të vetëm.

 

Largimi nga Unioni ka efektet e veta edhe për vende tejet të zhvilluara si Britania e Madhe ku përllogaritet që pas 15 vjetësh Prodhimi i Brendshëm Bruto, do të ketë  një humbje prej 9.5 %.

 

Kjo do të thotë se kostot e zgjedhjes për të qenë jashtë tij,  janë të drejtpërdrejta te qytetarët, ndaj dhe ne besojmë fort se integrimi i shpejtë i vendeve tona, duke përdorur siç duhet të gjithë mekanizmat që kemi në dispozicion dhe duke pasur vullnetin e angazhimin për të çuar përpara këtë aspiratë tonën është domosdoshmëri.

 

CEFTA është pikërisht një prej këtyre mekanizmave për të nxitur zhvillimin ekonomik në rajon me anë të liberalizimit dhe zhvillimit të tregtisë, që stimulon reformat për të rritur konkurrueshmërinë. 

 

Liberalizimi i tregtisë, është bërë mjeti kryesor i promovimit të këtij  bashkëpunimi si një domosdoshmëri për rritjen e përgjithshme ekonomike me objektiv kryesor integrimin e plotë të vendeve tona   në Bashkimin Europian.

 

Anëtarësimi në BE është një detyrë e vështirë  për vendet kandidate. Këto vende, janë ende të papërgatitura për të përballuar presionet e konkurrencës së tregut të vetëm.

 

Vetëm duke qenë bashkë, vendet e rajonit mund të bëjnë ekonomitë e tyre më konkurruese në tregun ndërkombëtar dhe në  këtë drejtim, CEFTA ka qenë dhe është  pjesë procesit të mësuarit drejt sfidës së madhe.

 

Hapja dhe zgjerimi gradual i tregjeve, kanë rritur investimet dhe në të ardhmen, do të përgatisin ekonomitë tona më mirë për tregun e përbashkët europian.

Duhet vlerësuar puna që po bëhet, për të arritur në një marrëveshje të re të liberalizimit të tregjeve për shërbimet, çka dëshmon angazhimin e rajonit për të  kaluar  në  një treg të përbashkët duke shtuar zhvillimin dhe bashkëpunimin.

Kjo iniciativë, është diçka e mbështetur edhe nga partnerët tanë europianë, dhe në duhet të bëjmë akoma më shumë përpjekje  në mënyrë që të jetësojmë Tregun e Vetëm,  për të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke garantuar lëvizjen e lirë të mallrave dhe shërbimeve mes vendeve tona dhe duke krijuar mundësi të reja për lëvizjen e punëtorëve. 

Është shumë e rëndësishme,  që për të vijuar në këtë rrugë, të jetë prioritet  zbatimi i shpejtë i marrëveshjes së CEFTA-s për lehtësimin e tregtisë.

Së dyti, është e rëndësishme të sigurohet përfundimi i shpejtë - mundësisht para Samitit të 2017 në Itali i   negociatave të CEFTA- për liberalizimin e tregtisë në shërbime. Ky do të jetë një tjetër hap i rëndësishëm në funksion të procesit të Berlinit.

Nga ana tjetër, marrja e masave  për anëtarët e CEFTA-s, për njohjen e përbashkët të diplomave dhe kualifikimeve profesionale, do të sillte progres në politikat e reja të investimeve duke mbështetur rritjen  dhe shkëmbimet e biznesit. 

Axhenda jonë e përbashkët e ndërlidhjes që pritet të mundësohet  nëpërmjet procesit të Berlinit duhet të ketë përputhshmëri edhe me masa të tjera konkrete që ndërmarrin vendet tona.

 

Ashtu sikurse heqja e barrierave ligjore për tregti nuk ka kuptim dhe nuk mund të zbatohet nëse nuk heqin barrierat fizike që ndajnë vendet tona, ashtu edhe ndërlidhja mes tyre nuk ka pse të bëhet vetëm nëpërmjet projekteve të mëdha infrastrukturore.

 

Përmirësimi i rrjeteve të transportit dhe të energjisë, me patjetër, do të ndikojë pozitivisht në tregti si dhe do të mbështesë më tej rritjen ekonomike dhe punësimin.

 

Kjo është edhe arsyeja se përse vendet e Ballkanit Perëndimor nëpërmjet procesit të Berlinit kanë rënë dakord të shtojnë përpjekjet në realizimin e këtyre reformave të ndërlidhjes rajonale, duke hapur tregjet dhe duke krijuar një strukturë të rregullt dhe transparente që forcon gjithashtu besimin e investitorëve dhe heq barrierat në mënyrë që të mirat materiale të menaxhohen me efektivitet.

Ne, synojmë të jemi pjesë e një Europe pa barriera dhe këtë ndryshim duhet ta nisim se pari në rajonin tonë.

Në këtë  moment kritik të politikës së zgjerimit, vënia në lëvizje e mekanizmave që ndihmojnë ekonomitë e vendeve tona, është e domosdoshme për të mbajtur gjallë procesin historik, unik dhe të patjetërsueshëm të integrimit europian!