Postuar më: 09 Qershor 2016

Fjala e Ministres Gjosha në Komitetin e Shtatë të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri

Fjala e plotë e Ministres Gjosha

 

 

Dua të  shpreh një mirëseardhje shumë të ngrohtë përfaqësuesve të Komisionit dhe Delegacionit  të BE-së në Shqipëri, dhe të shpreh mirënjohjen time për përpjekjet e tyre në përshpejtimin e ritmit të reformave në Shqipëri.

 

Gjysma e parë e vitit ka qenë shumë intensive për të gjithë ne. Një takim i Dialogut të Nivelit të Lartë, i pasuar nga mbledhja e Komitetit Parlamentar të Stabilizim- Asociimit, disa takime të nënkomiteteve, përfshirë mbledhjen e Grupit të Posaçëm për Reformën në Administratës Publike, përgatitja e kontributit të parë të Shqipërisë për Raportin vjetor të KE-së, përgatitjet për këtë takim të Komiteti i Stabilizim-Asociimit.

 

Qeveria shqiptare e konsideron Komitetin e Stabilizim-Asociimit si një forum të rëndësishëm për të shkëmbyer këndvështrimet, për të komunikuar progresin e arritur dhe për të diskutuar hapat e mëtejshme, të nevojshme për të avancuar drejt hapjes së negociatave për anëtarësim.

 

Takimi vjen në një moment vendimtar për Shqipërinë në procesin e anëtarësimit në BE. Shqipëria është në prag të reformës më të rëndësishme të shtet-ndërtimit, të ndërmarrë në 10 apo 12 vitet e fundit.

 

Reforma në Drejtësi është thelbësore për procesin e integrimit europian dhe hapjen e negociatave dhe për këtë arsye të gjitha partitë politike duhet të angazhohen plotësisht në finalizimin dhe miratimin e kësaj reforme.

Shqipëria nuk mund të humbasë më kohë. Vendi ka nevojë për reformën në drejtësi, qytetarët tanë kanë nevojë për të, që të sigurojë një të ardhme më të mirë për ta. Kjo reformë do të kontribuojë në krijimin e një imazhi më të mirë ku Partnerët e Shqipërisë më në fund të kenë besim se ky është një vend ku sundimi i ligjit funksionon sipas standardeve themelore të demokracisë.

 

Nga ana tjetër ajo,  do të na mobilizojë akoma dhe më tepër për të vazhduar implementimin e kësaj reforme përmes kapitujve 23 dhe 24 që kanë të bëjnë përkatësisht: me  gjyqësorin dhe të drejtat themelore  si dhe  drejtësinë lirinë e sigurinë.

 

Më lejoni të shpreh gjithashtu,  mirënjohjen tonë për mbështetjen e ofruar nga Bashkimi Europian, si dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

 

Sipas kwndvwshtrimit tonë, janë shënuar përparim i qëndrueshëm dhe rezultate konkrete në prioritetet kyçe. Dua të ndaj shkurtimisht me ju sot disa nga arritjet për secilin prioritet. Listën e detajuar me të gjitha masat dhe arritjet tona do të mundësohen në përfundim të këtij sesioni.

Ne jemi të vendosur për të përfunduar me sukses reformën e administratës publike, e cila tani qëndron në një bazë të konsoliduar ligjore dhe rezultatet e së cilës do të jenë më të dukshme në muajt dhe vitet pasardhës.

Të gjithë qytetarët do të kenë mundësinë që në bazë të meritokracisë t’i bashkohen administratës publike apo të vlerësohen në vazhdimësinë e karrierës së tyre. Kjo reformë po sjell një ndryshim rrënjësor të mentalitetit dhe kulturës së punës.

Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet prioritet edhe në rritjen dhe forcimin e sundimit të ligjit në vend. Është bërë shumë punë në këto prioritete, por ne jemi të sigurt se Reforma në Drejtësi, që lidhet drejtpërsëdrejti me këto prioritete, do të ketë një ndikim thelbësor në përmbushjen e kërkesave të mëtejshme.

Lidhur me Mbrojtjen e të Drejtave Themelore, janë ndërmarrë një sërë masash për mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, menaxhimin e dhunës në familje si dhe barazinë ligjore.

Nga ana tjetër, pavarësisht hapave përpara, kërkohet një punë akoma edhe më e madhe për prioritetin nr. 5 i cili garanton të drejtat themelore të njeriut që forcojnë në mënyrë solide demokracinë në vend. https://ssl.gstatic.com/ui/v1/icons/mail/images/cleardot.gif

 
Reforma zgjedhore ndërkohë është në proces. Kanë filluar diskutimet mes ekspertëve të grupeve të ndryshme parlamentare për të arritur një draft primar në kohën e duhur për konsultim dhe miratim përfundimtar.

Zbatimi i ligjit “Për dekriminalizimin” ka nisur me plotësimin e formularëve të vetë-deklarimit nga nëpunësit civilë, drejtorët në administratën publike, forcat e Policisë si dhe anëtarët e zgjedhur të Komisionit.Tashmë kemi rezultatet e para nga ky ligj, ku njw swrw zyrtarwsh tw lartw janë përjashtuar nga funksionet publike dhe ndërkohë implementimi i këtij ligji do të vazhdojë duke vendosur një standard të ri  në politikë)

 

Angazhimi ynë në thellimin e këtyre reformave për t’ i bërë ato më përfshirëse është në nivelet maksimale, siç mund të shihet nga arritja e rezultateve më të mira, më të larta dhe më të prekshme. Kjo është mënyra e vetme që ne mund të përparojmë në agjendën tonë europiane.

 

Për këtë arsye, kalendarizimi i procesit të zgjerimit do të shërbente si nxitje në ruajtjen e fokusit në reformat e nevojshme. Natyrisht, kjo nuk do të thotë se po kërkojmë për rrugë të shkurtra, pasi ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se ky është një proces i bazuar në meritë.

 

Kemi besimin e plotë se progresi i arritur nuk do të kalojë pa u vënë re nga Komisioni Europian.

 

Duke i’u uruar të gjithë pjesëmarrësve një takim të suksesshëm, dua të përsëris dhe një herë se ne nuk ka kohë për të humbur. Populli shqiptar meriton të ecë përpara në procesin e integrimit europian.

 

Procesi i Integrimit Europian është aspirata dhe prioriteti ynë më i madh e për këtë arsye të gjithë aktorët e përfshirë kanë përgjegjësinë dhe detyrimin për t'u angazhuar plotësisht që të sigurohet se procesi i integrimit do të ecë me një ritëm më të shpejtë.