Postuar më: 31 Mars 2014

Vendimi i Komisionit Evropian: Shqipëria do të menaxhojë vetë 64 milionë euro fonde nga BE

Fjala e plotë e Ministres Gjosha

 

I nderuar Z. Cani

Të nderuar përfaqësues të medias!

Më lejoni që në emër të Qeverisë Shqiptare  të përshëndes  arritjen e njërit prej sukseseve më konkrete në fushën e integrimit siç është:  menaxhimi i fondeve të Bashkimit Evropian nga vetë institucionet shqiptare, për komponentin e parë të Instrumentit të Para-aderimit IPA.

Duke filluar nga sot, vetë Qeveria Shqiptare do të jetë përgjegjëse për procedurat e prokurimit dhe zbatimin të projekteve nën këtë komponent, dhe jo Delegacioni i BE-së sikurse ka funksionuar deri tani.

Gjithçka  u bë e mundur pas nënshkrimit të vendimit përkatës nga Komisioni Evropian, ku Shqipërisë i jepet e drejta e menaxhimit të këtyre fondeve në mënyrë të pavarur duke konfirmuar kështu besimin e plotë që ka Brukseli zyrtar tek Qeveria Shqiptare.

Fillimisht, kjo praktikë do të testohet me disa projekte nën Programin IPA 2013, duke arritur që gradualisht të jetë mënyra kryesore e mbështetjes së asistencës së BE-së. Do të përfshihen një  sërë projektesh të cilat  do të menaxhohen nga pala shqiptare, në mbështetje të sistemit gjyqësor apo fusha të tjerë si siguria rrugore, zhvillimi rural, mbrojtja e konsumatorit, edukimi profesional,etj.

Suksesi i arritur sot, është në vijim të pikësynimeve që Qeveria shqiptare ka në përmbushjen e kushteve dhe objektivave që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit .

Kjo arritje gjithashtu, është rezultat i një pune konkrete që vendi ynë  ka bërë në drejtim të plotësimit të së një sërë detyrimesh si: forcimi i kapaciteteve për  menaxhimin e fondeve në mënyrë sa më efektive, ngritja e strukturave operative  në përputhje me legjislacionin e kërkuar nga rregullorja IPA si edhe përcaktimin e autoriteteve. Në këtë mënyrë janë  dhënë kompetencat e duhura dhe  janë përcaktuar role e përgjegjësi të qarta në menaxhimin dhe implementimin e fondeve IPA në mënyrë të decentralizuar.

Ky sukses është një dëshmi e një administrate shtetërore efiçente ku Brukseli mund të mbështetet pa asnjë ekuivok. Gjithashtu do ta cilësoja një mesazh të qartë për qeverinë shqiptare e cila duhet të vazhdojë rrugën e nisur duke përparuar me reformat,  për të garantuar mbi të gjitha më shumë siguri dhe progres për qytetarët shqiptarë.

Përfitoj nga ky rast,  të  falënderoj Bashkimin Evropian për mbështetjen e dhënë në këtë proces nëpërmjet mbështetjes me asistencës teknike për forcimin e kapaciteteve dhe përafrimin e legjislacionit të kërkuar me atë të BE-së.

Gjithashtu dua të  siguroj BE-në  në emër të Qeverisë, se besimi i dhënë na bën të jemi më të përgjegjshëm  dhe të vetëdijshëm se kërkohet  më shumë punë në realizimin e  reformave për procesin e Integrimit  dhe  jemi të vendosur të ecim më shpejt duke përparuar me hapa të sigurt në axhendën evropiane.