Postuar më: 25 Qershor 2014

Statusi i vendit kandidat, qeveria shton angazhimin për reformat

Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha në komunikimin me median:

 

“Kam kënaqësinë të jem sërish sot, në një konferencë për shtyp para gjithë shqiptarëve, pas vendimit tepër të rëndësishëm, historik, që është marrë dje nga vendet anëtare për Shqipërinë për dhënien e statusit kandidat, si dhe për vazhdimësinë e procesit të integrimit me një sukses drejt kësaj rruge, që në fakt ka vite që ka nisur dhe po vazhdon me vendosmëri të plotë për ta çuar Shqipërinë edhe më përpara.

Do të doja të ndaja me ju momente shumë të rëndësishme dhe shumë emocionuese, në fakt gjatë gjithë ditës së djeshme, deri vonë në darkë, ku i gjithë kabineti qeveritar  ka vazhduar të marrë mesazhet më të mira  dhe komplimentet më të mira, duke filluar nga Kryeministri, tek unë si Ministre e Integrimit, Ministri i Jashtëm dhe deri tek i gjithë kabineti.  Mesazhet më të mira nga vendet anëtare e miqtë tanë europianë, ku me të vërtetë në Këshillin e Ministrave të Jashtëm është diskutuar dhe është folur me notat më të larta dhe më pozitive mbi arritjen dhe progresin që ka patur Qeveria shqiptare gjatë muajve të fundit dhe gjatë viteve të fundit.

Ndaj dhe unë dua të falenderoj edhe njëherë të gjithë vendet anëtare dhe Komisionin për këtë angazhim tejet të madh dhe këtë hap të madh që po i japin Shqipërisë për të vazhduar përpara në rrugën dhe në procesin e integrimit.

Megjithatë, sot është  një ditë e re, një ditë shumë e rëndësishme dhe ne vijojmë me punën tonë të përditshme dhe madhore për procesin e integrimit dhe zhvillimin e vendit.

Kemi patur vetëm para pak momentesh mbledhjen e qeverisë ku sërish janë diskutuar në detaje konkluzionet e Këshillit të Ministrave të Jashtëm. Janë diskutuar mes ministrash të gjithë angazhimet që do të ketë Qeveria shqiptare në muajt në vazhdim për hapjen e negociatave.

Ajo çka është më e rëndësishmja ose kryefjala, gjatë muajve në vijim, do të jenë dy reformat kryesore, ajo administrative territoriale dhe reforma në drejtësi, plotësimi i 5 prioriteteve kyçe, ende të mbetura për Shqipërinë. Ku, më lejoni t’u informoj se, ne po punojmë intensivisht edhe për ngritjen e grupeve të punës për t’i ndjekur me rigorozitet plotësimin e 5 prioriteteve. Shpresojmë që në një kohë rekord të kemi edhe përfundimin e tyre.

Do të vazhdojmë me një nga kërkesat që vijon të vijë nga KE dhe nga vendet anëtare siç është reduktimi në kohë i presioneve migruese në BE dhe ulja e kërkesave të azilkërkuesve. Unë këtu do të dëshiroja t’u vija në dijeni se vazhdon intensivisht një bashkëpunim shumë i thellë i Qeverisë shqiptare dhe i policisë shqiptare më të gjithë kufijtë  e vendeve anëtare për të ulur numrin e azilkërkuesve nga Shqipëria.

Do të vijojë angazhimi i vazhdueshëm i Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, si dhe në përafrimin  e politikave të sigurisë me BE. E mbi të gjitha, gjatë gjithë këtij procesi është shumë i nevojshëm dialogu që Qeveria shqiptare dhe maxhoranca do të ketë me opozitën, pasi ky është një proces që nuk mund të jetë vetëm i njëanshëm, por i përket të gjithë shqiptarëve. Ndaj unë ftoj edhe njëherë opozitën që të jetë pjesë e të gjithë reformave që kanë të bëjnë me procesin e integrimit europian.

Duke i uruar edhe njëherë të gjithë shqiptarët për këtë arritje të madhe, do të dëshiroja që më të vërtetë t’u thoja të gjithëve sot dhe t’u siguroja se qeveria shqiptare nuk do të ndalojë asnjë ditë së punuari për procesin e integrimit. Ne shpresojmë që do të vazhdojmë me ritmet e duhura për hapjen e negociatave dhe për të çuar Shqipërinë deri në anëtarësim me të drejta të plotë në BE.