Postuar më: 15 Korrik 2015

Sekretari i Shtetit për Çështjet Europiane të Francës, vizitë zyrtare në Shqipëri

Ministrja Gjosha: Jemi të bindur se në tetor

do të ketë një Progres-Raport pozitiv për Shqipërinë

 

Sekretari i Shtetit për Çështjet Europiane të Francës,  z. Harlem Desir, zhvillon sot një vizitë zyrtare në Shqipëri. Pas një mëngjesi pune në Ministrinë e Punëve të jashtme,  z. Desir mbajti një konferencë për shtyp, së bashku me Ministrin e Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati  dhe Ministren e Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha.

 

Deklarata e Ministres Gjosha:

 

Patëm kënaqësinë të mirëpresim sot,  z. Desir vizita e së cilit, është  një tregues i qartë i vëmendjes që Franca ka për procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian, veçanërisht për reformat që vendet aspirante si Shqipëria po ndërmarrin në kuadër të këtij procesi.

Franca,  mbetet një partner  tepër i rëndësishëm për Shqipërinë  dhe mbështetja që i dha vendit tonë për marrjen e statusit të vendit kandidat qershorin e kaluar, na angazhon edhe më shumë në përmbushjen e të gjitha detyrimeve për të arritur standardet që na kërkohen. 

E informuam gjithashtu z. Desir,  mbi reformat dhe  ecurinë e 5 prioriteteve kyçe që  na janë lënë nga Bashkimi Europian, ku theksuam vendosmërinë e qeverisë për  plotësimin e tyre. Jemi të bindur se në tetor do të kemi një Progres-raport mjaft pozitiv, për të avancuar me hapat e mëtejshëm  në procesin e integrimit.