Postuar më: 12 Nëntor 2015

Raporti i Progresit të KE: Qeveria vullnet të fortë për të kryer reformat

Deklarata e ministres së Integrimit Europian Klajda Gjosha:

 

Përshëndetje!

Dëshiroj të bëj këtë komunikim me ju, për t’i dhënë një informacion edhe më të gjerë opinionit publik mbi Progres-Raportin, e prezantuar dje nga Komisioni Europian.

Ndaj vlerësimin e Komisionerit Hahn për progresin e qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm në kuadër të pesë prioriteteve kyçe, që na siguron edhe një herë se qeverisja e vendit është në linjë të plotë me përparimin e procesit të integrimit të vendit. 

Ky Progres-Raport ka sjellë një risi në format dhe në metodologji, duke dhënë një vlerësim konkret mbi arritjet për çdo prioritet dhe njëkohësisht, duke shpjeguar qartë, punën që duhet bërë për përmbushjen e çdo prioriteti kyç, deri në hapjen e negociatave.

Unë dëshiroj të vlerësoj edhe një herë, arritjet e cituara në Progres-Raport që kryesisht kanë të bëjnë me zgjedhjet lokale të qershorit 2015, duke i cituar ato si pa incidente.

Progres është shënuar përsa i përket funksionimit të parlamentit, në veçanti duke përmirësuar transparencën për hartimin e ligjeve, si dhe gjithëpërfshirjen në procesin legjislativ.

Progres i mirë dhe i moderuar është bërë në drejtim të krijimit të një kuadri institucional të bashkëpunimit dhe konsultimit me shoqërinë civile.

Progres i mirë, i moderuar është arritur në fushat nën prioritetin 1, reforma në administratën publike, në veçanti me miratimin e strategjisë për reformën gjithëpërfshirëse dhe me miratimin e Kodit të ri për Procedurat Administrative.

Progres është arritur vitin e fundit përsa i përket sistemit gjyqësor, prioriteti 2, konkretisht, me krijimin në nëntor, të komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi, i cili po përgatit dhe udhëheq procesin në një reformë gjithëpërfshirëse.

Vendi ka arritur nivel në përgatitjen për luftën kundër korrupsionit, prioriteti 3. Progres është arritur gjatë viti të kaluar, sidomos me miratimin e strategjisë antikorrupsion, si dhe Planit të Veprimit.

Vendi ka arritur nivel në përgatitjen për luftën kundër krimit të organizuar, prioriteti 4. Progres është arritur gjatë vitit të kaluar, duke rritur bashkëpunimin policor ndërkufitar, si dhe në luftën kundër drogës.

Përsa përket prioritetit 5, kuadri ligjor për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, është gjerësisht në linjë me standardet europiane. Vendi ka gjithashtu një nivel përgatitjeje në lidhje me lirinë e shprehjes dhe ka pasur progres edhe gjatë vitit të kaluar.

Reformat e qeverisë po ndihmojnë gjithashtu ekonominë e vendit dhe shkojnë në të njëjtë linjë me mbështetjen e dhënë dje, edhe nga FMN për Shqipërinë.

Pikërisht për kriterin ekonomik citohet në Progres-Raport: “Përsa i përket zhvillimit të një ekonomie tregu funksionale, përgatitjet e Shqipërisë për anëtarësim janë në një fazë të moderuar. Qeveria tregoi vullnet të fortë për të kryer reformat.” Sigurisht, këtu citohen dy reformat më të rëndësishme, siç ishte reforma e pensioneve dhe ajo për përmirësimin e situatës në sektorin energjetik, duke zbatuar politika që përmirësuan stabilitetin makroekonomik në një mjedis politik me sfida të mëdha.

Shqipëria në të njëjtën kohë është vlerësuar edhe për bashkëpunimin rajonal, duke e cilësuar vendin si partner konstruktiv në rajon, duke ndërtuar marrëdhënie bilaterale solide me vendet e tjera të rajonit, të cilat aspirojnë të jenë pjesë e Bashkimit Europian.

Gjithashtu, në çështjet thelbësore të BE është shumë e rëndësishme të bëjmë këtu, një krahasim mes Shqipërisë dhe vendeve të rajonit, sidomos atyre vendeve që sot negociojnë me Bashkimin Europian dhe në këto çështje thelbësore që kanë të bëjnë me zbatimin e shtetit të së drejtës, zbatimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Shqipëria është në një nivel të përafërt të vendeve, të cilat negociojnë me Bashkimin Europian. Ky është një tregues i fortë se Shqipëria po adreson me fokus të plotë çështjet themelore të ngritura nga Bashkimi Europian, të cilat më vonë do të lehtësojnë edhe punën tonë për të arritur në etapën tjetër, siç është hapja e negociatave.

Por dua të ndaj me ju se pavarësisht të gjitha arritjeve që janë folur dje nga Komisioni Europian, janë prezantuar dje dhe po prezantohen nga unë sot, ne do të bëjmë një analizë të plotë të të gjitha rekomandimeve të dala nga ky Progres-Raport. Patjetër, ne jemi shumë të vetëdijshëm që vendi ka shumë për të bërë, duke filluar këtu me reformën në drejtësi, që do të jetë edhe kryefjala e punës tonë. Ka nisur muaj më parë dhe do të vijojë deri në përfundimin e kësaj reforme, sepse kjo do të jetë kyçe për t’i dhënë zgjidhje edhe prioriteteve të tjera, që janë çështjet e korrupsionit, të krimit të organizuar apo çështjes së pronës. Një çështje kjo e fundit aq e përmendur në të gjitha Progres-Raportet për Shqipërinë edhe gjatë viteve të kaluara, zgjidhja e së cilës do t’i japë hov edhe përthithjes të sa më shumë investimeve të huaja në vend dhe gjithashtu do të hapë rrugën edhe për fazën tjetër të vendit, atë të hapjes ë negociatave.