Postuar më: 16 Nëntor 2016

Ministrja e Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha pret Drejtorin e Përgjithshëm të Zgjerimit në Komisionin Europian, z. Christian Danielsson

Fjala e plotë e Ministres në Konferencën për Shtyp

 

Më lejoni që në emër të Ministrisë së Integrimit Europian,  të falënderoj sot z. Christian Danielsson, Drejtor i Përgjithshëm i Zgjerimit në Komisionin Europian, i cili  ndodhet  në Tiranë, pak ditë pas publikimit të raportit për Shqipërinë.

Pas një kohe të gjatë përpjekjesh, duke u përballur me shumë sfida  brenda vendit, por edhe sfida të cilat lidheshin ngushtë me momentet e vështira në të cilat ka hasur Bashkimi Europian, në datë 9 nëntor, në këtë ditë historike për qytetarët tanë, Shqipërisë iu dha  një rekomandim pozitiv  për çeljen e bisedimeve  për anëtarësim.

Unë dëshiroj t’i përcjell një falënderim të veçantë Komisionit Europian, për mbështetjen e jashtëzakonshme, në këtë rrugëtim të gjatë dhe shumë kompleks për të gjithë ne, mbështetje kjo që kulmoi me një nga Raportet më pozitive të prezantuara për Shqipërinë.

Rekomandimi Pozitiv, me një varësi të drejtpërdrejtë  mbi rezultatet e prekshme të  reformës në drejtësi, veçanërisht me fillimin e zbatimit të ligjit për vlerësimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve  duhet të na bëjë të gjithëve më të përgjegjshëm, për vazhdimësinë e punës  lidhur me këtë reformë.

Rekomandimi Pozitiv duhet të shërbejë si një mundësi për vijimësinë e dialogut politik në vend, frymën konstruktive,  sidomos për çështjet të lidhura ngushtësisht me procesin e integrimit.

Puna jonë duhet të jetë akoma dhe më intensive, për të lexuar siç duhet çdo rresht të raportit, duke adresuar të gjitha rekomandimet e bëra nga partnerët tanë dhe duke dëshmuar për një gatishmëri ndërinstitucionale maksimale.

Rruga jonë e integrimit të vendit, mbetet një rrugë sfiduese, e vështirë dhe ky moment, ky dialog i ri që ne presim të vendosim me Bashkimin Europian, është përpara së gjithash përgjegjësia më e lartë për të gjithë klasën politike shqiptare, për maxhorancën dhe opozitën, të cilat themelet e reformave të nisura duhet ti kthejnë në ngrehina të shëndosha për qytetarët.

Ndaj, rekomandimin duhet ta shohim si nxitësin më të mirë për të vazhduar pa u ndalur punën për përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe , reformën zgjedhore dhe të gjitha reformat e tjera  shtetndërtuese që i shërbejnë të ardhmes europiane të  vendit.

Uroj, që dhjetori me mbështetjen e vendeve anëtare, të shënojë nisjen e një kapitulli të ri, i cili do ta bëjë procesin e integrimit më konkret dhe do të mundësojë implementimin e reformës në drejtësi përmes kapitujve 23 dhe 24 të cilët janë ngushtësisht të lidhur me shtetin e së drejtës.