Postuar më: 09 Tetor 2014

Fjala e plotë e Ministres Gjosha në Konferencën për Shtyp pas Progres Raportit

Përshëndetje,

 

Siç jeni njohur tashmë qeverisë shqiptare iu dorëzua dje zyrtarisht Raporti-i Progresit për vitin 2014.

Ky progres-raport,  vjen vetëm pak muaj pas marrjes së statusit të vendit kandidat dhe vlerëson  reformat e  ndërmarra nga qeveria  në funksion të procesit të integrimit. 

Raporti i progresit  i hartuar nga Komisioni Evropian,  të cilin gjej rastin ta falenderoj,  është një reflektim i qartë i përpjekjes së pandalshme që po bën Shqipëria për të  përparuar në rrugëtimin e saj drejt BE-së.

Në ndryshim nga ai i vitit të kaluar, kësaj here në progres-raport nuk kemi rekomandim të posaçëm nga Komisioni,pasi sfida e radhës për  Shqipërinë është hapja e negociatave  e cila kushtëzohet nga përmbushja e 5 prioriteteve kyçe  që janë:

1-Krijimi i një administrate profesioniste dhe të depolitizuar
2-Forcimi i pavarësisë të institucioneve të drejtësisë
3-Lufta kundër korrupsionit
4-Lufta kundër krimit të organizuar
5-Mbrojtja e të drejtave të njeriut

Siç citohet në progres-raport në të gjitha këto prioritete, janë bërë hapa përpara. Por,  më duhet të theksoj sot përpara jush,   se  duhet të jemi të vetëdijshëm e të përgjegjshëm  se  puna që në pret është shumë e madhe.    Shoqëria shqiptare duhet të jetë e qartë dhe e informuar se procesi i integrimit të vendit realizohet hap pas hapi, është kompleks dhe kërkon kohë.

Në emër të qeverisë shqiptare, shpreh angazhimin e palëkundur, si koordinatore e procesit të integrimit  për të bashkëpunuar me të gjithë aktorët, në mënyrë që të garantojmë gjithpërfshirje e dialog.

I bëj thirrje edhe njëherë  palëve politike të  vendosin axhendën e integrimit mbi çdo axhendë tjetër partiake, pasi shqiptarët,  ata që kanë votuar majtas apo djathtas do të përfitojnë njësoj nga e ardhmja evropiane e vendit. 

-Për përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe në vijim,  do të mundësohet  monitorim nga grupet e punës të ngritura posaçërisht për zbatimin e masave konkrete.

 -Reforma në drejtësi  mbetet thelbësore dhe fryma e reflektuar në tryezën e 6 tetorit duhet të vijojë duke thelluar më tej  bashkëpunimin me organizatat ndërkombëtare që ofrojnë ekspertizë në këtë fushë.

-Qeveria është e angazhuar të mos ndalë luftën kundër  krimit të organizuar dhe korrupsionit  si dhe të vijojë reformën në administratën publike.

-Garantimi i të drejtave të njeriut, përballimi dhe zgjidhja e sidave ekonomike të vendit, rritja e investimeve  mbeten gjithashtu  prioritete madhore  për  të mundësuar një të ardhme më të mirë për shoqërinë shqiptare.

-Përafrimi i legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian do të intensifikohet  në të gjitha fushat, si një tjetër kriter i domosdoshëm për të qenë pjesë e BE-së.

-Për të arritur të gjitha këto objektiva ngritja e kapacitete  njerëzore dhe institucionale është një tjetër kërkesë e procesit dhe për të  kemi mbështetjen e përhershme të partnerëve tanë evropiane. 

E për ta mbyllur më lejoni të theksoj, se për të ndërtuar më shpejt Evropën brenda nesh, duhet  të  forcojmë akoma dhe më shumë qasjen rajonale e cila sheh  një  dhe vetëm një perspektivë për  Shqipërinë dhe gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor  : Anëtarësimin në Bashkimin Evropian.