Postuar më: 20 Janar 2015

Fjala e Ministres Gjosha me gazetaret mbi objektivat e integrimit 2015

Fjala e Ministres Gjosha me gazetaret mbi objektivat e integrimit 2015

 

Nuk dua të ndalem shumë tek arritjet,   pasi  jemi vetëm disa muaj pas marrjes së statusit të vendit kandidat dhe janë marrë një sërë masash të rëndësishme nga të gjitha ministritë e linjës nën koordinimin tonë, por do të doja të ndaja me ju objektivat për vazhdimësinë e punës, të koordinuara bashkë me ministritë e linjës dhe institucionet e pavarura për të çuar përpara procesin e integrimit.

Puna ka nisur tashmë me rishikimin e Udhërrëfyesit për 5 prioritetet dhe kjo është një nga pjesët më të rëndësishme. Do të diskutohet sërish në mbledhjen e grupeve të punës që do të zhvillohet në shkurt. Në këtë mënyrë  i paraprijmë Tryezës së Dialogut të Nivelit të Lartë e cila do të zhvillohet në fund të shkurtit kur Komisioneri Hahn, vjen për herë të parë në Tiranë. Tryeza e Dialogut  zhvillohet në të njëjtën mënyrë si ato të mëparshmet. Në këtë tryezë do të diskutohen çështje të rëndësishme, arritjet që ne kemi pasur kohët e fundit, por edhe sesi duhet të vazhdojë Shqipëria të procedojë, deri në hapjen e negociatave. Do të jetë sërish me dyer të mbyllura, ku pjesëmarrës do të jenë institucionet e pavarura dhe opozita.

Dukëqenëse tashmë kemi një opozitë të kthyer në Parlament, më në fund do të kemi një diskutim së shpejti në Komisionin e Integrimit, për ngritjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit. Ngritja e kësaj strukturë është shumë e rëndësishme, sepse ky Këshill do të japë idetë dhe platformat si do të ecë Shqipëria për hapjen e negociatave. Ky Këshill do të ketë pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve që janë kyç në procesin e integrimit. Shpresojmë që Komisioni të mblidhet sa më shpejt në mënyrë që të procedojmë me tej me Këshillin.

Pjesë tjetër me rëndësi është edhe hartimi i Strategjisë Kombëtare të Komunikimit për procesin e Integrimit. Ministria e Integrimit ka nisur punën për hartimin e kësaj strategjie. Me anë të saj do të shihet qartë mënyra sesi do të të përcillet i gjithë informacioni dhe si do të komunikohet me qytetarët për procesin e integrimit. Do të jetë një strategji që do të ndërtohet me mbështetjen e Kryeministrisë dhe Ministrive të linjës, në mënyrë që të punojmë me target grupe të veçanta për çdo hap të procesit të integrimit.

Puna do të vazhdojë, pasi Shqipëria po ecën në rrugën e duhur për hapjen e negociatave. Nuk ka data, por është e rëndësishme që jemi në rrugë të mbarë. Patjetër që një reformë kyçe është ajo në Drejtësi. Janë kryer tashmë disa tryeza në nivel teknik, por edhe të  zyrtarëve të nivelit të lartë dhe ne shpresojmë që të dilet shumë shpejt me një platformë të qartë për mënyrën si do të realizohet kjo reformë. Sa më shpejt të kryhet ajo, aq më shpejt ne do ti kemi dyert e hapura për të vijuar me procesin e integrimit të vendit dhe për hapjen e negociatave.

Shumë shpejt ne si Ministri do të rinisim takimet bilaterale me vendet partnere të BE-së, pasi patjetër që një klimë e mirë ndikon shumë në një vendimmarrje pozitive për Shqipërinë.

Pjesa tjetër shumë e rëndësishme, diçka e re që po ndodh, është ristrukturimi I të gjitha Drejtorive të Integrimit në Ministritë e linjës. Do të bëhet në dy pjesë. Së pari ka të bëjë me të gjitha burimet njerëzore që merren dhe aplikojnë në projektet IPA. Është me shumë rëndësi sepse Shqipëria deri tani ka vuajtur nga kapacitetet për thithjen e fondeve, ndaj duhet punuar më shumë dhe duhet të kemi ekspertë për shkrimin e projekteve, implementimin e projekteve, në mënyrë që ne në vijim të thithim më shumë fonde nga Bashkimi Evropian.

Dukeqenëse  kemi hyrë në një fazë të re, ku procedohet me sistemin e decentralizuar. Janë institucionet shqiptare që kryejnë vetë të gjithë punën, duke filluar që nga programimi, implementimi, tenderimi deri në monitorim. Të gjitha fazat pra kryhen nga institucionet shqiptare dhe niveli I këtyre drejtorive duhet të jetë shumë më i lartë se deri tani.

Një punë tjetër intensive në këto drejtori po kryhet për grupet negociatore që do të ketë Shqipëria pas hapjes së negociatave. Ministrive do tu duhet të përcaktojnë persona  përgjegjës  dhe të aftë për të kryer rolin e negociatorëve. Ka disa Ministri si Ministria e Bujqësisë, e Mjedisit, shëndetësia, arsimi, që do të negociojnë për kapituj e veçantë, prandaj pa ristrukturimin e këtyre drejtorive kjo do të ishte shumë e vështirë.