Postuar më: 07 Korrik 2015

Fjala e Ministres Gjosha gjate Konferences per shtyp ne Kryeministri

Deklarata e plotë e Ministres Gjosha:

 

Ju falenderoj për pjesëmarrjen. Do doja të komunikoja me ju,  në lidhje me një vendim tepër të rëndësishëm që qeveria ka marrë, duke dëshmuar edhe njëherë  angazhimin e saj maksimal,  për të çuar përpara axhendën tonë europiane, si prioriteti më madhor kombëtar i vendit.   

Qeveria i ndezi  dritën jeshile,  dy strukturave të cilat kanë një peshë themelore, në ecurinë e mëtejshme të procesit të integrimit. 

Bëhet fjalë për  rrjetin e  njësive të integrimit europian, dhe rrjetin e njësive të hartimit të legjislacionit. 

Këto  struktura,   do të jenë garantet për  qasjen që do të ndjekë vendi ynë,  në hapat e mëtejshëm drejt Bashkimit Europian. 

Të dyja njësitë,  do të funksionojnë  në të  gjitha ministritë, me qëllim përmirësimin dhe rritjen e cilësisë së hartimit të legjislacionit dhe përafrimit të tij me acquis të BE-së, sipas kapitujve përkatës, në përputhje me  Marrëveshjen e Stabilizim - Asociimit.  

Ato,  do  të bashkërendojnë dhe do të mbështesin punën e institucioneve respektive,   për hartimin dhe zbatimin e politikave të koordinuara për përmbushjen e detyrimeve që ka Shqipëria në procesin e integrimit europian.

Njësitë e   integrimit Europian,  do të kenë edhe një nga detyrat më sfiduese  të procesit,  siç është planifikimi dhe zbatimi i asistencës financiare të BE-së dhe donatorëve të tjerë. 

Për të patur një nivel sa më të lartë profesional të specialistëve që do të angazhohen pranë këtij rrjeti, qeveria shqiptare ka parashikuar  një trajtim të veçantë financiar për nëpunësit e këtyre njësive.  

Në këtë mënyrë, do bëhet i mundur krijimi i një ajke të administratës, të stimuluar siç duhet,  për një punë cilësore dhe me standarde. 

Ky parim do të jetë  në funksion të plotë të kapërcimit të sfidave që vendi ka për hapjen e negociatave e deri në antarësimin e plotë në BE. 

Do doja t’u bëja thirrje të gjithë të rinjve, që kanë kualifikimin e duhur për t’u bërë pjesë e këtyre njësive, duke përfshirë këtu edhe ata që kanë studiuar jashtë vendit, të mos ngurojnë të aplikojnë, duke u bërë kështu  ata  kontributorët më të mirë për integrimin e Shqipërisë.