Misioni

Ministria e Integrimit Evropian ka për mision drejtimin teknik dhe bashkërendimin e procesit të integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, nëpërmjet hartimit të politikave të integrimit, përafrimit të legjislacionit vendas me atë të Bashkimit Evropian, zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asociimit, zbatimit të rekomandimeve të BE-së lidhur me përmbushjen e kritereve të anëtarësimit, bashkërendimit të ndihmës financiare të BE-së dhe informimit te publikut mbi procesin e integrimit europian.

 

Ministria e Integrimit Evropian ushtron këto veprimtari:

 

Bashkërendon dhe monitoron:

 

  • përgatitjet e institucioneve shqiptare dhe angazhimet e ndërmarra prej tyre, në kuadër të procesit të Stabilizim-Asociimit; në këtë kuadër ministria bashkërendon dhe monitoron zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asociimit, si dhe raportimin dhe pjesëmarrjen e institucioneve shqiptare në Komitetin dhe Nën-Komitetet e Stabilizimit dhe Asociimit;
  • punën ndërmjet ministrive të linjës dhe institucioneve të tjera qendrore për hartimin e planeve kombëtare për zbatimin e rekomandimeve të Partneritetit Europian dhe dokumenteve të tjerë të BE-së, me qëllim përmbushjen e kritereve për anëtarësim në BE;
  • ecurinë e procesit të përafrimit të legjislacionit vendas me atë të Bashkimit Evropian, duke mbajtur lidhje të rregullta institucionale me ministritë e linjës dhe institucionet e tjera qendrore. Gjithashtu, ndihmon ministritë e linjës dhe institucionet e tjera qendrore për hartimin e legjislacionit të nevojshëm, me qëllim përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshja e Stabilizim-Asociimit;
  • ndihmën e BE-së për Republikën e Shqipërisë (Instrumenti i Para-Anëtarësimit - IPA), sipas përparësive të vendit tonë, në kuadër të procesit të integrimit europian. Gjithashtu, MIE ndjek nënshkrimin e marrëveshjeve të ndihmave financiare të Bashkimit Evropian për Republikën e Shqipërisë, në kuadër të asistencës financiare të BE-së.

 

Përgatit:

 

  • mekanizmat metodologjikë në funksion të lehtësimit të zbatimit të reformave sektoriale, që rrjedhin nga zbatimi i marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit;
  • harton dhe përditëson, ne bashkëpunim me ministritë e linjës dhe institucionet e tjera qendrore, Planin Kombëtar për zbatimin e MSA-së, si dhe kontrollon zbatimin e këtij plani dhe të planeve te tjera të lidhura me rekomandimet e BE-së;

 

Vlerëson:

 

  • përputhshmërinë e projekt-akteve normative të propozuara nga ministritë e linjës dhe institucionet e tjera qendrore me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Projekt-aktet duhet të pasqyrojnë në relacionin shoqërues, shkallën e përafrimit dhe referencat mbi legjislacionin përkatës dhe jurisprudencën e Bashkimit Evropian;
  • Konfirmon përkthimin e dokumentacionit bazë, të nevojshëm për procesin e përafrimit të legjislacionit vendas me atë të Bashkimit Evropian;

 

Merr pjesë:

  • në veprimtaritë e grupeve të punës, të ngritura nga institucione të tjera shtetërore, për hartimin e programeve të ndryshme për integrimin e Republikës së Shqipërisë në BE;
  • shkëmben të dhëna dhe organizon takime periodike, në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar, në funksion të procesit të integrimit evropian.

 

Ministrja e Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha, priti një Delegacion të Komisionit të Politikave të Bashkimit Europian në Senatin italian. 22-02-2017