Eralda Çani

Zëvendësministri

Eralda Çani

Prof.Dr. Eralda (Methasani) Çani ka mbaruar studimet për drejtësi pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës (UT) në vitin 1996. Ka studiuar pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Leyden, Hollandë gjatë vitit 1995, dhe ka kryer studimet pasuniversitare LL.M. në të Drejtën e Krahasuar Kushtetuese në Universitetin e New York School, SHBA/CEU, Budapest, Hungari në vitin 1998. Studimet e doktoraturës në fushën e së drejtës publike i përfundoi në Universitetin e Tiranës në vitin 2008, në vitin 2011 mori titullin “Profesor i Asociuar", miratuar nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, dhe në shtator 2015 titullin akademik “Profesor”, miratuar nga Ministria e Arsimit dhe e Sporteve, në fushën e së drejtës.

Ka kryer një numër të madh trajnimesh profesionale, ka ndjekur Shkollën Shqiptare të Politikës, organizuar nga Këshilli i Evropës, Tiranë dhe ka marrë pjesë si pedagoge vizitore në Universitetin George Washington, Uashington D.C, SHBA gjatë vitit 2007. Gjatë vitit 2015 ishte pjesë e programit të vizitorëve ndërkombëtare me Departamentin Amerikan të Shtetit të SHBA.

Eksperienca e punës fillon në vitin 1996 pranë Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale. Në vijim është angazhuar si këshilltare ligjore pranë Prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe eksperte për çështje të ndryshme ligjore pranë organizmave ndërkombëtare si UNDP, USAID, Bankë Botërore, si dhe organizata të ndryshme të shoqërisë civile. Prej vitit 1999 angazhohet si pedagoge me kohë të plotë pranë Fakultetit të Drejtësisë/UT, si dhe në Institutit të Studimeve Evropiane/UT, në nivelin bachelor, master dhe të doktoraturës në lëndë të ndryshme të së drejtës dhe prej vitit 2013 me kohë të pjesshme. Që prej vitit 2010 angazhohet si pedagoge e së drejtës administrative pranë Shkollës së Magjistraturës. Në tetor 2013 emërohet Këshilltare për të Drejtën Publike pranë Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe prej muajit mars 2016 është emëruar Zv. Ministre e Integrimit Europian.

Znj. Çani është bashkë-autore e “Fjalorthit të parë shqip-anglisht-shqip për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri/Kosovë”, autore dhe bashkë-autore e një sërë botimesh fushën e të drejtës administrative, kushtetuese, apo të drejtat e njeriut, si “Shteti i së Drejtës në Kushtetutën e RSH”, “Cikël leksionesh për të drejtën kushtetuese-administrative”, “Shteti i së Drejtës dhe Qeverisja Vendore në RSH”, “E Drejta administrative në vështrim krahasues”, etj.